Këshilltari i Kryeministrit: Ushtria dhe partneriteti me SHBA-në kanë vlerë të barabartë

Aktuale March 13, 2017 - 22:03

Kosova dhe Qeveria e saj e duan formimin e ushtrisë së vendit, por po aq e duan ruajtjen e partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë, ka thënë, Besnik Berisha, këshilltari i kryeministrit të Kosovës.

“Jemi unik që duhet të formohet ushtria, por edhe të ruhet partneriteti me SHBA-në. Për aq sa e duam ushtrinë, po aq e duam miqësinë me SHBA-në dhe nuk bëjmë kompromis me asnjërën prej tyre”, ka thënë Berisha për Klan Kosova.

“Në Kosovë nuk krijohet ushtri për t’iu kundërvënë NATO-s, por ushtria është synim që do të jetë një ushtri aleate e NATO-s. Të tre liderët, Mustafa, Veseli dhe Thaçi, janë të interesuar për ushtri, por jo një ushtri që na divorcin nga aleatët. S’e kanë qëllim krijimin e një ushtrie që do të na izolonte”.

Berisha pohoi se amerikanët, por edhe aleatët tjerë ndërkombëtarë të Kosovës, janë në përkrahje të plotë të formimit të ushtrisë së Kosovës, por vetëm mund të ketë dilema rreth modaliteteve.

“Kemi përkrahjen e shumicës dhe me sa di unë; SHBA asnjëherë nuk ka qenë kundër formimit të ushtrisë, por flitet për modalitet, është kërkuar që të shterohen mundësitë”, pohoi ai.

Avokati shtoi se për ligjin për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri ka pasur koordinim të plotë në mes të Hashim Thaçit, Isa Mustafës e Kadri Veselit.

“As institucioni i Presidentit, as i Kryeministrit dhe Kryeparlamentarit nuk bëjnë gjëra kokë në vete në raport me vendime madhore për vendin, – iniciativat pleqërohen para se të kalojnë në opinion”.

Por, Berisha shtoi se  “kryeministri ka punuar fuqishëm që të kemi një ligj për ushtrinë”.

Ai ka deklaruar edhe se s’ka nevojë për urgjencë në trajtimin e ligjit të iniciuar nga presidenti.

“Është një afat brenda 30 ditësh, por se kur do të ndodhë procedimi nuk e di ende, urgjencë nuk ka dhe ne nuk na është dërguar një kërkesë e veçantë për ta trajtuar me urgjencë”.