Apostolova: Politikanët e Kosovës e kanë çelësin për liberalizimin e vizave

Aktuale February 20, 2017 - 10:38

Nataliya Apostolova, përfaqësuesja speciale e Bashkimit Europian për Kosovën, ka përsëritur edhe një herë se liberalizimi i vizave për Kosovën është në dorë të vet politikanëve të Kosovës, prandaj ka bërë thirrjet që të plotësohen edhe dy kushtet e mbetura për marrjen e vizave – ratifikimi i demarkacionit dhe luftimi i korrupsionit, njofton Klan Kosova.

“Çelësin për liberalizimin e vizave e kanë politikanët e Kosovës. Agjenda europiane duhet të zbatohet nga qeveria e Kosovës; janë plotësuar 93 kushte nga gjithsejtë 95 sa janë. Ne insistojmë t’i mbushni edhe dy tjera – ratifikimin e Demarkacionit dhe luftimin e korrupsionit”, pohoi Apostolova, në fjalën e saj në Samitin e komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve të Europës, që po mbahet në Prishtinë.

Përfaqësuesja e BE-së ka përsëritur se “do të vazhdojmë t’i mbështesim vendet e Ballkanit” dhe se “nuk ka dyshim që Ballkani Perëndimor ka vetëm një të ardhme e ajo është në Bashkimin Europian”.

Apostolova ritheksoi edhe një herë rëndësinë e dialogut të Kosovës me Serbinë.

“Dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë. Ai (dialogu) është i rendësishëm edhe për Bashkimin Europian dhe jo vetëm për Ballkanin, sepse me dialog arrihet stabiliteti”.