Rugova trasoi rrugën drejt pavarësisë

Aktuale February 19, 2017 - 08:15

Me shallin rreth qafës në shenjë nderimi për të, me fotografi të tij në sirtar e me një libër voluminoz të shkruar për jetën e tij, Adnan Merovci, bashkëpunëtori më i afërt i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova, sjell shumë të pathëna për veprimtarinë e karakterin e Rugovës, shkruan gazeta Zeri.

Si njeri i urtë, me aftësi të shumta intelektuale, me një karakter të fortë e optimizëm të thellë, Ibrahim Rugova ndihmoi në trasimin e rrugës drejt pavarësisë së Kosovës.

Me kontributin e strategjinë e tij politiko-paqësore, Rugova arriti ta “lëkundë” edhe karakterin e ish-udhëheqësit të Serbisë, Sllobodan Millosheviq.

Kështu tregon Adnan Merovci, ish-shefi i sigurimit të presidentit Rugova.

Ai në një bisedë ekskluzive për “Zërin” sjell shumëçka që lidhet me karakterin e Rugovës, me veprimtarinë e tij politike, qëndrimet e tij në Rambuje, qëndrimet e tij karshi UÇK-së dhe bombardimeve të NATO-s e deri te dobësitë e shakatë e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Në takimin që ai kishte pasur me Millosheviqin në Beograd, në kohën e bombardimeve, kishte kërkuar prerazi plotësimin e kërkesave të NATO-s dhe ndaljen e luftës.

Ndërkohë, gjersa tregon për këtë takim shoqëruesi i ish-presidentit thotë se Rugova kishte arritur ta “mposhtte” Millosheviqin. Me armën më të fortë - fjalët.

“Madje-madje, në këtë rast Millosheviqi ka qenë goxha inferior në këtë takim dhe intelektualiteti i Rugovës e ka mundur Millosheviqin. Nëse ai në këtë takim i ka sharë të gjithë liderët botërorë, në raport me Rugovën e ka pasur njëfarë inferioriteti”, shton më tutje ai.

Edhe pse si udhëheqës i Kosovës atë kohë Rugova nuk e kishte përkrahjen e pothuajse askujt për një pavarësi, ai asnjëherë nuk i humbi shpresat.

“Optimist i papërmirësueshëm ka qenë Rugova, të gjithë ne pesimistë që nuk i kemi besuar. Për këtë arsye Rugovës i atribuohet çështja e vlerave e meritave për pavarësi”, shton më tutje Merovci gjersa thotë se fakti që ish-presidenti nuk ishte pjesë e shpalljes zyrtare të pavarësisë nuk e zbeh aspak kontributin e tij karshi këtij synimi.

Takimet e Rugovës për pavarësi

Ai pos këtyre kishte zhvilluar edhe shumë takime të tjera për shtetbërje e pavarësi.

Një takim i tillë ishte zhvilluar pas ngjarjeve në Prekaz në maj të vitit 1998, me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve. E tek pas dy-tre muajve Rugova kishte realizuar takimin e radhës në Amerikë, pjesë e të cilit ishte edhe ish-presidenti amerikan Bill Clinton.

“Cintoni ka folur rreth çështjes së një autonomie, Rugova ka qenë në takim dhe kuptohet me stilin e tij ka shpjeguar çështjen e pavarësisë dhe insistimin për pavarësi”, tregon Merovci.

Pas tërë këtyre zhvillimeve, këtyre sfidave, Rugova e kishte ditur menjëherë pas konferencës së Rambujesë se Kosova nuk e kishte larg pavarësinë, sado që fati deshi e ai nuk jetoi deri në aktin final.

“Konferenca e Rambujesë është sinjali më i madh. Dhe Rugova në Rambuje e ka ditur që çështja e pavarësisë pas luftës (bombardimeve), brenda tri vjetësh është proces. Por, meqenëse nuk e ka nënshkruar Serbia, atëherë kjo është ditur se mund të zgjasë më shumë”, shprehet shoqëruesi i pandashëm i ish-presidentit.

Rugova madje e kishte bindur edhe Francën për t’u radhitur në krahun e atyre që kërkonin bombardimin e Serbisë. E një gjë të tillë presidenti historik e kishte bërë me strategjinë e tij, sepse ai ishte doktor i fjalëve. Ashtu thotë Merovci. Ashtu thoshte edhe vetë Rugova.

Me një karakter shumë të fortë, një njeri me një ego pozitive njerëzore, një njeri me një tolerancë, humanitet e urtësi, por jo butësi ndaj së keqes. I tillë ishte Rugova.

Ai nuk mbahet në mend të ketë bërë një reagim ndaj një kundërshtimi ose ndaj një kritike edhe tendencioze, vazhdon Merovci.

Mirëpo, përpos këtyre Rugova mbi të gjitha ka qenë qenie njerëzore. Dhe për këtë arsye ka pasur momente kur ai edhe është nervozuar, por gjithherë duke pasur kujdes që një gjë të tillë të mos e shfaqte në publik.

Një dekadë bashkë me Rugovën

Adnan Merovci, i cili ndoshta njeh më së miri historinë dhe të bëmat e Rugovës, për një dekadë, 24 orë pa ndërprerë qëndroi afër presidentit Rugova.

Mirëpo, sado që dilema pati rreth e rrotull se prej nga erdhi e kush ishte Merovci, ai kishte vendosur atë kohë t’i bashkohej Rugovës vetëm mbi bazën vullnetare - për ta ndihmuar.

E ndonëse ishte i diplomuar e me 10 vjet përvojë pune, Merovci kishte marrë vendimin e pakthyeshëm, ta ndiqte Rugovën hap pas hapi. Prej mëngjesit deri në mbrëmje. Prej viteve ’89-’90 deri në vitin 2000. 

Në situata të qeta e në rrezik. Dhjetë vjet rresht, pa ndalur! Ai për këtë kohë ishte kujdesur për sigurinë e tij, për protokollin, për mbarëvajtjen e zyrës, për ndërmjetësimin në takime, listën e takimeve, etj.

Merovci madje ishte edhe protagonist i ditëve të para të vilës së njohur të Rugovës në “Velani”. Ai tregon se presidenti fillimisht kishte banuar në “Lakrishte”, por pas zgjedhjes së tij president, më 24 maj 1992, Rugova nën shoqërimin e Merovcit ishte sulmuar nga serbët.

“Ditën e zgjedhjeve, pasi që ka dalë vetë Rugova për të votuar, gjatë kthimit e kemi pasur një incident, kemi qenë të sulmuar prej serbëve dhe serbët na kanë sulmuar me materiale të forta prej kateve të sipërme dhe Zoti ka dashur të jemi në jetë”, tregon ai.

Dhe pikërisht ky ka qenë momenti kur ishte marrë vendimi për largimin e Rugovës. Për rreth gjashtë muaj ai kishte qëndruar te një mik i tij e tek pastaj në “Velani”.

Të pathënat që pritet të dalin në dritë!

Rugovës shpesh i janë veshur disa gjëra jo të vërteta. Figura e tij është goditur shumë herë me disa të paqena. Adnan Merovci tregon se si Rugova ishte më se i sigurt për ta nënshkruar Marrëveshjen e Rambujesë.

Ai madje thotë se ishte pikërisht Hashim Thaçi ai i cili nuk donte ta hidhte nënshkrimin.

“Rugova në një moment ka qenë 100% për Marrëveshjen e Rambujesë, por ka pasur hezitime nga të tjerët. Për shembull, Thaçi në mënyrë shumë insistive e ka refuzuar Marrëveshjen e Rambujesë dhe kështu ka qenë lufta, gjegjësisht shfrytëzimi i autoritetit të Rugovës nga të tjerët për ta bindur Thaçin për ta nënshkruar atë”, thotë ai.

Ai më tej tregon se si sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright, ishte përkulur për t’i lutur shqiptarët për ta nënshkruar marrëveshjen si rruga e vetme për t’i ndihmuar shqiptarët.

Mandej, Merovci tregon se ajo që lidhet me luftën janë paralajmërimet e Rugovës. Ndërkaq, assesi nuk është e vërtetë ajo që i vishet atij se kinse Rugova paska thënë se UÇK-ja qenka dorë e zgjatur e Serbisë.

“Aktiviteti, veprimtaria e Rugovës ka qenë e hapur, ka qenë publike. Dhe fjala vjen, gjëja e parë që lidhet me luftë të armatosur, lidhet me paralajmërimet e Rugovës. Në vitin 1989 Rugova e ka paralajmëruar luftën në Kosovë që do të ndodhë dhe u çon selam serbëve që t’i kenë parasysh kërkesat e shqiptarëve”, nënvizon ai gjatë rrëfimit.

Madje ai thotë se Rugova shumicën e aksioneve të zhvilluara të UÇK-së i ka ditur paraprakisht.

“Ka pasur vija të komunikimit, por Rugova ka qenë në vijën e politikës dhe ai në mënyrë të hapur nuk i ka afirmuar këto aktivitete publikisht, sepse ka qenë në politikë dhe kjo ka qenë strategji e kësaj. Por, a e ka mohuar Rugova UÇK-në ose luftën, kjo është një banalitet ose një marrëzi”, potencon ai.

Merovci më tutje thotë se deklarimet në të cilat thuhej se Rugova kishte kërkuar ndaljen e bombardimeve, janë tërësisht të pavërteta. E të gjitha këto të pathëna së shpejti pritet të zbardhen në dy librat e ardhshme të Merovcit.

Çka nëse nuk do të ishte Rugova?

Si president historik që la gjurmë në historinë e shqiptarëve, Rugovën nuk do të mundë ta zëvendësonte askush. Sikurse askush nuk mund ta zërë vendin e tjetrit. Pasi të gjithë janë unikë.

Por Merovci thotë se sado që nuk mund të flitet për një zëvendësim të tillë, po të mos ishte Rugova, Adem Demaçi ose Rexhep Qosja do të ishin dy figurat më të mundshme, të cilat do të mund të ishin në krye të Kosovës, në kohën më të vështirë kur veproi Rugova.

“Askush askënd s’mund ta zëvendësojë. Gjithkush është unik. Unë e kam thënë po të mos kishte dalë në dritë Rugova, ne i kemi pasur dy figura që fjala vjen kanë mundur të jenë Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja. Por duhet kuptuar drejt, nuk them se këta janë zëvendësuesit e Rugovës”, thotë ai.

Dobësitë dhe shakatë e Rugovës

Bashkëpunëtori i Rugovës përpos gjërave pozitive sjell në kujtesë edhe tri dobësitë më të theksuara të presidentit të ndjerë. Keqmenaxhimi, pirja e pakontrolluar e duhanit dhe jovendimmarrja për gjërat praktike.

“Rugova ka qenë menaxher shumë i dobët, s’ka ditur të menaxhojë. Ai ka qenë ideator, por jo të menaxhojë. Rugova s’ka mundur ta menaxhojë as Prishtinën, as asfaltin, as kanalizimin”, tregon ai.

E dyta, të cilën Merovci e cilëson si dobësi fatale për të, ka qenë se e ka pirë shumë duhanin, kurse e treta ka të bëjë me atë se nuk ka qenë vendimmarrës për gjëra praktike.

E krejt në fund Merovci me nostalgji sjell në kujtesë edhe momentet kur me presidentin në momente të caktuara shkëmbenin batuta mes vete. Ai rrëfen disa imtësira përmes së cilave tregon disa detaje nga jeta e Rugovës, me ç’rast sjell në mendje momentin kur Merovci e kishte mbrojtur në një sulm dhe ai më vonë ia kishte përmendur duke thënë se “Adnani desh më mbyti”.

“Rugova nuk i ka dhënë makinës, nuk ka qenë shofer dhe shpeshherë unë e ngacmoja në ndeja kur ishim. Pastaj kemi pasur batuta me një rast kur na kanë sulmuar serbët, mënyra qysh unë kam reaguar, ai e ka përdorur si shaka mandej dhe më ngacmonte, më thoshte unë kishe Adnanin e kam për të më ruajtur e ai desh më mbyti mua. Se ka qenë reagim imi shumë refleksiv, si e kam kapur Rugovën, tha desh m’i theu eshtrat”, rrëfen ai duke qeshur.