Fushata nis para kohe

Aktuale March 21, 2017 - 08:20

Ende pa u afruar koha për zgjedhjet lokale dhe një vit para orarit të rregullt të zgjedhjeve parlamentare liderët politikë në Kosovë kanë filluar fushatën në terren. Analistët vlerësojnë se kjo po ndodh pasi këtë vit në Kosovë do të ketë zgjedhje të parakohshme

Vizitat e shumta nëpër qytete të ndryshme të Kosovës nga kreu i partisë më të madhe në vend (PDK), Kadri Veseli, si dhe deklaratat e drejtuesve të LDK-së për zbardhjen e vrasjeve të pasluftës, përkatësisht të disa zyrtarëve të lartë të kësaj partie, po konsiderohen si veprime parapërgatitore për zgjedhje të parakohshme qendrore. Politologët në Kosovë vlerësojnë se këto veprime kanë të bëjnë pikërisht me fushatë për zgjedhje të parakohshme, pasi që, sipas tyre, koalicioni qeverisës tashmë nuk i ka përmbushur detyrimet e caktuara.

Nga ana tjetër, edhe vetë Dega e PDK-së në Podujevë para pak ditësh akuzoi LDK-në se “vrasjet” po i përdor për qëllime politike, përderisa LDK-ja e mohoi kategorikisht një gjë të tillë. Edhe përfaqësues të partive opozitare konsiderojnë se vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje pasi koalicioni qeverisës nuk ka funksionuar qysh nga fillimi.

Sipas orarit të rregullt zgjedhor në fund të këtij viti duhet mbajtur zgjedhjet lokale, ndërsa në qershor të vitit të ardhshëm ato qendrore.

Veseli në terren, PDK-ja akuzon LDK-në për politizim të vrasjeve

Ditë më parë Dega e PDK-së në Podujevë ka kritikuar partinë e Isa Mustafës për politizim të vrasjeve të pasluftës. Ndërkohë, vetë LDK-ja e ka mohuar një gjë të tillë.

“Kërkesa për zbulimin e autorëve të vrasjeve të pasluftës, e cila gjithnjë është përdorur nga LDK-ja me qëllime të caktuara duke fajësuar subjekte dhe individë të ndryshëm për të cilët as Hetuesia nuk e ka dhënë fjalën, por qe tash e disa vite prejse është në bashkëqeverisje i ka harruar fare”, thuhet në komunikatën e Degës së PDK-së në Podujevë.

Ndërkohë, përfaqësues të LDK-së kanë mohuar një gjë të tillë, me ç’rast kanë thënë se tërë këto nuk janë aspak të vërteta.

Nga ana tjetër i pari i PDK-së, Kadri Veseli, tash e disa javë me radhë është duke qëndruar në terren, në qytete të ndryshme të Kosovës për t’i dëgjuar, siç është shprehur ai, shqetësimet e qytetarëve e përfaqësuesve të bizneseve të ndryshme. Madje, tashmë ka hapur edhe një uebfaqe lidhur me këtë çështje.

“Nga turi dëgjimor që kam filluar anekënd vendit po i kuptoj nga afër shqetësimet tuaja dhe po i mësoj drejtpërdrejt idetë tuaja se si të punojmë më mirë. Për ta shtrirë edhe më tej komunikimin tonë, kam hapur uebfaqen time www.kadriveseli.com.  Ju ftoj ta vizitoni atë dhe t’i dërgoni mendimet tuaja. Do t’ju dëgjoj me vëmendje dhe do t’ju përgjigjem”, ka potencuar ai në njërin prej njoftimeve të tij.

Beqaj: Mostransformimi i FSK-së dëmton PDK-në, moskalimi i Demarkacionit LDK-në

Politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se takimet e shpeshta, që po bëhen me elektoratin nga krerët e partive në pushtet, janë paralajmërim i përgatitjes për zgjedhje të parakohshme.

“Takimet me elektoratin janë paralajmërim i parapërgatitjes politike që kundërshtarin politik të nxërë në pozitë inferiore për zgjedhje të parakohshme ose për zgjedhje lokale që ligjërisht duhet të zhvillohen në vjeshtë. Këto takime janë uverturë më serioze për t’u testuar forcat reale të faktorëve politikë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Sipas tij, është shqetësues fakti se me vite të tëra këta liderë vëmendjen kryesore e kanë pasur te reagimet e ambasadave ndërkombëtare, kurse tek pas disa viteve po i kthehen qytetarëve të harruar.

Ndërkohë ka konsideruar se nuk ka ndonjë dallim në mes zgjedhjeve të rregullta dhe atyre të parakohshme.

“Gjithsesi këto takime të shpeshta me qytetarët po bëhen për ta prekur pulsin politik nëse Demarkacioni apo shndërrimi i FSK-së në ushtri nuk kalon. Por, nuk shoh realisht dallim shumë të madh mes zgjedhjeve të rregullta dhe të parakohshme, ngase përmbajtësisht asgjë nuk ndryshon përpos shkaqeve, të cilat mund të ndikojnë në zgjedhje, pse eventualisht shkohet në zgjedhje të parakohshme?”, është shprehur tutje profesor Beqaj.

Më tutje ai ka konsideruar se moskalimi eventual i transformimit të FSK-së në ushtri do ta dëmtojë më shumë PDK-në, ndërsa moskalimi i Demarkacionit do ta dëmtojë më shumë LDK-në.

Sallova: Atmosfera politike i ngjan fazës para fillimit të fushatës

Kurse politologu, Donik Sallova, ka vlerësuar se në Kosovë tashmë janë duke u zhvilluar ngjarje që ngjajnë me veprime para fushatës elektorale.

“Pa dyshim që atmosfera politike në Kosovë po i ngjan fazës para fillimit të fushatave zgjedhore në Kosovë. Ngecja e procesit të ratifikimit të Demarkacionit, ndasitë mes krerëve të koalicionit qeveritar në çështjen e transformimit të FSK-së, prezenca e shtuar e Kadri Veselit dhe e Hashim Thaçit në medie, rikthimi taktiko-elektoral nga udhëheqësit e LDK-së i çështjes së ‘vrasjeve politike’ të pasluftës e bën shumë të mundshme skenarin e zgjedhjeve të parakohshme”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, zgjedhjet do të shkonin pa dyshim në favor të partisë më të madhe në vend aktualisht - PDK-së.

“Zgjedhjet e parakohshme do të ishin në favor të PDK-së për disa arsye. LDK-ja ka paguar çmim të madh elektoral dhe politik duke u futur në koalicion me PDK-në”, ka shtuar ai.

Tahiri: S’ka arsye për zgjedhje nëse s’ndryshon raporti i forcave

Për dallim prej tyre, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se nuk pritet të ketë zgjedhje të parakohshme.

“Nuk pritet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare sepse nuk ka reformë zgjedhore dhe nuk ka asnjë shenjë se ka ndryshuar apo do të ndryshojë raporti i forcave”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, koalicionin qeverisës prej fillimit e kanë përshkuar zërat për zgjedhje.

Opozita: Zgjedhjet të shpallen sa më parë

Nga ana tjetër, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se zgjedhjet duhet të shpallen sa më shpejt që është e mundur.

“Zgjedhjet duhet të shpallen sa më parë dhe duke e parë që këta njerëz po braktisen nga njëri-tjetri e besa edhe nga vetvetja, ato kam bindjen do të mbahen shumë shpejt”, ka deklaruar ai.

Sipas Lekajt, është më mirë të shpallen zgjedhjet dhe të dihet zyrtarisht se vendi është në fushatë zgjedhore.

Ndërkaq, shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se koalicioni qeverisës ka pasur probleme qysh prej krijimit të tij.

“Se ky koalicion ka pasur dhe ka probleme tashmë po dihet, kjo për faktin se që nga fillimi i krijimit të tij nuk ka funksionuar dhe kjo tashmë është dëshmuar me dështimet e njëpasnjëshme si të PDK-së, ashtu edhe të LDK-së”, ka deklaruar ajo për “Zërin”.

Sipas Bajramit, është absurde se si përfaqësuesit e këtij koalicioni dalin tash e i dëgjojnë qytetarët gjersa për vite me radhë janë në pushtet.