Haradinaj: Nuk më shqetëson Klani i Millosheviqit

Aktuale February 11, 2017 - 15:15

Ish-kryeministri i Kosovës i ndaluar në Francë me një fletëarrest të lëshuar nga Serbia në Interpol, ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se nuk e shqetësojnë akuzat e politikanëve serbë, apo siç i ka quajtur ai “Klani i Slobodan Millosheviqit”.

“I kam respektuar ligjet e vendit tim dhe ligjet ndërkombëtare! Jam përballur me akuzat më monstruoze të prodhuara nga vrasësit e popullit tim dhe në një proces të gjatë e të mundimshëm, jam shpallur i pafajshëm për të gjitha pretendimet, nga instanca më e lartë e drejtësisë ndërkombëtare. Këtij verdikti i është bindur krejt Bota”, shkruan Haradinaj.

“Të vetmit që vazhdojnë të merren me këtë punë, janë politikanët e Klanit të Millosheviqit, të cilët më nuk kanë kurrfarë fuqie që në emër të, gjoja drejtësisë, t’i shtyjnë agjendat e tyre politike, dhe unë nuk i marr fare seriozisht”.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës ka shkruar edhe se shumë shpejt do të kthehet në Kosovë.

“Shpejt do t’i kthehem punës për vendin tim. Ky është i vetmi preokupim imi”.