Shtyhet vendimi për Ramush Haradinajn

Aktuale February 09, 2017 - 16:00

Gjykata e Apelit në Colmar të Francës ka shtyrë sot vendimin për lirimin ose ekstradimin e Ramush Haradinajt në Serbi.

Haradinaj pas seancës ka thënë se vendimi pritet të merret më 2 mars

“Gjykata sot nuk ka marrë vendim. Vendimi do të jepet më 2 mars. Kërkesa për ekstradim nga ana e Serbisë është abuzim”, ka thënë Haradinaj.

“Ne po shpresojmë që vendimi të merret më herët nga gjykata, se 2 marsi është shumë larg dhe është humb shumë kohë me një kërkesë ekstradimi që është abuzim nga ana e Serbisë”, ka thënë Haradinaj pasi doli nga ndërtesa e gjykatës në Colmar të Francës.

Ai është pritur nga qytetarë të shumtë jashtë Gjykatës të cilët e kanë përcjellë gjykimin e Haradinajt. 

Ndryshe, Haradinaj ishte arrestuar më 4 janar nga policia franceze në aeroportin e Bazelit, në zonën franceze të Mulhouse në bazë të një fletarresti të lëshuar nga Serbia në vitin 2004.

Haradinaj u mbajt në paraburgim 1 javë në qytetin e Colmarit, e më vonë u lirua me kusht derisa gjykata të marrë kërkesën zyrtare të ekstradimit nga Serbia.