Opozita 'armatoset' kundër Asociacionit dhe Demarkacionit
Partitë opozitare paralajmërojnë rezistencë të fortë për të mos lejuar kalimin në Kuvend të Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, si dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ato thonë se nëse këto marrëveshje sillen në Kuvend do të rikthehet edhe gazi lotsjellës, shkruan sot, gazeta Zeri.
Deputetët e opozitës përsëri do të hedhin gaz lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës nëse Qeveria e Kosovës e riprocedon në legjislativ Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Megjithatë, partnerët e koalicionit qeverisës këmbëngulin se këto marrëveshje do të miratohen në Kuvend.
Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa, ka deklaruar për gazetën “Zëri” se Kosova e ka për obligim ta themelojë Asociacionin.
“Ne e kemi obligim ligjor themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumice Serbe. Prandaj do të themelohet në harmoni me ligjin e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Gecaj, duke shpresuar “se opozita është mbushur mend dhe nuk do t’i kthehet metodave primitive të politikëbërjes”.
“Të shpresojmë se janë mbushur mend e nuk do t'i kthehen metodave të tilla primitive”, ka deklaruar Gecaj.
LVV: Gazi mbetet ende opsion
Në anën tjetër në subjektin më të madh opozitar në vend, Lëvizja “Vetëvendosje” (LVV), deklarojnë se nëse ka tentim domosdo për kthimin e Marrëveshjes për Demarkacionin dhe Marrëveshjes për Asociacionin rezistenca kësaj radhe ka për të qenë edhe më e fuqishme.
Ky subjekt konfirmon se gazi ende mbetet opsion nëse qeveritarët vazhdojnë shpërfilljen e vullnetit të qytetarëve.
“Gazi ka ardhur si domosdoshmëri, sepse ka qenë metoda më e efektshme për të parandaluar avancimin e këtyre marrëveshjeve. Nëse qeveritarët do të vazhdojnë shpërfilljen e vullnetit të qytetarëve sigurisht që gazi mbetet opsion”, ka thënë për “Zërin” zyrtari për medie në LVV, Shkodran Hoti.
Sipas tij, për LVV-në e rëndësishme është që Demarkacioni dhe “Zajednica”, siç e quan ai, të mos kalojnë. “Për ne e rëndësishme është që ato marrëveshje të mos kthehen në Kuvend e nëse kthehen të mos lejohet të kalojnë”, ka thënë ai.
Më tutje Hoti rithekson se Demarkacioni dhe “Zajednica” janë marrëveshje të vdekura.
“Dhe për çfarëdo që të ngjajë përgjegjëse do të mbetet kjo Qeveri, e cila me çdo kusht po do që ta cenojë interesin shtetëror e kombëtar për hir të interesave klanore brenda saj”, ka vlerësuar ai.
AAK : Veprimet e opozitës varen nga sjellja e Qeverisë
Ndërsa në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës theksojnë se veprimet e opozitës varen nga sjellja e Qeverisë. Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj, vlerëson se nëse ekzekutivi kthen marrëveshjet në Kuvend prapë do të ketë tension.
“Nëse ajo tenton t’i rikthejë në agjendë këto marrëveshje, versionet çfarë janë tashmë, prapë do të tendoset situata edhe më tutje. Marrëveshja e Demarkacionit është shpallur e vdekur tashmë njëherë më 1 shtator të vitit të kaluar”, ka thënë ai, duke shtuar se Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe është hedhur poshtë nga vetë Gjykata Kushtetuese dhe si e tillë nuk pranohet as nga opozita në vend.
“Marrëveshjen për Asociacionin Gjykata Kushtetuese e ka nxjerrë të pavlefshme sepse bie ndesh me frymën unitare të shtetit të Kosovës. Pra, çdo gjë jona në këtë drejtim varet se si dhe çka bën Qeveria e tashme”, ka thënë Lekaj.
Maliqi: Kthimi i gazit do të ndikojë negativisht në skenën politike
Njohësi i politikave ndërkombëtare, Agon Maliqi, e konsideron si veprim negativ kthimin e gazit në Kuvend.
“Është rrugë pa krye, thellim i krizës institucionale dhe konfliktit politik në kurriz të zhvillimit”, ka thënë ai.
Sipas Maliqit, shqetësimet mbi veprat e Qeverisë duhet të trajtohen përmes Gjykatës Kushtetuese.
“Kuvendi duhet të lejohet të funksionojë dhe çfarëdo shqetësimi mbi kushtetutshmërinë e veprave të Qeverisë të sqarohen përmes Gjykatës Kushtetuese”.
Në anën tjetër politologu, Ramush Tahiri, mendon se s’ka mundësi që dhuna të rikthehet në seancat plenare.
“Nuk ka as arsye sepse synimi i opozitës ishte animimi i qytetarëve për Demarkacionin dhe për Asociacionin. Tash opinioni është i elektrizuar dhe opozita në veprimet e saj do të përqendrohet në argumentim”, ka thënë ai.
Më tutje Tahiri vlerëson se përbërja e tanishme e Kuvendit nuk i posedon votat për kalimin e Demarkacionit.
“Unë mendoj se kjo përbërje e Kuvendit dhe ky koalicion nuk i ka votat dhe do t’i bartë për këtë pasojat me ndërkombëtarët, gjë që opozita do t’i shfrytëzojë për zgjedhjet e ardhshme, nëse bëhen edhe të parakohshme atëherë opozita fiton në popullaritet”, ka përfunduar Tahiri.