'Rasti Kumanova', Sokoli: Policët u vranë nga kolegët e tyre

Aktuale February 17, 2017 - 14:15

Sami Ukshini, i njohur si komandant Sokoli, sot para trupit gjykues ka deklaruar se organizator i ngjarjeve në “Lagjen e Trimave” ka qenë Mirsad Ndreçaj dhe Beg Rizaj.

Ai tha se Ndreçaj dhe Rizaj e kanë mobilizuar grupin në Lagjen e Trimave dhe se ditën e 9 maj rreth orës 5 të mëngjesit ai njëjtë sikur banorët e lagjes është zgjuar nga krismat e policisë.

Komandant Sokoli tha se në Maqedoni ka hyrë mes datave 1 dhe 2 maj, ndërsa në Lagjen e Trimave ka arritur më 3 maj pasi i është ftuar nga shoku i tij Xhafer Zymberi, njofton Alsat M.

“Gjatë bisedave disa herë kam tentuar që Mirsad Ndreçajn ta bind të largohet. Ata kategorisht kanë refuzuar mendimin tim dhe nuk e kanë përfillë sugjerimin”, tha Sokoli.

Gjatë të shtënave, sipas Sami Ukshinit, Shefqet Kallaqi – anëtar i grupit, ka kontaktuar me OSBE-në për të parashtruar kërkesën se dëshiron të dorëzohet, megjithatë përfaqësuesit e OSBE-së iu kanë thënë se, pas tre orëve bisedë me policinë, policia nuk ka marrë parasysh kërkesat e grupit për dorëzim.

Dorëzimi i parë i tyre ka ndodhur rreth orës 19 më 9 maj. Gjatë dëshmisë së tij Ukshini tha se policët janë vrarë nga vetë kolegët e tyre gjatë sulmit me armatim tejet të rëndë dhe jo të kontrolluar.

Ai gjithashtu është shprehur se nuk ndjehet fajtor për viktimat dhe se nuk e pranon aktakuzën si grup terrorist.