Thaçi: Së pari të mësojmë të vërtetën, pastaj të arrijmë pajtimin

Aktuale March 01, 2017 - 22:20
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shoqëria kosovare nuk mund të ndërtojë të ardhme më të mirë, nëse mbetet peng i së kaluarës.

Në takimin e dytë konsultativ të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, kreu i shtetit theksoi se është e nevojshme gatishmëria e të gjithëve për të punuar së bashku, për këtë nismë shumë të rëndësishme për Kosovën, për shoqërinë kosovare dhe për të ardhmen e saj.

Presidenti Thaçi tha gjithashtu se janë ngritur institucione e infrastrukturë e mirë dhe pothuajse janë zhdukur gjurmët fizike të luftës, por dhembja për humbjet e shkaktuara, për më të dashurit që janë vrarë apo nuk janë gjetur, nuk janë zhdukur.

Ndërsa, duke përpunuar idenë e komisionit, presidenti Thaçi theksoi se synimi i parë i tij do të jetë e vërteta. Sipas tij, ky forum do të krijojë një mekanizëm mbështetës për dialogun e brendshëm të hapur mes komuniteteve në Kosovë dhe nuk do të jetë zëvendësim i dialogut mes Kosovës e Serbisë në Bruksel, ai që duhet të sjellë pajtimin mes dy vendeve.