Tërnava kërkon nga disa shtete islamike ta njohin Kosovën

Aktuale March 20, 2017 - 17:27

Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava me ftesë të Ligës së Botës Islame (MWL) po merr pjesë në Konferencën ndërkombëtare me titull “Rrymat ideologjike ndërmjet lirisë së shprehjes dhe bazamenteve të sheriatit (ligjit islam)” , që po mbahet në Meke.

Konferenca ka filluar dje dhe po organizohet nga Liga e Botës Islame në përkujdesjen e Shërbyesit të dy vendeve të shenjta mbretit Selman bnin Abdulaziz Al Saud.

Në këtë Konferencë përveç dijetarëve më eminent të Botës Islame po merr pjesë edhe Delegacioni i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës (BIRK) nën kryesimin e myftiut Naim ef. Tërnava i shoqëruar me kryeimamin,  Sabri ef. Bajgora, drejtori për shtyp dhe media Ahmet ef. Sadriu dhe zv/ shefi i kabinetit mr. Besim Mehmeti.

Në këtë Konferencë nga Ballkani përveç Kosovës po marrin pjesë Shqipëria dhe Kroacia.

Kjo konferencë ka për qëllim pozicionimit e qartë të botës islame kundruall rrymave të ndryshme ideologjike të cilat i kanë sjellë aq shuam dëme Islamit, duke e shëmtuar imazhin e tij paqësorë.

Gjatë ditës së parë të Konferencës, myftiu Tërnava pati takime me dijetarë dhe personalitete të ndryshme të Botës Islame nga të cilët kërkoi bashkëpunim dhe njohje të shtetit të Kosovës nga ana e disa shteteve arabe dhe islame që deri më tani nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Myftiu Tërnava i shoqëruar nga sekretari gjeneral i Ligës së Botës Islame, Muhamed bin Abdulkerim el Isa, pati një takim me shkëlqesinë e tij, princin e Mekës, Halid el Fejsal bin Abdulaziz Al Saud  të cilin e falënderoi për kontributin e madh të Mbretërisë së Arabisë Saudite dhënë Kosovës, në rrugën e saj të zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik. Konferenca i mbyll punimet e saj ditën e martë më 21.03.2017.