Matoshi: Pa SHBA-në dhe NATO-n s’na duhet ushtria

Aktuale March 20, 2017 - 08:25

Kosova duhet të kontribuojë në krijimin e ushtrisë, veçmas tani kur Serbia ka nisur një fushatë propagandistike për destabilizimin e Kosovës. FSK-ja është një e drejtë e kombit kosovar, e cila ka për detyrë kushtetuese t’i mbrojë edhe komunitetet e tjera pakicë. “Unë besoj se partneriteti me SHBA-në dhe NATO-n, si aleatë strategjikë të Kosovës, do të ruhet sepse pa SHBA-në dhe NATO-n Kosovës nuk i duhet kurrfarë ushtrie. Porse SHBA-ja dhe NATO-ja duhen bindur me forcën e argumenteve se Kosova nuk ka kohë për të humbur drejt rrumbullakimit të sovranitetit të vet dhe se ushtria kosovare ekziston, përderisa ajo sipas ligjit ka të drejtë të marrë pjesë në misione paqësore jashtë Kosovës”, ka deklaruar publicisti, Halil Matoshi për gazetën Zëri.

Zëri: Presidenti Thaçi mori iniciativën për transformimin e FSK-së në ushtri përmes një ligji të ri, si e keni parë ju këtë iniciativë? Pse sipas jush kjo iniciativë erdhi pikërisht tash kur dihet se as këtë herë nuk do të ketë ndërrime kushtetuese?

Matoshi: E para, duhet pranuar fakti se presidenti ka të drejtë kushtetuese për nisma ligjore, pra edhe për dërgimin e Draftligjit për FSK-në në Qeveri dhe procedim të mëtutjeshëm në Kuvend.

E dyta, pse tash? E po në secilën kohë dikush mund të thotë pse tash? Sepse prej një vendimi politik deri të ligjësimi i tij duhet kohë dhe përpjekje. Fundja presidenti e ka marrë një vendim politik dhe besoj se ai është i vetëdijshëm që kjo punë e madhe shtetërore e do kohën e vet.

Janë legjislatorët ata që vendosin dhe unë mendoj se kjo nuk do të bëhet aq shpejt, sepse do kohë për t’u pjekur si akt i përmbylljes së sovranitetit të brendshëm dhe mbi të gjitha partnerëve strategjikë të Kosovës duhet dhënë aq kohë sa u vyen për bashkërendim politik për këtë.

FSK-ja në një mënyrë që nga viti 2014 është “e jashtëligjshme”, sepse në këtë vit është dashur të rishikohet mandati i saj dhe FSK-ja të shndërrohej në ushtri edhe decidivisht, porse atëherë flitej se serbët kosovarë kishin kërkuar në këmbim edhe një mandat shtesë për vendet e rezervuara dhe këtë e ka pohuar ish-ministri Rashiq.

Për habi shumica e shoqërisë civile që tash po e hesht këtë fakt u patën ngritur kundër vendeve të rezervuara për komunitetet pakicë, qoftë edhe me sakrifikimin e ushtrisë. Këtë kurs politik e pati mbajtur edhe LDK-ja. E treta, duke hedhur një vështrim mbi rajonin tonë shihet se Rusia po bën një fushatë të egër frikësuese dhe kërcënuese ndaj kombeve të vogla të Ballkanit Perëndimor dhe Qendror. Kurse Serbia ka nisur një fushatë propagandistike dhe provokuese për destabilizimin e Kosovës. A do të thotë kjo se Prishtina zyrtare duhet të këqyrur seri këto zhvillime apo të përpiqet edhe vetë të kontribuojë në rikthimin e stabilitetit dhe të paqes rajonale? Mendoj se duhet të ulen retorikat populliste dhe ta rrisë sigurinë e vet me çdo çmim, duke e armatosur Forcën Mbrojtëse të Kosovës!

Për këtë, e kam thënë disa herë, ekziston baza kushtetuese dhe infrastruktura ligjore.

E para, edhe nëse do të shkohej me amendamente kushtetuese, Neni 126, i cili precizon se “FSK-ja është forcë kombëtare mbrojtëse e Kosovës”, nuk ka përse të preket, emri s’ka përse të ndërrohet, sepse e ka burimin e vet që në Pakon Ahtisaari. Kurse Ligji për FSK-në në Nenin 10.2 sanksionon mundësinë e armatosjes me pëlqimin e Pranisë Ushtarake Ndërkombëtare – PUN, dhe Pranisë Ndërkombëtare Civile (PNC); pas pavarësisë së Kosovës rolin e PNC-së simbolikisht të them e merr institucioni i presidentit të vendit, kurse atë të PUN-it e ka komandanti i KFOR-it që është forcë e OKB-së dhe jo e NATO-s, edhe pse NATO-ja udhëheq në aspektin operacional (KFOR-i është ushtri e Kosovës, ‘Kosovo For’ sipas Rezolutës 1244, kurse FSK-ja është asgjë për Këshillin e Sigurimit dhe Rezolutën 1244, porse njëfarë batalioni i PUN-it, kryesisht për emergjenca civile).

Pozicion delikat dhe i paqartë. Unë nuk e di nëse ndonjë president ose kryeministër ka kërkuar nga komandantët e KFOR-it sipas ligjit armatosjen e FSK-së?! Thjesht, dyshoj që është bërë kjo.

Pra nëse presidentit Thaçi i mohohet nisma ligjore, atëherë ata mohues duhet ta dinë se Forcat e Armatosura të Kosovës mund të themelohet me amendamentime kushtetuese vetëm nëse ndërrohet ndërkohë Rezoluta 1244. E për këtë duhet të heqin veton Rusia dhe Kina, nuk bën të abstenojnë në Këshillin e Sigurimit. E kjo, dyshoj se mund të ndodhë në dhjetëvjeçarin e tretë.

Hashim Thaçi ka mundur ta ndërmarrë këtë nismë edhe për protagonizëm, por kjo s’ka fare rëndësi sepse i rëndësishëm është të rriten kërkesat politike të kosovarëve karshi bashkësisë ndërkombëtare e me këtë edhe të rritet presioni politik karshi bashkësisë ndërkombëtare, që të shtyhet përpara agjenda e avancimit të rolit të FSK-së në detyrat kushtetuese të mbrojtjes kombëtare dhe armatosjes së ushtrisë kosovare.

Tashti, u bë me ligj a me Kushtetutë, (ndonëse mendimi im konstant mbetet se ushtria është e garantuar, porse duhet që Kosova t’i plotësojë tri parakushte për ta ngritur atë në këmbë: 1. paratë; 2. paratë dhe 3. paratë!) estabilishmenti i shtetit duhet të kërkojë rrugë të partneritetit bilateral me shtetet që e kanë njohur pavarësinë e saj, për ta mbështetur këtë ushtri si forcë ekskluzivisht mbrojtëse të lirisë kombëtare, pra për t’i blerë armët nga këto shtete partnere.

Zëri: Pas kësaj iniciative pati kundërshtime nga ndërkombëtarët, të cilët e cilësuan si të njëanshme një gjë të tillë. Pavarësisht këtyre, a duhet të çohet përpara kjo nismë dhe a po rrezikohen raportet me ndërkombëtarët?

Matoshi: FSK-ja është një e drejtë e arrirë tashmë dhe e drejta një herë e arrirë nuk shembet kurrë në rendin ndërkombëtar. Është e drejtë e kombit kosovar dhe ka për detyrë kushtetuese t’i mbrojë edhe komunitetet pakicë (Neni 126, pika 2. Forca e Sigurisë së Kosovës mbron qytetarët dhe komunitetet e Republikës së Kosovës në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj.), pra për FSK-në pyetet sovrani që është shumica shqiptare që e ka në pronësi të veten shtetin sovran  kosovar, me gjithë detyrimin dhe përgjegjësinë për mirëmbajtjen e një shoqërie multietnike.

Nuk mund të mbajnë veto serbët kosovarë për ushtrinë e Kosovës përderisa ata (liderët politikë të tyre dhe një pjesë domethënëse e qytetarëve serbë, atëherë madhorë, deri në Marrëveshjen e Kumanovës 9-10 qershor 1999 kanë qenë pjesë e makinerisë shfarosëse të fashizmit millosheviqian. Natyrisht që serbët kosovarë nuk mund të votojnë për ushtri kosovare me ndërrime kushtetuese (vota e dyfishtë) nëse ata më parë nuk i japin lojalitet shtetit-komb, Republikës së Kosovës! Por me ta dialogu duhet të jetë përherë i hapur dhe i sinqertë, që t’i bashkohen FSK-së, si instrument i fuqishëm në mbrojtjen e të drejtave të tyre të ligjshme, po ashtu njëherë të arrira! Unë besoj se partneriteti me SHBA-në dhe NATO-n, si aleatë strategjikë të Kosovës, do të ruhet sepse pa SHBA-në dhe NATO-n Kosovës nuk i duhet kurrfarë ushtrie. Porse SHBA-ja dhe NATO-ja duhet bindur me forcën e argumenteve se Kosova nuk ka kohë për të humbur drejt rrumbullakimit të sovranitetit të vet dhe se ushtria kosovare ekziston përderisa ajo sipas ligjit ka të drejtë të marrë pjesë në misione paqësore jashtë Kosovës.

Dhe këtë as SHBA-ja dhe as NATO-ja nuk e kanë mohuar asnjëherë. Edhe sot po thonë se Kosova ka të drejtë të marrë vendime sovrane për të ardhmen e vet, po ashtu nuk po e mohojnë se ushtria është e drejtë e Kosovës, porse duke kërkuar që kjo të bëhet me amendamente kushtetuese ata së pari po blejnë kohë për Serbinë që është praktikisht në vitin zgjedhor dhe së dyti duan t’i lidhin serbët kosovarë për shtetin e Kosovës. Porse kjo nuk bëhet pa presion mbi ta  dhe sidomos jo duke u bërë presion institucioneve të Kosovës, sepse kjo po keqkuptohet nga serbët kosovarë si sinjal se Kosova nuk është shtet, prandaj SHBA-ja dhe NATO-ja nuk po e lënë të bëjë ushtrinë si shtylla kurrizore e sovranitetit. 

Zëri: Nëse nuk do të bëhet ushtria ashtu siç nuk po përkrahet nga SHBA-ja e NATO-ja, a do të duhej presidenti Thaçi të dorëhiqej nga pozita e tij?

Matoshi: Kjo është çështje e etikës së tij pushtetore, porse është pak e rëndësishme në rast se amerikanët dhe NATO-ja i bindin serbët kosovarë që t’i votojnë ato ndryshime, sepse vetë akti i krijimit të ushtrisë kosovare si forcë kombëtare multietnike e tillë është edhe tashti, porse në heshtje. Moslejimi i krijimit të ushtrisë kosovare (pra e drejta për t’u mbrojtur) është shkelje e të drejtave të njeriut dhe shkelje e të drejtave kolektive të një kombi. Presidenti i shtetit e di se nëse cenohet partneriteti i Kosovës me Perëndimin, përkatësisht me aleatët strategjikë të Kosovës, nuk do t’i hyjë në punë as protagonizmi dhe as ndonjë ushtri pa aleancën e qëndrueshme me SHBA-në dhe me NATO-n.

Zëri: Pak ditë para nismës së presidentit Thaçi për ushtrinë Qeveria pati premtuar se brenda javës Demarkacioni do të shkojë në Kuvend. Si e shihni ju këtë tërheqje të Qeverisë kur dihet se pas kësaj Demarkacioni më pothuajse as s’u përmend?

Matoshi: Natyrisht që Kosova ka një qeverisje kaotike dhe në këtë kaos vihet në rend dite një temë pa u absolvuar tema paraprake, thjesht për ta zhvendosur vëmendjen e publikut nga keqqeverisja dhe problemet strukturore të sistemit. Demarkacioni i kufirit me Malin e Zi është zotim shtetëror, por për të cilin duhet konsensus kombëtar dhe këtë presidenti e Qeveria nuk e kanë arritur. Pra ata nuk kanë arritur ta bindin estabilishmentin së pari dhe së këndejmi as publikun, pra qytetarët, për një temë shumë të ndjeshme për rrethanat ballkanike, çështjen e tokës! 

Zëri: Së shpejti pritet të ngrihen aktakuzat e para nga Gjykata Speciale. A do të sjellë ndryshim të skenës politike dhe destabilizim të situatës në Kosovë funksionalizimi i kësaj Gjykate?

Matoshi: Sigurisht që Gjykata Speciale do ta tronditë skenën politike. Pra, Kosova është në një “verë të nxehtë” për të cilën shteti duhet të mobilizohet që të krijojë strategji daljeje pa përplasje civile. Pra, duhet të sundojë jo emotiviteti që i shquan kosovarët, porse rezoni shtetëror! Gjykata Speciale po ashtu është në sfond të të gjitha agjendave që i ka Kosova në këto dy vjetët e fundit. Mund të sjellë rreziqe, prandaj qytetaria dhe të zgjedhurit e tyre duhet të mendojnë tri herë e të veprojnë një herë. Paqja qytetare dhe Republika si projekt i përhershëm i kosovarëve dhe e arritura më kulmore e nacionalizmit shqiptar duhet ruajtur me çdo çmim.

Zëri: Është thënë së fundmi së mosratifikimi i Demarkacionit dhe mosformimi eventual i ushtrisë mund ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, si e komentoni ju këtë?

Matoshi: Kosova edhe ashtu është në vit zgjedhor. Në vjeshtë mbahen zgjedhjet vendore, prandaj do të shtohen kërkesat që të shkohet njëkohësisht edhe me zgjedhje të parakohshme nacionale, sidomos nëse Qeveria nuk arrin ta ratifikojë Demarkacionin dhe “ta ndërtojë” Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe si zotime shtetërore. Atëherë duhet një kontratë e re me shtetasit, pra zgjedhjet e parakohshme mund të prodhojnë ndonjë konstelacion të ri forcash politike që i kalon këto dy sfida. Sepse pushteti me këto dy tema i ka mbajtur peng qytetarët e Kosovës (që edhe ashtu janë vënë në geto nga BE-ja) duke e shpenzuar legjitimitetin e vet.

Pra, këto dy çështje duhet të adresohen shpejt së bashku me dënime të shkallës së prerë të të korruptuarve nga majat e pushtetit.