Hoxhaj merr letra urimi nga homologët: Kosova ka ecur shumë përpara në nëntë vite pavarësi

Aktuale February 17, 2017 - 18:00

 Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pranuar letra të shumta urimi nga homologët e tij me rastin e shënimit të përvjetorit të nëntë të pavarësisë së Kosovës. 

I pari që e ka uruar Hoxhajn ka qenë Sekretari Amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, i cili përmes një letre të dërguar ka vlerësuar progresin e Kosovës në këto nëntë vite, njofton kumtesa, përcjell "Zeri.info".

"I gëzohemi progresit që Kosova ka bërë në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe multietnike në këto nëntë vite të pavarësisë", shkruan Tillerson, duke shtuar se ShBA e çmon miqësinë e fuqishme me Kosovën, e cila bazohet në aspiratat e përbashkëta për stabilitet, paqe e prosperitet për qytetarët. 

Në adresë të kryediplomatit kosovar Hoxhaj kanë arritur urime edhe nga vendet e Evropës. Homologët nga Republika Çeke, Belgjika, Estonia, Lituania, Hungaria, po ashtu kanë vlerësuar arritjet e Kosovës në këto nëntë vite pavarësi, dhe kanë shprehur mbështetjen për Kosovën në rrugën e integrimeve Euro-Atlantike.  

Ministri Hoxhaj ka pranuar letra urimi edhe nga homologët e vendeve të rajonit, Mali i Zi, Maqedonia dhe Kroacia, si dhe nga Senegali në Afrikë.