Veseli në Samit: Kosova, faktor konstruktiv i paqes në rajon

Aktuale February 20, 2017 - 09:55

Nën organizimin e Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit të Republikës së Kosovës, po mbahet në Prishtinë, Samiti i komisioneve për punë të jashtme të parlamenteve të shteteve të Europës.

Në fillim të këtij Samiti ka folur kryetar i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli.

Veseli ka falënderuar pjesëmarrësit nga shtetet e ndryshme europiane për mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë Kosovës ndërsa ka siguruar ata se Kosova është e vendosur në rrugën e saj drejt integrimit europian.

“Jemi të lumtur që shohim se edhe fqinjët tanë ndajnë të njejtën rrugë”, ka pohuar Veseli, njofton klan kosova.

“Kosova ka dëshmuar se është një faktor konstruktiv i paqes në rajon. Funksionojmë me kushtetutë demokratike dhe liberale dhe secili qytetarë i Kosovës, pavarësisht përkatësisë, mund ta ndjejë veten pjesëtarë të shtetit”.

“Kemi ndërtuar raporte shumë të mira me fqinjët tanë, Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe jemi të përfshirë në një dialog të përmirësimit të raporteve me fqinjin tonë verior Serbinë”, ka pohuar pos tjerash Veseli.