NATO-ja, 'bllok' FSK-së!

Aktuale March 10, 2017 - 08:06

Një zyrtar i lartë i NATO-s i ka deklaruar gazetës “Zëri” se nëse mandati i FSK-së evoluon në mënyrën siç është propozuar nga presidenti Hashim Thaçi, atëherë Aleanca Veriatlantike do të duhej ta rishikojë nivelin e përkushtimit të saj ndaj kësaj Force, veçanërisht në termet e ndërtimit të kapaciteteve

NATO-ja do ta rishikojë përkushtimin e saj ndaj FSK-së, në veçanti sa i përket ndërtimit të kapaciteteve, nëse mandati i saj evoluon në mënyrën se si është propozuar nga lidershipi kosovar. Kështu i kanë thënë zyrtarët e NATO-s gazetës “Zëri” në një prononcim gjatë ditës së djeshme. Dhe insistimi i bërjes së ushtrisë nëpërmjet një ligji të ri e jo me amendamentim kushtetues rrezikon që Kosovës t’ia cenojë raportet edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të paktën kështu kanë vlerësuar njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare në vend. Megjithëkëtë, ka edhe të atillë që përkrahin iniciativën e presidentit Hashim Thaçi për ushtrinë. Sipas ekspertëve të sigurisë, ky është një veprim i duhur i institucioneve kosovare dhe rrugëdalja e vetme.

Ndërkohë, në Presidencë edhe një herë kanë ripërsëritur se transformimi i FSK-së nuk duhet të përbëjë shqetësim për askënd, më së paku për partnerët ndërkombëtarë. Megjithatë, shqetësim ky fakt duket se po përbën për fqinjin verior - Serbinë. Presidenti i Serbisë, Tomislav Nikoliq, dje ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare. 

NATO-ja: Nëse propozimi vazhdon, do ta rishikojmë përkushtimin tonë

NATO-ja nuk mbështet ndërrimin e misionit të FSK-së në mënyrën se si është propozuar. Sipas kësaj organizate, nëse Kosova insiston në propozimin e deritanishëm, atëherë kjo organizatë do ta rishqyrtojë përkushtimin e saj ndaj FSK-së. “Ne dëshirojmë të punojmë në mënyrë pragmatike me FSK-në. Mirëpo nëse mandati i FSK-së evoluon në mënyrën se si është propozuar, atëherë NATO-ja do të duhej ta rishikojë nivelin e përkushtimit të saj ndaj kësaj Force, veçanërisht në termet e ndërtimit të kapaciteteve”, ka thënë zyrtari i NATO-s për gazetën “Zëri”.

Ndërkohë po i njëjti zyrtar ka shtuar se anëtarësimi në NATO është më shumë sesa një përmbushje e aranzhimeve teknike ushtarake. Kështu i ka thënë gazetës “Zëri” zyrtari për informim e NATO-s.  
“Anëtarësimi në NATO ka të bëjë me bashkimin në një komunitet të qëndrueshëm të kombeve demokratike të dedikuara për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”, ka thënë ai. Ai më pas ka treguar se kur një vend do ta fitonte ftesën nga Aleanca për t’iu bashkuar atyre. “Neni 10 i Traktatit të Uashingtonit e bën të qartë, një ftesë për t’u bashkuar me Aleancën bazohet në marrëveshje unanime nga aleatët se një aspirant është ‘në gjendje t’i çojë më tej parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut’”. Sipas këtij zyrtari, nuk ka një model të vetëm për strukturën e përgjithshme ushtarake të vendeve që aspirojnë për anëtarësim në NATO, pasi çdo vend aspirant është i ndryshëm. “Për shembull, Islanda është një anëtar themelues i NATO-s dhe Islanda nuk ka forca të armatosura”, ka përfunduar ai.

Qehaja: Nuk ka rrugëdalje tjetër

Njohësi i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja, ka thënë se Kosova nuk ka pasur rrugëdalje tjetër në këto kushte. “Unë mendoj se nuk ka rrugëdalje tjetër. Nuk do të vijnë ndërkombëtarët dhe të na thonë filloni ju, krijoni ushtrinë tuaj”, ka thënë Qehaja. Sipas tij, Kosova nuk mund të presë më e as të mbetet peng i askujt. “Mos prisni nga NATO-ja që të thotë ‘Po, krijojeni ushtrinë’. Në kuadër të NATO-s janë katër shtete që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. NATO-ja punon me Rezolutën 1244”, ka shtuar eksperti Qehaja. Megjithëkëtë, sipas ish-gjeneralit kjo nismë e autoriteteve kosovare është shumë e qëlluar. “Unë kujtoj që është mirë të paktën një herë ta mbajmë në mend se kemi nisur diçka të vetëm, qoftë edhe hap i gabuar. Edhe pse unë mendoj se ky vendim nuk është i gabuar, sepse nuk kemi tjetër rrugëdalje”, ka thënë ai. Qehaja ka thënë se Bashkësia Ndërkombëtare dhe Serbia nuk duhet të shqetësohen për këtë hap të Kosovës. “Ne jemi të interesuar që FSK-ja të marrë detyra shtesë ushtarake, për çështje të vetëmbrojtjes e jo siç po thotë Beogradi për destabilizim dhe çështje ofensive sepse as nuk kemi mundësi dhe as nevojë për to”, ka përfunduar Qehaja.

 Rohan: Kosova ka ushtrinë e saj, FSK-në

Ish-zëvendësndërmjetësi i OKB-së në bisedimet për statusin e Kosovës, Albert Rohan, ka thënë dje se “Forca e Sigurisë së Kosovës është realisht ushtria e Kosovës”. Sipas tij, çfarëdo ndryshimi rreth saj duhet bërë brenda kuadrit kushtetues.

Projektligji i është kaluar Qeverisë së Kosovës, ndërkohë shkaktoi reagimin e fuqishëm të NATO-s dhe të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, që kundërshtuan, siç thanë, “veprimet e njëanshme”. 
E Albert Rohan, në një intervistë për radion “Evropa e Lirë”, tha se “FSK-ja kufizimin e vetëm e ka në numrin e pjesëtarëve dhe armatimin e rëndë”.

“Forca e Sigurisë së Kosovës është një ushtri. Kufizimi i vetëm është në numrin e saj dhe në pajisjet e rënda. Nuk e di se çfarë duhet të ndryshojë në konceptin dhe mandatin e kësaj Force. Në çfarëdo rasti, mund të ndryshohet vetëm brenda procedurave të ligjit të Kosovës dhe të Kushtetutës", ka thënë ai.
Megjithatë, dje kundër dhënies së kompetencave shtesë për FSK-në u shpreh edhe ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Børge Brende. Ai u ka bërë thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mos e procedojnë Projektligjin për Ushtrinë.

“U bëj thirrje autoriteteve të Kosovës që të përmbahen nga transformimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në një forcë të armatosur pa një ndryshim kushtetues dhe një proces politik gjithëpërfshirës”, ka thënë ministri i Jashtëm, Børge Brende.

 Çollaku: NATO-ja dhe Perëndimi të mos shqetësohen

Shefi i stafit të presidentit të Kosovës, Bekim Çollaku, ka thënë se NATO-ja dhe partnerët perëndimorë duhet të shqetësohen me rritjen e ndikimit rus në Ballkan e jo për krijimin e ushtrisë së Kosovës. Ai ka thënë se transformimi i FSK-së nuk duhet të përbëjë shqetësim për askënd, më së paku për partnerët ndërkombëtarë. “Mesazhi për partnerët tanë të NATO-s dhe të Perëndimit është që të mos shqetësohen se çfarë po ndodh në Kosovë me këtë transformim të vogël dhe simbolik të shndërrimit të FSK-së në ushtri. Ata më shumë duhet të shqetësohen me rritjen e numrit të aeroplanëve ‘MIG’, të cilët po fluturojnë në hapësirën ajrore të Serbisë dhe për rritjen e ndikimit rus në Ballkan”, ka thënë Çollaku. Shefi i stafit të presidentit Thaçi ka thënë se në Ballkan shumë çështje kanë mbetur të pazgjidhura në mungesë të vizionit të BE-së, në mungesë të përshpejtimit të procesit të anëtarësimit të shteteve në BE dhe në NATO.

Do të cenohen raportet me SHBA-në

Vigan Qorrolli, profesor i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, ka vlerësuar se transformimi i FSK-së në ushtri duhet të bëhet në gjithëpërfshirje (të ketë pajtim edhe të komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera) jo vetëm t’i ndryshohet emri në Forca të Armatosura. Andaj, insistimi i bërjes së ushtrisë nëpërmjet një ligji të ri e jo me amendamentim kushtetues mund t’i cenojë raportet me ndërkombëtarët, veçanërisht me SHBA-në. “Edhe kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë është që ajo të bëhet me një gjithëpërfshirje dhe pa një gjithëpërfshirje sigurisht do të vijë deri te një cenim shumë serioz i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së”, ka deklaruar ai.

Qorrolli më tej ka konsideruar se duhet hequr dorë nga një mënyrë e tillë e të të bërit ushtri.

“Ideja që të kalohet me një ligj pa miqtë ndërkombëtarë, pa përkrahjen e atyre që na kanë ndihmuar në pavarësimin tonë është një ide jo e menduar mirë dhe prandaj duhet të hiqet dorë nga idetë e tilla të pakoordinuara me ta”, ka theksuar ai. Megjithëkëtë, profesori universitar ka thënë se ushtria duhet të krijohet patjetër, por duhet të krijohet në një fazë tjetër kur të plotësohen disa kushte sepse, ashtu si ai është shprehur, pa përkrahjen e SHBA-së dhe të NATO-s Kosova nuk mund ta bëjë ushtrinë asnjëherë.
Artan Murati, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), njëherësh njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka vlerësuar se çdo hap në drejtim të bërjes së ushtrisë duhet të bëhet në konsultim me institucionet vendore dhe ndërkombëtare. “Çdo iniciativë tjetër duhet të jetë mirë e koordinuar fillimisht mes institucioneve të Republikës së Kosovës, pra mes Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit e po ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar”, ka deklaruar ai. Sipas Muratit, është tejet me rëndësi që marrëdhëniet me ndërkombëtarët të mbesin në nivel të kënaqshëm. “Kosova synon anëtarësimin në NATO, si dhe është më se e rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e vet që raportet me SHBA-në dhe me BE-në të mbesin të nivelit më të lartë. Gjithsesi, institucionet e Kosovës duhet t’i kenë parasysh interesat dhe vullnetin e popullit, por njëkohësisht ta ruajnë partneritetin ndërkombëtar”, ka potencuar ai.

Nisma e presidentit e vonuar, aleatët të mos injorohen

Analisti politik, Agon Maliqi, ka vlerësuar se nisma e presidentit Thaçi për ta formuar ushtrinë është paksa e vonuar. “Nisma e presidentit Thaçi në parim është e mirëseardhur, në fakt e vonuar. Kosova prej kohësh duhej ta vendoste formimin e ushtrisë si njërin ndër prioritetet e agjendës sonë me bashkësinë ndërkombëtare”, ka deklaruar ai. Mirëpo sipas tij, ndërkombëtarët janë pak të pavëmendshëm ndaj kësaj çështjeje, porse reagimi i tyre nuk duhet injoruar assesi. “Bashkësia ndërkombëtare është pak e pavëmendshme ndaj këtij shqetësimi. Nuk mund të thuhet se insistimi për ta themeluar ushtrinë me ligj tani nuk ka edhe vlerë taktike, si formë presioni ndaj Listës Serbe për qasje më konstruktive në raport edhe me temat e tjera. Por reagimi i aleatëve nuk duhet injoruar”, ka shtuar ai.

Ndërkombëtarët nuk duhet të anojnë kah refuzuesit e shtetësisë

Drejtori i institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosova duhet ta ketë ushtrinë e saj dhe kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë është “e padrejtë”. “Partnerët ndërkombëtarë s’mund të kërkojnë nga Kosova pritje në pafundësi në formimin e ushtrisë. Partnerët ndërkombëtarë s’mund të anojnë kah refuzuesit e shtetësisë e edhe më pak të deklarojnë se për çështjen e ushtrisë duhet konsultuar me Beogradin”, ka thënë Abdixhiku. Sipas tij, koha e Beogradit në Kosovë është e vdekur. “Idetë e tilla janë të vdekura. Nëse ndërkombëtarët nuk janë në gjendje të garantojnë rrugën e transformimit kushtetues, atëherë duhet ta pranojnë transformimin ligjor. Rrugë tjetër s’ka”, ka shtuar ai. Sipas Abdixhikut, tani në këtë pikë shqiptarët duhet të jenë bashkë. “Mbi të gjitha, të sigurohen që nisma si këto të mos jenë kalkulime të gërditshme populliste, parazgjedhore e partiake nga individë që na dërgojnë në theqafje, por njëmend akte proaktive në plotësimin e shtetësisë”, ka përfunduar ai.

Nikoliqi mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare

Presidenti serb, Tomislav Nikoliq, ka thirrur një takim urgjent të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për ditën e hënë për të diskutuar rreth situatës në Kosovë.

“Ne do të përpiqemi për t’i parandaluar shqiptarët të shkatërrojnë çdo gjë që kemi arritur në Bruksel”, tha Nikoliq për “Kurir”-in. Ky reagim i Beogradit vjen pas zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe nisjes së procesit për formimin e ushtrisë.

Po ashtu Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën, përmes së cilës kërkohet lirimi i pakusht i kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe pezullimi i dialogut me Beogradin deri në përmbushjen e kësaj kërkese.