Loja e Thaçit me ushtrinë

Aktuale March 16, 2017 - 08:18

Përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politikë thonë se paralajmërimi i presidentit Thaçi për dorëheqje nëse ushtria nuk votohet në Kuvend është vetëm një lojë e tij, pasi që, siç thonë ata, ushtria është një “kartë e fortë” e tij për dallim nga dëmet që i bëhen vendit me Demarkacionin dhe Asociacionin

Zotimi i presidentit Hashim Thaçi për të dhënë dorëheqje po qe se nisma e tij për krijimin e ushtrisë nuk përkrahet nga Kuvendit konsiderohet të jetë vetëm një lojë e tij.

Kjo deklaratë madje nuk mund të cilësohet si një premtim i vërtetë.

Kështu së paku vlerësojnë përfaqësuesit e partive opozitare në Kosovë, të cilët thonë se presidenti do të duhej të jepte dorëheqje qysh moti për çështjen e demarkacionit, Asociacionit e çështjeve të tjera në kohën sa ishte shef i ekzekutivit.

Nga ana tjetër, njohësit e çështjeve politike në Kosovë konsiderojnë se deklarata e Thaçit për dorëheqje ka ardhur si tentim për ta shpërlarë veten nga të gjitha dështimet e tjera të tij.

Ata madje thonë se presidenti tenton të jetë mjeshtër i zhvendosjes së vëmendjes, duke krijuar procese të heroizmave siç është rasti me ushtrinë.

Selimi: Thaçi do të duhej të dorëhiqej për Demarkacionin e “Zajednicën”

Deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi, ka vlerësuar për “Zërin” se deklarata e Thaçit për dorëheqje nuk mund të merret si e vërtetë.

“Deklaratat e Thaçit asnjëherë nuk i marrim si premtim për të vërtetën. As deklaratën e dorëheqjes nuk e marrim si të tillë. Madje edhe nuk i kemi bërë analizë sepse ka qenë krejt hipokrite. Ai vetëm dorëheqjen nuk e njeh”, ka deklaruar ai.

Sipas Selimit, e tërë ajo çfarë po bën presidenti është vetëm një lojë, pasi që, ashtu si ai është shprehur, Thaçi do të duhej të dorëhiqej për çështje të tjera.

“Ai duhet të jepte dorëheqje për shumë të këqija dhe telashe që ia ka shkaktuar Kosovës siç është Demarkacioni me Malin e Zi, ‘Zajednica’, korrupsioni ne institucione, implikimet e tij në krimin e organizuar, etj. Krejt ajo çfarë po bën ky njeri me FSK-në po duket se është një aventurë dhe një lojë e rrezikshme”, ka potencuar Selimi.

Madje ai është shprehur i bindur se Thaçi nuk do të japë dorëheqje.

Lekaj: Ushtria është dashur të krijohet para katër vjetëve

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj, ka vlerësuar se deklarata të tilla sikur ajo e dorëheqjes janë dëgjuar shpesh nga Hashim Thaçi. Por sipas tij, ushtria do të bëhet jo pse Thaçi është duke dashur.

“Të tilla deklarata deri në ‘blof’ jemi mësuar të shohim, të dëgjojmë e të lexojmë nga Hashim Thaçi. Prandaj, edhe këtë për ushtrinë e shohim të tillë. Ushtria do të bëhet sepse e ka kohën e fundit e jo pse Hashim Thaçi ‘kërcënon’ me dorëheqjen e tij”, ka deklaruar ai.

Sipas Lekajt, ushtria do të duhej të krijohej shumë më herët në formën që po pretendohet të krijohet tash.

“Ushtria e Kosovës është dashur të jetë siç po pretendojmë sot qysh para katër vjetëve dhe janë partnerët e sotëm të pushtetit që e kanë pamundësuar dhe prandaj askush s'do të mund t'i fshihet së vërtetës”, ka theksuar ai.

Ndërkaq sekretari i përgjithshëm i “Nismës për Kosovën”, Bilall Sherifi, ka thënë se ka dilema sa i përket nismës së Hashim Thaçit për krijimin e ushtrisë, porse, sipas tij, aktualisht është e rëndësishme që një gjë e tillë të realizohet.

“Së pari, ushtria e Kosovës duhet të bëhet. Këtu nuk ka dilemë. Të gjitha forcat politike janë të njëzëri sa i përket kësaj çështjeje. Ndërsa, sa i përket iniciativës konkrete të z. Thaçi kam dilemat e mia mbi arsyet dhe motivet e tij, por tani kjo nuk ka rëndësi në këtë moment”, ka deklaruar ai.

Beqaj: Ushtria, arsyetim për dështimet

Nga ana tjetër, politologu Belul Beqaj ka vlerësuar se presidenti aktual, Hashim Thaçi, është i vetëdijshëm se shqiptarët janë për formimin e ushtrisë.

“Mes atyre liderëve që ëndërrojnë të ‘vdesin në karrige’ është edhe z. Hashim Thaçi. Ai është i vetëdijshëm se shqiptarët për shkak të përvojës së keqe shekullore, veçmas me serbët, unanimisht janë për formimin e ushtrisë”, ka deklaruar ai për “Zërin”.

Andaj, sipas tij, pikërisht për këtë arsye Thaçi po do që ta lajë veten nga të gjitha dështimet me anë të kësaj “dorëheqjeje”.

“Prandaj, për këtë arsye dëshiron për ta shpërlarë veten për të gjitha dështimet përmes këtij akti. Mendoj se ky është një moment i rëndësishëm që partnerët e koalicionit dhe veçmas ‘Vetëvendosja’ t’i rishikojnë pozicionet e veta karshi këtij qëndrimit të bashkësisë ndërkombëtare, duke mbështetur strategjinë e krijimit të ushtrisë pikërisht ashtu siç parasheh Kushtetuta dhe si po deklarohen miqtë ndërkombëtarë e jo si po kërkon për arsye personale z. Thaçi”, ka shtuar ai.

Kurse ka konsideruar se në këtë mënyrë mund të krijohet një raport i ri i bashkëpunimit  të opozitës, e cila është shikuar me neveri nga miqtë ndërkombëtarë pa cenuar interesin strategjik të sigurisë.

“Pra, duhet taktika kundërkushtetuese e z. Thaçi të jetë dytësor karshi strategjisë kushtetuese të bashkësisë ndërkombëtare për formimin e Ushtrisë ngase KFOR-NATO-ja do të jenë në Kosovë derisa Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s, deshën apo jo qytetarët e Kosovës dhe Serbia”, ka theksuar Beqaj.

Abazi: Kosova me çfarëdo ushtrie pa përkrahjen e NATO-s është zero

Ndërkohë, njohësi i çështjeve politike Haki Abazi ka vlerësuar se qe tetë vjet Kosova është përballur me dështime të shumta, porse njerëzit si presidenti Thaçi janë të paprekshëm.

“Dështimet e tetë vjetëve të fundit janë më se evidente, por ato që e kanë sjellë qytetarin në mjerim janë vështirë të mbulueshme. E para, që para ligjit Thaçi dhe njerëzit e tij të klanit ‘Pronto’ janë të paprekshëm, izolimi i Kosovës, mospërmbushja e premtimit për lëvizje të lirë, dialogu me rezultate negative dhe me bllokim të mëtutjeshëm”, ka deklaruar ai.

Abazi më tutje konsideron se Thaçi është duke e zhvendosur qëllimisht vëmendjen me akte të tilla “heroike” të dorëheqjes.

“Thaçi mendon se është mjeshtër i zhvendosjes së vëmendjes duke krijuar procese të heroizmave sikur që është ky me ushtrinë. Kosovës nuk i duhet ana kozmetike e procesit politik të bërjes së ushtrisë, por përmbajtja e institucioneve”, ka shtuar ai.

Ndërkohë ka konsideruar se Kosova me çfarëdo ushtrie pa përkrahjen e NATO-s do të ishte një zero.