Lenjani: Vllasi ka thyerje të shpatullës, nuk ka nevojë për operacion

Aktuale March 13, 2017 - 12:18

Drejtori i Klinikës Emergjente,Basri Lenjani, në konferencën e mbajtur për media ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen dhe trajtimet mjekësore të avokatit Azem Vllasi.

Ai ka treguar që i janë dhënë të gjitha shërbimet e nevojshme mjekëse dhe tani Vllasi është jashtë rrezikut për jetë.

“ I lënduari është trajtuar në klinikën emergjente. Janë marrë masat diagnostike, laboratorike, radiologjike dhe janë bërë konsultimet në nivel të specialisteve nga lëmit e lëndimeve të caktuara dhe për momentin i lënduari  pas trajtimit mjekësor dhe diagnostifikimit nga Klinika Emergjente transferohet në Klinikën e Traumatologjisë për trajtim të mëtutjeshëm”, ka thënë Lenjani.

Vllasi ka pësuar lëndim në shpatull, por sipas Lenjanit, nuk është planifikuar që të bëhen ndërhyrje operative. Sipas tij, po merren masa që gjendja e tij të mbahet nën kontroll.

“ Sa i përket lëndimit bëhet fjalë për një lëndim në regjionin e shpatullës dhe thyerje të shpatullës. Nuk ka gjakderdhje e cila mund ta komprometoj gjendjen e pacientit. Ka vetëm një vrimë hyrëse,  plumbi nuk ka vrime dalëse dhe ekspertet e klinikës emergjente nuk kanë planifikuar që të bëhet ndërhyrje operative. Pritet të observohet edhe gjashtë orët e ardhshme dhe të merret konfirmimi zyrtar për marrjen e masave mjekësore”, ka thënë Lenjani.

Ne kemi provuar të flasim edhe me avokatin Azem Vllasi, mirëpo për shkak të gjendjes emocionale ai nuk ka pranuar të flas.

Avokati Azem Vllasi është plagosur sot rreth orës 8:00 të mëngjesit në zyrën e tij në Prishtinë. /Zeri/

Image
Image
Image