Arqipeshkvi Paglia tregon se pse negocioi për paqe mes Kosovës e Serbisë

Aktuale March 22, 2017 - 21:40

 

Arqipeshkvi i Selisë së Shenjtë, monsinjor Vincenzo Paglia ka rrëfyer se ai ka negociuar për paqe mes Kosovës dhe Serbisë gjatë luftës së fundit, duke u nisur nga frika se në Kosovë do të ndodhte më keq së në luftën e Bosnjes.

“Unë e kam njohur tragjedinë e luftës në Bosnje dhe kisha frikën që për Kosovën do të ishte akoma më kritike. Kjo më bindi mua që të ndërmerrja pavarësisht vështirësive këtë rrugëtim – dialogun për paqen”.

“Ishte një rrugëtim që ishte më i vështirë se sa mendoja por megjithatë ky rrugëtim u ndoq derisa e vendosëm gurin e parë të themelit. Por pastaj kishte vështirësi nga ana e komunitetit ndërkombëtar që të bënte të mundur rrugën për këtë rrugëtim”.

Paglia në një intervistë në Zona B të Klan Kosovës ka treguar edhe se si ai vetë e ka përjetuar luftën e Kosovës, dhe ndihmesën që ka dhënë gjatë kësaj kohe.

“Retë u bënë akoma më të zeza derisa shpërtheu ky konflikt që ishte dramatik për shqiptarët që iu desh të linin tokën e vet dhe të jetonin si refugjatë. Ishim prezentë për të ndihmuar fëmijët, mbi të gjitha për të jetuar ditë të qeta”.

“Për ne nuk ka dallim ndër të varfrit apo refugjatët, secili që është larg shtëpisë së vet ka nevojë për mbështetje. Ne i kemi ndihmuar të gjithë si katoliktët ashtu edhe myslimanët”.

“Mund të them që ka një gjuhë, ajo e dashurisë që është edhe më e lehta për tu kuptuar nga të gjithë. Në këtë rast të luftës së Kosovës ne besojmë që takimi me nevojatarët është një mënyrë për të thënë paqe dhe solidaritet dhe një mënyrë për të ndërtuar një të ardhme për të gjithë”.

“Objektivi kryesor ka qenë ai që të jemi përkrah atyre që kishin nevojë. Besoj që ndihmat që vinin nga pjesa lindore dhe ato nga perëndimi në thellësi të ndjenjës së kosovarëve kishte një lidhje instiktive me pjesën tjetër të Detit Adriatik”.

Ai ka treguar se çka bëri që sipas tij, situata në Kosovë të përfundonte më ndryshe se në Bosnje.

“Rrënjët e thella humanitare dhe fetare që ishin të dukshme te Rugova dhe jo vetëm te ai por edhe te disa tjerë bëri Kosovën më ndryshe se situata në Bosnje”.

“Ndjej që raporti me Kosovën është më shumë i lidhur me Evropën sesa duket në vendet tjera. Problemi është te e ardhmja e këtyre lidhjeve”.