Kosova, siç nuk e menduan!

Aktuale February 19, 2017 - 08:17

Nëntë vjet pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës disa prej deputetëve, të cilët ishin pjesë e legjislaturës kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe sovran, vlerësojnë se vendi nuk është zhvilluar sa duhet.

Ata të cilët hodhën nënshkrimin në Deklaratën e Pavarësisë konsiderojnë se Kosova ka ndryshuar për të mirë, ka themeluar institucionet shtetërore, por nuk ka ndryshuar aq sa do të duhej përgjatë gati një dekade, shkruan gazeta Zeri.

Jakup Krasniqi, Nait Hasani, Besa Gaxherri, Ardian Gjini, Myzejene Selmani e Rasim Selmanaj janë disa prej protagonistëve të datës 17 shkurt 2008, të cilët pohojnë se pritjet në atë kohë kishin qenë më të mëdha dhe se pas një dekade do të kishte një Kosovë shumë herë më të zhvilluar se ç’është sot.

Krasniqi: Akti i Pavarësisë, kurorëzim i aspiratës sonë shekullore

Jakup Krasniqi, ish-kryeparlamentar në kohën e shpalljes së Pavarësisë, tashmë kryetar i Këshillit Kombëtar të partisë opozitare “Nisma për Kosovën”, ka vlerësuar se Kosova ka ndërtuar institucionet e shtetit, mirëpo ato nuk janë duke funksionuar sipas ligjit.

“Çlirimi i Kosovës dhe akti i pavarësisë janë kurorëzim i aspiratës sonë shekullore. Kosova gjatë këtyre viteve ka ndryshime në disa fusha si: në ndërtimin e institucioneve, në miratimin e kushtetutës e ligjeve, në infrastrukturën rrugore e arsimore. I ndërtuam institucionet e shtetit, por ato nuk po funksionojnë mbi bazën e ligjeve, nuk po funksionojnë për t'u shërbyer qytetarëve, por funksionarëve të lartë të shtetit”, ka deklaruar ai për “Zërin".

Krasniqi më tej ka numëruar disa aspekte në të cilat ka ngecur Kosova.

“Kosova ka ngecje në sundimin e ligjeve, në luftimin e krimit e të korrupsionit, Kosova ka ngecur në rrugën e integrimeve e në liberalizimin e vizave. Kjo ka bërë që Kosova të jetë e izoluar”, ka shtuar ai.

Kurse deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka vlerësuar se qytetarët tashmë i kanë humbur shpresat për një shtet të zhvilluar.

“Shpresat e qytetarëve kanë qenë shumë të mëdha, me mendimin që tani e kemi shtetin tonë, nuk jemi më pjesë e vuajtjeve shekullore. Qytetarëve të Kosovës u janë thyer shpresat, u janë humbur motivet në zhvillimin e shtetit, për shkak të politikave jozhvillimore, udhëheqje politike”, është shprehur ai.

Gaxherri: Për të bërë shtet është vështirë

Ndërkohë deputetja e LDK-së, e cila ishte pjesëmarrëse edhe në seancën e shpalljes së Pavarësisë, Besa Gaxherri, ka thënë se ka pritur që Kosova të zhvillohej më shumë se që është tani.

Mirëpo, sipas saj, Kosova është bërë shtet për herë të parë dhe për këtë edhe është ballafaquar me sfida.

“Sidomos gjenerata jonë edhe para Pavarësisë, edhe pas shpalljes së Pavarësisë, ndryshe e kemi imagjinuar Kosovën, më shpejt të zhvilluar, më të bukur. Për herë të parë kemi bërë shtet dhe asnjëri s’kemi ditur se si konsolidohet shteti. Prandaj, edhe sot kur po punojmë nëntë vjet pas Pavarësisë së Kosovës po e shohim që vërtet për të bërë shtet është vështirë”, ka deklaruar ajo.

Megjithëkëtë, sipas Gaxherrit, Kosova tashmë është duke rrugëtuar drejt integrimit në BE dhe në NATO.

Ajo më tej ka thënë se Kosova nuk duhet të jetë e kënaqur me këto të arritura, porse duhet të punojë tutje.

“Ne natyrisht që nuk duhet të jemi të kënaqur asnjëherë, por nuk duhet të harrojmë që shtetësia në Kosovë ka specifika të veçanta. Ne po bëjmë shtet për herë të parë në rrethana shumë të vështira, nuk është lehtë, por megjithatë ne duhet të punojmë më shumë”, ka theksuar Gaxherri.

Gjini: Nëntë vjet pas, Kosova ka shumë sfida

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, tashmë nënkryetar i këtij subjekti, Ardian Gjini, ka vlerësuar se Kosova ka ndryshuar shumë më ngadalë sesa ishte pritur.

“Kosova ka ndryshuar për të mirë shumë më ngadalë sesa që ka mundur të ndryshojë prej rrethanave normale. Sikur ta kishim pasur një qeverisje normale, ku njerëzit do të angazhoheshin më tepër për të mbërritur diçka”, ka deklaruar ai.

Sipas Gjinit, për t’u zhvilluar tash e tutje vendi, duhet të shkohet në zgjedhje.

Ndërkohë ka thënë se para nëntë vjetësh kur e kishte nënshkruar Deklaratën, kishte pritur bërjen e një Kosove më ndryshe nga ç’është tani.

“Jo, absolutisht jo. E kemi pasur një entuziazëm dhe se dhjetë vjet pas Kosova do të jetë krejt më ndryshe”, ka potencuar Gjini.

Sipas tij, nëntë vjet pas Pavarësisë Kosova ka shumë sfida, të cilat janë pasojë e qeverisjes së keqe të koalicionit qeverisës.

Nga ana tjetër ish-deputetja e Kuvendit në legjislaturën kur u shpall Pavarësia e Kosovës, nga radhët e AKR-së, Myzejene Selmani ka thënë se nuk është e kënaqur me shtetin e Kosovës gati një dekadë pas.

“Duke qenë pjesë e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë pas nëntë vjetësh nuk mund të jem e kënaqur. Në Ditën e shpalljes së Pavarësisë e kam thënë se ne kemi qenë nënshkrues, qytetarët e Kosovës kanë qenë shpallësit e saj së bashku me ish-presidentin Rugova, luftëtarët e UÇK-së, veteranët dhe gjithë diasporën”, ka deklaruar ajo.

Sipas Selmanit, Kosova edhe pas nëntë vjetësh ka mbetur si vendi më i varfër e më i korruptuar në rajon.

Selmanaj: Do të ishte më mirë sikur udhëheqësit të punonin më shumë

Ndërkohë ish-deputeti, Rasim Selmanaj, tash kryetar i Komunës së Deçanit, ka thënë se nënshkrimi i Deklaratës së Pavarësisë ka përçuar një ndjenjë të veçantë.

“Unë si deputet i legjislacionit, që e ka nënshkruar Pavarësinë, ka qenë një ndjenjë e veçantë e krenarisë, sepse të jesh pjesë e një seancë ku shpallet Pavarësia është ndjenjë e krenarisë”, ka deklaruar ai.

Por megjithëkëtë, sipas tij, ngjarjet që kanë ndodhur më tej përgjatë viteve nuk kanë qenë ato për të cilat ishte menduar.

“Zhvillimet që kanë ndodhur më pas nuk janë ato që i kemi menduar, për çka edhe është bërë lufta e sakrifica. Megjithatë, ka të arritura edhe një progres. Ka pasur mundësi për të qenë më mirë sikur ata që po udhëheqin vendin të kishin pas punuar më shumë”, ka potencuar ai.

Me këtë rast ai ka përmendur arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë, me ç’rast ka thënë se institucionet nuk kanë vepruar sa duhet lidhur me të.