Në PDK flasin për zgjedhje në muajin maj ose në qershor

Aktuale February 13, 2017 - 08:19

Deputetë të PDK-së kanë paraqitur kërkesën në Këshill të Përgjithshëm për zgjedhje të parakohshme dhe sipas tyre vendi duhet të shkojë në zgjedhje në maj ose në qershor të këtij viti. Në LDK nuk i komentojnë deklaratat e deputetëve të partisë më të madhe në vend, shkruan sot, gazeta Zeri.

Deklaratat për prishje të koalicionit PDK - LDK janë rikthyer sërish. Disa deputetë të PDK-së kanë thënë për “Zërin” se ditë më parë në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti kanë kërkuar të shqyrtohet mundësia për prishje të koalicionit me partnerin qeverisës, LDK-në.

Sipas tyre, në këtë mbledhje ka pasur bisedime konstruktive rreth kësaj çështjeje, porse një vendim final pritet të merret në takimin e radhës.

Mirëpo, disa deputetë të tjerë, pjesë e Kryesisë së PDK-së, kanë thënë se prishja e koalicionit asnjëherë nuk është shtruar si temë diskutimi.

Megjithatë, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme ata kanë thënë se çdo gjë është e mundur të ndodhë.

Nga ana tjetër, as deputetë të LDK-së e as anëtarë të Kryesisë së këtij subjekti nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje. Kurse deputetët e PDK-së, të cilët kanë kërkuar zhbërjen e koalicionit, kanë konsideruar se zgjedhje mund të ketë në muajin maj.

Buja: Maji ose qershori, muaji i zgjedhjeve

Deputeti i PDK-së, Shukri Buja, i cili disa herë ka kërkuar ndërprerjen e funksionimit të koalicionit PDK - LDK, ka thënë për “Zërin” se edhe në mbledhjen e fundit të Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti, të mbajtur para pak ditësh, ka paraqitur një kërkesë të tillë.

“Edhe në mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të PDK-së kam kërkuar që Kryesia të bëjë analiza rreth funksionimit të koalicionit dhe të marrë vendim këshilli drejtues për koalicionin, të vazhdojmë apo ta ndërpresim koalicionin me LDK-në dhe të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar ai.

Buja më tej ka thënë se ka pasur bisedime konstruktive në këtë mbledhje rreth prishjes së koalicionit.

Mirëpo, një qëndrim final rreth kësaj çështjeje, sipas tij, pritet të merret në mbledhjen e ardhshme.

Ai ka vlerësuar se Qeveria aktuale nuk do ta çojë mandatin deri në fund, pasi që vendi do të shkojë në zgjedhje në maj ose në qershor.

“Qeveria nuk e besoj që mund të shkojë deri në fund të mandatit, po shpresoj të reflektojë dhe ta shohë që sa më shpejt të shkojmë në zgjedhje dhe maji ose qershori të jetë muaji i zgjedhjeve parlamentare”, ka theksuar Buja.  

Haliti: Ka pasur pakënaqësi, por prishja e koalicionit s’është diskutuar

Nënkryetari i Kuvendit, njëherësh anëtar i Kryesisë së PDK-së, Xhavit Haliti, ka pranuar se pakënaqësi ka gjithmonë, mirëpo nuk është folur për prishje të koalicionit.

“Ne mund të shfaqim pakënaqësi, por çështja e prishjes së koalicionit asnjëherë nuk është shqyrtuar në parti dhe nuk është ngritur në rend të ditës. Ka pasur pakënaqësi nga ndonjëri prej anëtarëve. Kjo është normale. Për t’u prishur koalicioni vendosin organet”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë, i pyetur se a do të shpërbëhet koalicioni deri në fund të mandatit dhe vendi të shkojë në zgjedhje, ai ka thënë se çdo gjë është e mundshme sado që ka potencuar se nuk ka informacione rreth kësaj çështjeje.

“Po tani gjithçka është e mundshme, por unë s’kam informacion që ka ndonjë tendencë të tillë, as nga ana e PDK-së e as nga ana e LDK-së. Po flas për ato që i di, jo për ato që s’i di”, është shprehur Haliti.

E sa u takon zgjedhjeve të parakohshme ai ka thënë se zgjedhje të tilla janë mbajtur shumë herë, porse nuk kanë sjellë ndonjë rezultat aq të mirë.

LDK-ja, s’ka koment!

Kurse deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se nuk di asgjë sa i takon raporteve të partnerëve të koalicionit.

“Nuk di për këtë punë. S’jam në pozicion për të folur për këtë, s’di çka të them. Unë nuk jam anëtar i Kryesisë, nuk di gjë për atë punë”, ka deklaruar ai.

Ndërkohë Haki Rugova, nënkryetar i LDK-së, nuk ka dashur t’i komentojë deklaratat për prishje të koalicionit e as të flasë rreth kësaj teme.

“Nuk e di çka kanë bërë ata. Kur të mbajmë Këshill të Përgjithshëm si LDK, atëherë mund të flas. Nuk e di, s’kam koment”, ka thënë shkurt Rugova.

Nga ana tjetër deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka vlerësuar se koalicioni qeverisës duhet të largohet sa më shpejt.

“Kjo Qeveri duhet t’ia kthejë mandatin popullit sa më shpejt, aq më mirë”, ka deklaruar ajo. Andaj, sipas saj, zgjedhje të parakohshme do të ketë shumë shpejt, në gjysmën e parë të këtij viti.

“Besoj shumë shpejt. Këtë gjysmëvit”, është shprehur ajo.

 Kurse shefja e Grupit Parlamentar të “Nismës për Kosovën”, Valdete Dushica-Bajrami, ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme duhet të organizohen urgjentisht.

“Mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme e konsiderojmë si çështje emergjente sepse po të rrinë këta deri në fund të mandatit vendi ynë do të ketë dëme të pariparueshme”, ka deklaruar Bajrami.

PDK – LDK me kontradikta që nga fillimi

Artan Murati, nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka vlerësuar se mes PDK-së e LDK-së gjithmonë ka pasur kundërshtime e veçmas lidhur me çështjen e demarkacionit.

“Koalicioni mes PDK-së dhe LDK-së që nga fillimi ka qenë i përcjellë me kontradikta e shpeshherë edhe me thumba e deklarata kontroverse mes dy taborëve”, ka deklaruar ai.

Prandaj, sipas Muratit, mundësia për prishjen e koalicionit qeverisës ekziston edhe sot.

“Ky koalicion ka pasur tendenca dhe mundësi reale të prishjes edhe më herët, e normalisht që një mundësi e tillë ekziston edhe tani”, ka shtuar ai.

Ndërkohë, nuk ka përjashtuar mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Tema e zgjedhjeve të parakohshme është duke u përfolur tani e sa kohë dhe nuk do të ishte befasi e askujt nëse së bashku me zgjedhjet lokale do të mbaheshin edhe zgjedhjet parlamentare”, ka theksuar Murati.

Mirëpo, politologu Ramush Tahiri ka vlerësuar se koalicioni aktualisht duket të jetë i qëndrueshëm.

“Nuk duken sinjalet për prishjen e koalicionit qeverisës LDK – PDK sepse ka harmonizim e mirëkuptim dhe ka përkrahje shumë të fuqishme ndërkombëtare dhe mbështetje konkrete të ambasadorëve të QUINT-it”, ka deklaruar ai.

Por, sipas Tahirit, ka grupe në PDK e në LDK që duan të shkojnë në zgjedhje me synimin që t’i forcojnë pozicionet e veta.

“Grupe në LDK dhe në PDK dëshirojnë që të shkojnë në zgjedhje që t’i forcojnë pozicionet e veta ose të partisë sepse llogarisin se i kanë tri pozitat kryesore edhe të kryeministër, edhe të kryetarit të Kuvendit, edhe të presidentit”, ka shtuar ai.