Shefit të AKI-së i kërkohet raportimi për 'Syrin e Popullit' dhe tentim-vrasjen ndaj Azem Vllasit

Aktuale March 17, 2017 - 19:42

Drejtori i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi pritet që javën e ardhshme të raportojë para Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së rreth tentim-vrasjes ndaj avokatit, Azem Vllasit dhe “Syrit të Popullit”, organizata e udhëhequr nga Murat Jashari.

Nënkryetari i këtij Komisioni, Rrustem Berisha ka thënë për “Indeksonline” se anëtarët e këtij komisioni do t’i kërkojnë kreut të Inteligjencës që tu jap informacione zyrtare rreth këtij rasti. Shqetësuese për deputetin e AAK-së është edhe deklarimi për listën e 26-personave për likuidim, e bërë nga organizata e personit që tentoi ta vriste avokatin Vllasi. 

“Po, sigurisht se do ta ftojmë për mu informu javën që vjen dhe do të marrim iniciativën që të marrim më shumë informacione lidhur me rastin.  Sidoqoftë, askush kurrkujt s’ka të drejtë me ja marrë jetën apo me bo lista për me ja marrë jetën. Kjo është e tepruar, por mbetet t’i shohim informacionet zyrtare dhe kushdo që e ka bërë mendojë se është gabim”, ka thënë ai.

Edhe anëtarja tjetër e këtij komisioni, Melihate Tërmkolli ka konfirmuar se do t’i kërkohet shefit të Intelgjencës të raportojë rreth këtij rasti.

“Besojë se javën e ardhshme ne si Komision të ulemi të bisedojmë. Këto janë raste shumë të rënda pasi gjithsecili donë të dijë për sigurinë e vendit. Duhet të kemi njoftime rreth këtij rasti”, ka thënë shkurt ajo.

Ndryshe, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës ka apeluar institucionet përgjegjëse në vend që të merren me rastin në fjalë. “I kemi parë ato raportime por konsiderojmë se kjo është çështje për autoritetet e Kosovës”, ka thënë për “Indeksonline”, zëdhënësja e SHBA-ve në Prishtinë, J. Michelle Schohn.

Vlen të theksohet se Murat Jashari ishte personi që të hënën në mëngjes tentoi ta vriste Vllasin. Madje, ky person ka pranuar para Policisë së Kosovës se është udhëheqës i “Syrit të Popullit”, organizatë që në statutin e saj ka për qëllim eliminimin “tradhtarëve të popullit”.

Në këtë debat është përfshirë edhe presidenti i vendit, Hashim Thaçi.  Gjatë një emisioni televiziv, ai ka thënë se ka parë listën e personave të cilët kjo organizatë, sipas tij terroriste, ka lidhje me agjentura të ndryshme të cilat janë të lidhura direkt në Moskë.

“Në listë janë 26 njerëz të cilët, sipas kësaj organizate terroriste, duhet të ekzekutohen. Aty janë liderë të ndryshëm politikë të Kosovës, bartës të luftës së fundit, gazetarë, opinionistë e komandantë të ndryshëm të luftës”, ka deklaruar ai.