Bushati, takime në Uashington, në fokus siguria dhe reformat

Aktuale March 21, 2017 - 12:17

Vizita e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati në Uashington nisi me një sërë takimesh në Senatin amerikan dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.

Kështu, në takimin me senatorin Chris Murphy, anëtar i Komisionit të posaçëm për Europën, u diskutua mbi zhvillimet e fundit në rajon, rëndësinë e partneritetit strategjik Shqipëri-SHBA, kryesisht në fushën e sigurisë, si dhe për kursin e reformës në drejtësi.

Sipas një njoftimi për shtyp nga MPJ, ministri Bushati e njohu bashkëbiseduesin me angazhimin “dinamik dhe konstruktiv” të Shqipërisë për stabilitetin në rajon, kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit, si dhe me ecurinë e reformave në kuadër të procesit të integrimit në BE.

Nga ana e tij, senatori Murphy vlerësoi hapat e ndërmarrë nga Shqipëria në këto tre fusha, si dhe siguroi për vijimin e pranisë së SHBA-së në Europën jug-lindore, si një garanci për sigurinë e kësaj zone të kontinentit të vjetër.

Ndërsa në takimin me kryetarin e Komisionit për Politikën e Jashme, Ed Royce dhe kongresmenin Eliot Engel, biseda u fokusua mbi rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për avancimin e procesit të reformave që duhet të ndërmarrë vendi ynë, veçanërisht përsa i përket zbatimit të reformës në drejtësi.

Duke u ndalur tek kjo e fundit, zyrtarët amerikanë dhe shefi i diplomacisë shqiptare vlerësuan se zbatimi i saj do të ketë efekte pozitive si në jetën e përditshme të qytetarëve, ashtu edhe në aspektin e sigurisë dhe në atë ekonomik.

Kongresmenët Royce dhe Engel shprehën gjithashtu gatishmërinë e Kongresit amerikan për të mbështetur konsolidimin e mëtejshëm të reformave, për të cilat, siç thanë ata, SHBA kanë investuar burime të mëdha njerëzore dhe financiare përgjatë tri dekadave të fundit./Lajmi.net