Presidenti maqedonas shmang takimin me komisionerin Hahn

Aktuale March 21, 2017 - 15:20

Zyra e Ivanov konfirmoi të martën se presidenti Ivanov, i cili aktualisht po kthehet nga Hungaria nuk do të kthehet në kohë për të takuar Hahn dhe këmbënguli se tashmë Brukseli ishte lajmëruar.

Zyra tha se Ivanov nuk kishte asgjë të re për t’i thënë Hahn rreth vendimit të tij për të mos i dhënë mandatin e qeverisë së re liderit të opozitës Zoran Zaev – një lëvizje që thelloi më shumë krizën post-zgjedhore në Maqedoni.

“Presidenti Ivanov i ka bërë të qarta qëndrimet e tij te komisioneri europian për zgjerimin Johannes Hahn gjatë takimit së tyre të fundit më 10 shkurt 2017 dhe ato mbeten të pandryshuara,” tha zyra e tij.

Zyra gjithashtu bëri një sugjerim të pazakontë që Hahn duhet ta përdorë kohën e planifikuar për vizitën me Ivanov për të takuar protestuesit që po planifikojnë protesta të mëdha gjatë vizitës së tij në Maqedoni kundër formimit të një qeverie koalicioni të udhëhequr nga opozita.

Zyra e Ivanov sugjeroi se Hahn duhet të marrë të dhëna të dorës së parë rreth “argumenteve dhe arsyeve të protestave civile” që kanë vazhduar në 20 ditët e fundit.

Gjatë vizitës së tij, Hahn pritet të nxisë formimin e një koalicioni të ri qeveritar të drejtuar nga opozita në Maqedoni si e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza e thellë politike në vend.

Hahn, që po shoqërohet nga eurodeputetët Ivo Vajgl, Eduard Kukan dhe Knut Fleckenstein, pritt të kërkojë respektimin e parimeve demokratike që çojnë në formimin e menjëhershëm të qeverisë së re që ka siguruar tashmë një shumicë në parlament.

Ai gjithashtu pritet të paralajmërojë kundër shtimit të tensioneve në vend.

Në një intervistë për Dojçe Velle javën e shkuar, Hahn përsëriti thirrjet e tij për një tranzicion paqësor të pushtetit në Maqedoni pasi zgjedhjet e parakohshme të 11 dhjetorit nuk ia dolën t’i japin fund krizës.

Protestat dhe refuzimi i presidentit Ivanov për t’i dhënë koalicionit opozitar mandatin jehojnë pretendimet e partisë së djathtë VMRO DPMNE, e cila ishte në pushtet nga viti 2006 deri në zgjedhjet e fundit.

VMRO DPMNE pretendon se nëse opozita vjen në pushtet, vendi mund të shkatërrohet për shkak të pranimit nga opozita të së ashtuquajturës “platformë shqiptare” e cila propozon më shumë të drejta për shqiptarët në vend.