Këshilli i NATO-s me vendim unanim për ushtrinë

Aktuale March 13, 2017 - 07:45

Një zyrtar i lartë i NATO-s i ka deklaruar gazetës “Zëri” se propozimet e fundit për ushtrinë janë të padobishme dhe, sipas tyre, i mbetet Këshillit të Aleancës Veriatlantike që të marrë një vendim unanim politik rreth mënyrës së bashkëpunimit të mëtutjeshëm me FSK-në

Ndërrimi i misionit të FSK-së pa ndryshimet e nevojshme kushtetuese nuk do t’i kontribuojë paqes dhe situatës së sigurisë në rajon, e cila ka shënuar progres viteve të fundit përmes dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Kështu ka thënë një zyrtar i lartë i NATO-s për gazetën “Zëri”, duke folur rreth propozimit të presidentit Thaçi që FSK-ja të shndërrohet në ushtri pa ndërruar Kushtetutën.

Sipas po këtij zyrtari, NATO-ja është e interesuar që ta vazhdojë bashkëpunimin dhe ndihmën ndaj FSK-së, mirëpo nëse propozimi i presidentit Thaçi do të vazhdojë përpara, atëherë ata do ta rishikojnë nivelin e përkushtimit të tyre.

E në Kosovë ish-ushtarakët, tani deputetë në Kuvendin e Kosovës, vlerësojnë se për të mirën e Republikës çdo hap në drejtim të transformimit të FSK-së të jetë në bashkëveprim me partnerët strategjikë.

Ndërkohë, presidenti Thaçi, si nismëtar i këtij procesi, nuk ka lëshuar pe nga iniciativa e tij. Ai dje ka falënderuar të gjitha komunitetet e tjera joserbe për përkrahjen rreth Ligjit për FSK-në.

“Deputetët dhe përfaqësuesit të komunitetit turk, boshnjak, rom, ashkali, egjiptian dhe malazez, të gjithë mbështetin Ligjin për FSK-në. Faleminderit!”, ka shkruar presidenti Thaçi në “Twitter”. 

NATO: Nëse vazhdohet me këtë nismë, do ta rishikojmë pozicionin tonë

“Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka folur me presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin Isa Mustafa javën e kaluar dhe u ka bërë të qartë që aleatët e NATO-s janë seriozisht të shqetësuar për këtë iniciativë”, kështu ka thënë zyrtari i lartë i NATO-s për gazetën “Zëri”, duke rikonfirmuar edhe një herë shqetësimin që Aleanca Veriatlantike ka për formimin e ushtrisë së Kosovës pa ndryshimet kushtetuese.

Sipas këtij zyrtari, FSK-ja është një storie suksesi e NATO-s në Ballkan dhe duhet të mbetet një burim i stabilitetit në rajon.

“Në vitet e kaluara NATO-ja ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si forcë profesionale dhe multietnike. Forca e Sigurisë së Kosovës është një histori suksesi për përpjekjet e NATO-s në ngritjen e kapaciteteve në Ballkan. Autoritetet kosovare kanë çdo interes në ndërtimin e tyre në bazë të asaj që tashmë është arritur dhe për të siguruar se Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet një burim i stabilitetit rajonal”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Megjithatë, sipas tij, ndryshimi i mandatit të FSK-së do të dëmtonte progresin e arritur në rajon përmes dialogut Beograd – Prishtinë.

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është kritik për paqen dhe sigurinë në rajon. Ne kemi parë progres në normalizimin e situatës së sigurisë në vitet e fundit. Një ndryshim eventual në mandatin e FSK-së pa ndryshimet kushtetuese do të ishte i dëmshëm për progresin e arritur”, ka thënë ai.

Megjithëkëtë përmes këtij zyrtari, NATO-ja ia ka bërë të qartë edhe një herë FSK-së që nëse dëshiron të ketë bashkëpunim të mëtutjeshëm me NATO-n, atëherë mandati i saj nuk duhet të ndryshojë në këtë mënyrë.

“Struktura, mandati dhe misioni i FSK-së janë çështje për institucionet lokale në Kosovë në akord me Kushtetutën e tyre. Autoritetet në Prishtinë e kanë bërë të qartë se ata dëshirojnë që FSK-ja të vazhdojë të punojë me ne. Sidoqoftë, nëse mandati i FSK-së evoluon në mënyrën se si është propozuar, NATO-ja do të duhet që ta rishikojë nivelin e saj të përkushtimit, në veçanti në termet e ndërtimit të kapaciteteve”, ka thënë zyrtari i lartë i NATO-s për “Zërin”.

Mirëpo, ai ka treguar se në fund të fundit i mbetet Këshillit të Aleancës Veriatlantike që të marrë një vendim unanim politik rreth kësaj çështjeje dhe mënyrës së bashkëpunimit të mëtutjeshëm.

Ai ka shtuar se pavarësisht iniciativës, nuk është ende vonë që NATO-ja dhe FSK-ja të vazhdojnë të punojnë në mënyrë pragmatike.

Zyrtari i NATO-s ndërkohë ka thënë se propozimet e fundit nga autoritetet kosovare për ta transformuar FSK-në në një forcë të armatosur pa ndryshimet kushtetuese do të ishte e padobishme edhe për normalizimin e situatës së sigurisë në mes të Prishtinës dhe Beogradit.

“Është me rëndësi që të mos lejohet asnjë tension ta pengojë procesin e normalizimit të situatës së sigurisë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Propozimet e fundit nga autoritetet kosovare për ta transformuar FSK-në në një forcë të armatosur pa ndryshimet kushtetuese nuk do t’i ndihmonin këtij procesi dhe do të ishin të padobishme”, ka thënë zyrtari i NATO-s.

Krejt në fund ai ka vlerësuar se është me rëndësi që t’i vazhdojnë përkushtimet të cilat çojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, në mënyrë që njerëzit e të gjithë rajonit të kenë të ardhme më të mirë.

“Sekretari gjeneral mbetet në kontakt të afërt me homologët e tij në Bashkimin Evropian rreth kësaj çështjeje. Propozimet e fundit nga autoritetet kosovare për të transformuar FSK-në në një forcë të armatosur pa ndryshimet kushtetuese do të ishin të padobishme”, ka përfunduar ai.

Quni: Të jemi në koordinim me partnerët strategjikë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Anton Quni, ka thënë se deklaratat e sekretarit të NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së duhen kuptuar drejt.

Sipas tij, vendimet e njëanshme të autoriteteve të Republikës së Kosovës duke e transformuar FSK-në jashtë dispozitave kushtetuese nuk janë të pranueshme për partnerët strategjikë.

“Deklaratat e sekretarit të NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së duhen kuptuar drejt dhe shumë miqësore”, ka thënë Quni.

“Vendimet e njëanshme të autoriteteve të Republikës së Kosovës duke e transformuar FSK-në jashtë dispozitave kushtetuese nuk janë të pranueshme për partnerët strategjikë, por të njëjtit e shprehin gatishmërinë që të ndihmojnë në transformimin e FSK-së në FAK, gjithnjë në partneritet të sinqertë si nevojë e gjeostrategjive, gjithnjë brenda Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, ka thënë Quni.

Madje Quni ka thënë se SHBA-ja ka gatishmëri që të punojë me komunitetin serb në Kosovë në mënyrë që edhe ata të jenë më konstruktiv në këtë çështje.

“Së këndejmi, gatishmëria e SHBA-së që të punojë edhe me komunitetin serb që të jenë konstruktivë në këtë çështje është mundësi e mirë për të ardhmen e FAK-ut, si forcë profesionale dhe e pakontestueshme”, ka thënë Quni.

Krejt në fund ai ka nënvizuar se për të mirën e Kosovës ndërrimi i misionit të FSK-së në ushtri të Kosovës duhet të bëhet në çdo hap në koordinim me partnerët e Kosovës.

“Për të mirën e Republikës së Kosovës në përgjithësi është mirë që nga ky moment çdo hap në drejtim të transformimit të FSK-së të jetë në bashkëveprim dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët strategjikë”, ka përfunduar Quni.

Qehaja: Mos e pritni “aminin” nga NATO-ja

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë për “Zërin” se Kosova nuk ka pasur rrugëdalje tjetër në këto kushte.

Sipas tij, krijimi i ushtrisë në mënyrë “të njëanshme” asnjëherë nuk do ta merrte “aminin” e ndërkombëtarëve, por ajo duhet të bëhet.

“Unë mendoj se nuk ka rrugëdalje tjetër. Nuk do të vijnë ndërkombëtarët dhe të na thonë filloni ju, krijoni ushtrinë tuaj”, ka thënë Qehaja.

Sipas tij, Kosova nuk mund të presë më e as të mbetet peng i askujt.

“Mos prisni nga NATO-ja që të thotë ‘Po, krijojeni ushtrinë’. Në kuadër të NATO-s janë katër shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. NATO-ja punon me Rezolutën 1244”, ka shtuar eksperti Qehaja.

Megjithëkëtë, sipas ish-gjeneralit kjo nismë e autoriteteve kosovare është shumë e qëlluar.

“Unë kujtoj që është mirë të paktën një herë ta mbajmë në mend se kemi nisur diçka të vetëm, qoftë edhe hap i gabuar. Edhe pse unë mendoj se ky vendim nuk është i gabuar, sepse nuk kemi tjetër rrugëdalje”, ka thënë ai.

Qehaja ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare dhe Serbia nuk duhet të shqetësohen për këtë hap të Kosovës.

“Ne jemi të interesuar që FSK-ja të marrë detyra shtesë ushtarake, për çështje të vetëmbrojtjes e jo siç po thotë Beogradi për destabilizim dhe çështje ofensive sepse as nuk kemi mundësi dhe as nevojë për to”, ka përfunduar Qehaja.