Gjykata franceze e Apelit tregon arsyen e shtyrjes së vendimit për Haradinajn

Aktuale February 09, 2017 - 17:50

Gjykata e Apelit në qytetin francez Colmar ka marrë vendim për shtyrjen e marrjes së vendimit përfundimtar për ekstradimin ose jo të Ramush Haradinajt në Serbi.

Sipas gjykatës, vendimi përfundimtar do të merret më 2 mars.

“Prokurori shtetëror francez ka kërkuar informacione shtesë nga Serbia për shumë çështje, përfshirë edhe saktësimin e dokumenteve të caktuara, si dhe informacione shtesë për procedurën penale në Serbi”, ka thënë zëdhënësja e gjykatës, Sandra di Rosa, transmeton lajmi.net.

Ajo ka thënë se vendimi për procedurat tjera do të bëhet i ditur më 2 mars, kështu që trupi gjykues i ka tri opsione.

“Mund të urdhërojë mbledhjen e informacioneve shtesë dhe të kërkojë shqyrtimin e metutjeshëm të rastin në seancën e ardhshme. Gjithashtu mund ta refuzojë ose pranojë kërkesën për ekstradim”, ka thënë di Rosa.

Sipas saj, në rast se Gjykata e Apelit në Colmar jep mendim negativ për kërkesën e Serbisë, ekstradimi i Haradinajt nuk do të jetë i mundur.

Pas kësaj, Haradinaj do të jetë i lirë të largohet nga Franca, kurse Serbia do të kishte të drejt të ankohej në atë vendim.

Në rast se Gjykata e Apelit konfirmon përmbushjen e kërkesës për Haradinajn, vendimin përfundimtar për ekstradim e merr qeveria franceze, ka thënë ajo.