Vitin e kaluar u arrestuan 69 zyrtarë policorë

Aktuale February 28, 2017 - 12:25

Kryeshefi Ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Hilmi Mehmeti gjatë raportimit të tij në Komisionin për Punë të Brendshme dhe Siguri, ka bërë të ditur se gjatë vitit 2016 janë bërë 69 arrestime të zyrtarëve policorë.

Sipas tij, grada më e lartë e zyrtarëve policor që është hetuar nga ky institucion është grada e majorit.

Mehmeti gjithashtu ka bërë të ditur se përpos gradës së majorit, janë edhe disa zyrtarë me grada të tjera që janë duke u hetuar por nuk ka dhënë më shumë detaje.

Ai tutje ka theksuar se është paraparë që të rritet kapaciteti njerëzor brenda këtij Institucioni për 23 persona por që për një gjë të tillë nuk janë ndarë mjetet financiare.

“Çështja e parë për të cilën kërkojmë mbështetje është se është paraparë rritja e kapaciteteve njerëzore për 23 persona por nuk janë ndarë mjetet financiare”, ka thënë Mehmeti.

Kryeshefi i Inspektoratit Policor ka treguar edhe se mosha mesatare e inspektorëve është 35 vjet, derisa ka folur edhe për rekomandimet e Auditorit të Brendshëm./Telegrafi/