Islami: Kosova nuk ka humbur territor

Aktuale February 22, 2017 - 08:13

Komisioni për Matjen e Territorit të Kosovës, i formuar nga Qeveria e vendit, ka prezantuar draftraportin me të cilin konkludon se Kosova nuk ka humbur tokë me Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Sipas matjeve të këtij Komisioni, Kosova ka sipërfaqe prej 10905.25 kilometrash katrorë.

Megjithatë, prezantimi i gjetjeve të këtij Komisioni nuk ka ulur tensionet pushtet – opozitë në lidhje me këtë çështje.

Qeveria e ka përshëndetur punën e këtij Komisioni, ndërsa subjektet opozitare e vlerësojnë të papranueshëm këtë komisionin dhe punën e tij.

Kryetari i këtij Komisioni, Hivzi Islami, njëherësh kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka thënë se në vitin 1981 Kosova kishte 10 887 kilometra katrorë, kurse nga viti 1982 – 2007 territori ishte 10 908 km2. 

“Por, në bazë të obligimeve ndërkombëtare që ka marrë shteti ynë, në radhë të parë me Planin e Ahtisaarit (Aneksi VIII) të 2 shkurtit 2007, me demarkacionin e kufirit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë (Serbia dhe Mali i Zi) dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë ka një ndryshim të vogël të sipërfaqes në zonat kadastrale të Debëlldesë (minus), Restelicës (minus) dhe Dimcës (plus), në kufi me Maqedoninë. Prandaj, madhësia territoriale e Kosovës sot është 10 905.25 km²”,ka deklaruar Islami.

Më tej ai ka thënë se ky Komision ka punuar për ta sqaruar të vërtetën rreth demarkacionit me Malin e Zi.

“Ne kemi punuar për të vërtetën, nuk kemi punuar për të krijuar konfuzion e as vazhdimin e shqetësimeve të opinionit. Këtë propozim e kam dhënë më 3 gusht, por nuk kanë lejuar që ta elaborojmë deri në fund. Ideja ime ka qenë të bëhet matja e territorit edhe e Malit të Zi. Krejt shpenzimet janë nga zyra koordinuese, unë kam fituar 0 euro. Na s’e kemi pranuar këtë përgjegjësi për ta thelluar krizën, ne i kemi qartësuar gjërat”, është shprehur Islami.

Kurse zëdhënësi i këtij Komisioni, Tomor Qela, ka thënë se është dëshmuar se disa nga lokalitetet që opozita pretendon se i takojnë Kosovës, në fakt janë pjesë e Malit të Zi.

“Çakorri gjendet në pjesën jashtë kufirit, pra jashtë territorit të Kosovës... Pjesa burimore e Lumbardhit të Pejës, Bjelluha, gjendet jashtë territorit apo i takon hapësirës administrative të Malit të Zi”, ka theksuar Qela.

Qeveria e Kosovës e ka përshëndetur publikimin e draftraportit për matjen e territorit të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka mirëpritur konstatimin e Komisionit se Republika e Kosovës nuk ka humbur asnjë metër territor me rastin e nënshkrimit të Marrëveshjes për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Qeverisë.

Edhe një anëtar i Komisionit del kundër

Brenda Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës ka pasur mospajtime që kanë çuar në përçarjen e këtij Komisioni.

Kështu në ditë para se të prezantohej ky raport ka dhënë dorëheqje anëtari i këtij Komisioni, gjeografi Fitim Humolli.

Ndërsa kryetari i Komisionit, Hivzi Islami, ka deklaruar se profesori Fitim Humolli ka qenë instrument i opozitës. Madje, sipas Islamit, Komisioni ka qenë në dijeni për dorëheqjen e Humollit që nga dita e parë e punës, ndonëse ajo është ofruar në ditën e fundit.

“Ai ka pasur një detyrë tjetër. Një detyrë më shumë të postierit. Vetë nuk vinte që t’i qartësojë problemet”, është shprehur Islami.

Pas publikimit të këtij raporti edhe anëtari tjetër i Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës, Agron Luta, ka dalë kundër këtij Komisioni duke u thënë gazetarëve se për të raporti është i papranueshëm në aspektin profesional.

Opozita nuk i pranon gjetjet e Komisionit

Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, ka thënë se qysh në fillim ka qenë e ditur se cilat do të jenë përfundimet e Komisionit për Matjen e Territorit të Kosovës.

Ajo më tej ka thënë se kryeministri, Isa Mustafa, në vend të reflektimit vendosi të krijojë komisione për ta legjitimuar tradhtinë që e bëri Hashim Thaçi më 26 gusht të vitit 2015.

“Mënyra se si u krijua ky komision, anëtarët që u zgjodhën, konkretisht kreu i këtij Komisioni, Hivzi Islami, një servil e njëri i nënshtruar karshi Mustafës, flasin më së miri për të vërtetat e këtij Komisioni. Këtë e dëshmojnë edhe deklarimet e dy anëtarëve të Komisionit. Është e turpshme, e dhimbshme, madje për ne e papranueshme të tentohet manipulimi me opinionin publik dhe të thuhet se Çakorri është jashtë territorit të Kosovës, tashmë kur secili fakt i publikuar e parasheh Çakorrin përbrenda territorit tonë, kjo është dëshmuar me qindra herë”, ka thënë Haxhiu.

Kurse shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, këtë Komision e ka quajtur marionetë të kryeministrit, që sipas Lekajt, ka pasur për detyrë ta legjitimojë planin e kreut të Qeverisë.

“Komisioni për Matjen e Territorit prej fillimit ka qenë një marionetë e Isa Mustafës që për detyrë ka pasur legjitimimin e planeve të tij për sakatosjen e territorit të Kosovës. Ata kanë qenë argatë të Isa Mustafës dhe e kanë kryer argatllëkun e tyre. Krejt Kosova e di këtë fakt. Këtë e dinë edhe anëtarët e këtij Komisioni, e di edhe Isa Mustafa dhe e dini edhe ju mediet. Ata janë kontraktuar për një punë të pistë dhe prandaj e kanë prodhuar një rezultat të pistë. Kisha dashur të them krejt kjo qoftë në ndërgjegjen e tyre, por ata njerëz nuk kanë as ndërgjegje”, ka shkruar Lekaj në profilin e tij në “Facebook”.