Gecaj: Opozita të mos na shndërroj në mjete ruse

Aktuale February 19, 2017 - 12:02

Për të ndaluar Malin e Zi të jetë pjesë e NATO-së, siç duket kishte një komplot vdekjeprurës të përgatitur nga Rusia.

E ky komplot ka një histori të plotë të pabesueshme, thuhet në një artikull të publikuar në prestigjiozen britanike ‘’The Telegraph’’.

Por duke iu referuar një ngjarjeje të tillë, është Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, ai që ka reaguar duke thënë se Kosova duhet me çdo kusht të mos çalojë por të eci sigurt rrugës drejt integrimeve euro-atlantike.

Sipas Gecajt, nuk duhet të lejojë askush që opozitarizmi të shndërroi dikë në mjete ruse.

Këto komente Gecaj i bëri në një status të publikuar në rrjetin social facebook, teksa shtoi se assesi nuk duhet të përmbyset ajo që është arritur me aq shumë mund deri më sot.

Postimi i plotë i Gecajt:

”MOS TË LEJOJMË QË OPOZITARIZMI TË NA SHNDËRROI NË MJETE RUSE

Në konstelacionet e reja dhe mjaft të komplikuara të gërshetimeve të interesave globale, Kosova duhet me çdo kusht mos të çaloi dhe mos të ketë çfarëdo hezitimesh, por të eci sigurt rrugës tanimë të trasuar mirë drejt integrimeve euro-atlantike.

Involvimi (infiltrimi) i Rusisë në këtë rajon, si në Malin e Zi, Bosnje e Hercegovinë, por edhe në vendet tjera përreth, nuk është një sihariq i mirë por është sinjal i qartë dhe mjaft serioz, dhe një alarm se në çështjet e interesit nacional duhet të jemi më të kujdesshëm se kurrë më parë.

Nuk guxojmë assesi të luajmë lojën e “dreqit” dhe ma apo pa vetëdije të përmbysim gjithë atë të cilën e kemi arritur deri më tani me aq shumë mund, djersë e gjak.

Dhuna e përdorur këto dy vitet e fundit tek ne, dhe tanimë e paralajmëruar edhe për ditët në vijim, i hyn më së miri në punë mu kësaj strategjie destabilizuese ruse në rajon.

Në fund të fundit, nuk do të jetë aspak e rëndësishme nëse Rusia në Kosovë vërtetë të ketë përdorur një qasje më të butë të involvimit, krahasuar me sulmin agresiv në Malin e Zi.

Nuk do të jetë gjithashtu fare e rëndësishme nëse për këtë dikush tek ne të jetë paguar të destabilizoi, apo pa qellim të jetë shndërruar në mjet të politikave hegjemoniste anti-kosovare.

E rëndësishme do të jetë mos të lejojmë assesi të hyjmë në vorbullën e “dreqit”!

Prandaj, populli i Kosovës nuk guxon të bie pre e askujt që me apo pa qëllim të na orientoi drejt rrënimit dhe vetë-shkatërrimit” ka përfunduar Gecaj.