Haxhiu: Thaçi po tenton ta eliminojë opozitën

Aktuale March 21, 2017 - 18:06

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka akuzuar presidentin Thaçi se përmes nismës së tij për miratimin e një kodi për dekriminalizimin e skenës politike në Kosovë, po tenton ta eliminojë politikisht opozitën.

Haxhiu përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Ai (Thaçi) po tenton që përmes kësaj, të eliminojë politikisht opozitën pasi që shumë prej nesh janë nën hetime për shkak të veprimeve tona në mbrojtje të Republikës dhe territorit pra për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend!”, ka shkruar Haxhiu.

Postimi i plotë i deputetes Haxhiu:

“I ashtuquajturi President, sot paska thënë që do të propozojë ndryshime, për të pamundësuar kandidimin e atyre që janë nën hetime, pa specifikuar tutje.

Së pari, sikur të kishim sistem drejtësie, Thaçi nuk do të mund të ishte asnjëherë President, por do të ishte duke dhënë llogari për pasurinë që e ka krijuar dhe gjitha dëmet politike.

Së dyti, Thaçi është dinak dhe i pacipë dhe propozimi i tij nuk ka synime të pastra e sinqerta. Ai po tenton që përmes kësaj, të elimimojë politikisht opozitën pasi që shumë prej nesh janë nën hetime për shkak të veprimeve tona në mbrojtje të Republikës dhe territorit pra për shkak të hedhjes së gazit lotësjellës në Kuvend!

Humbja që po e pëson ai dhe PDK është e papërballueshme për të andaj edhe nuk sheh rrugë tjetër përveç kësaj!”, ka shkruar Haxhiu.