Ahmetaj merr mbështetje nga O’Conell për integrime evropiane

Aktuale February 28, 2017 - 12:40

 

Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj është takuar sot ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Ministrja Ahmetaj falëndëroi ambasadorin O’Connell për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme që ka ofruar Britania për Kosovën në zhvillimin e vendit dhe përkrahjen në arenën ndërkombëtare e në veçanti gjatë negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe për të avancuar në tërësi me agjendën evropiane.

Gjatë takimit , më në detaje u diskutua për zhvillimet në kuadër të procesit të Integrimit Evropian, zhvillimet aktuale nëpër të cilat po kalojnë institucionet dhe shoqëria e Kosovës me implementimin e MSA-së, proceset që ndërlidhen me agjendën evropiane të Kosovës, nga zhvillimi I politikave gjeostrategjike , zhvillimet në rajon dhe deri tek lëvizja e lirë e qytetarëve të Kosovës.

Njëkohësisht u diskutua edhe për debatin e djeshëm ku Parlamenti Evropian (PE) miratoi rezolutën për Kosovën që rikonfirmon përkrahjen për Kosovën dhe të ardhmen e saj në familjen evropiane si pjesë përbërëse e saj.

Ambasadori O’Connell i konfirmoi ministres përkrahjen e fuqishme të Britanisë së madhe për Kosovën në arenën ndërkombëtare dhe ritheksoi përkrahjen e Britanisë në procesin e shtetndërtimit dhe avancimit në marrëdhëniet e jashtme.

O’Connell poashtu theksoi se Britania edhe përkundër vendimit për dalje nga Bashkimi Evropian do të vazhdoj të përkrahë Kosovën dhe gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor në tërë procesin e reformave.