Themelimi i ushtrisë, brenda këtij viti
Derisa sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolenberg, thotë se për formimin e Ushtrisë së Kosovës duhet të vendosin vetë kosovarët, bërja e vendit me ushtri po shihet ende si mundësi e largët. Stolenberg ka theksuar se NATO-ja nuk ka kompetencë për themelimin e ushtrisë kosovare, sepse kjo iu takon autoriteteve në Prishtinë.
Në Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) ndërkaq besojnë se viti 2017 do të jetë viti i formimit të Ushtrisë së Kosovës.
“Ne besojmë dhe shpresojmë që përfundimisht viti 2017 do të jetë viti kur Kosova do të bëhet me forca të armatosura, duke e realizuar kështu një dëshirë të kamotshme jo vetëm të MFSK-së, pjesëtarëve të FSK-së, por edhe të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës”, ka thënë Remzie Zeqiraj, oficere për marrëdhënie me publikun në MFSK.
Sipas saj, MFSK-ja dhe FSK-ja janë të gatshme për të marrë mision dhe detyra të reja.
“Ne kemi kryer punën tonë dhe po vazhdojmë të punojmë më tutje sipas misionit aktual. FSK-ja është aktive në ruajtjen e kapaciteteve ekzistuese dhe e gatshme për marrjen e detyrave të reja që i janë paraparë misionit të FAK-ut”, ka përfunduar ajo.
Transformimi i FSK-së, peng i vendimmarrjes politike
Në anën tjetër eksperti i sigurisë, Drizan Shala, vlerëson se transformimi i FSK-së është peng i vendimmarrjes politike.
“Nëse iu referohemi raporteve të punës brenda vetë Ministrisë së Forcës dhe asistencës profesionalo-teknike të mekanizmave si: DIRI, DIP, NALT etj, atëherë FSK-ja ka përfunduar pjesën përkatëse të rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë, një punë mbi 2 vjeçare dhe ka dorëzuar raportin final të rekomandimeve për transformim të FSK-së në FAK në prill të vitit 2014”, ka thënë Shala.
Siç thotë ai, është gabimi më i madh në qoftë se procesi i krijimit të Forcës FAK bëhet pre e agjendave të politikave ditore të qarqeve politike në Beograd dhe Kosovë.
“Kosova duhet të jetë më e vendosur dhe më kërkuese dhe konsistente në raport me Brukselin për sqarimin e agjendave në procesin e stabilizimit të raporteve ndërshtetërore Kosovë-Serbi”, ka thënë Shala.
Ai tutje vlerëson se institucionet e Kosovës duhet të gjejnë modalitet për depërtimin e agjendave të bisedimeve në Bruksel. “Nuk guxojnë të shtrohen në tryezat e bisedimeve dypalëshe asetet me interes vital për shtetin, siç janë Forcat e Armatosura të Kosovës, si garantuese të Sovranitetit Politik dhe Integritetit Territorial si mision themelor (kryesor)”, ka përfunduar Shala.
Çuni: Serbia nuk ka hequr dorë nga Kosova
Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtari i Komisionit për siguri në Kuvendin e Kosovës, Anton Çuni, ka vlerësuar se shteti serb në arritjen e disa synimeve të saj llogarit edhe në rolin e ushtrisë serbe. Prandaj sipas tij, institucionet e Kosovës duhet me shpejtësi të marrin vendimin për themelimin e një ushtrie.
“Në arritjen e disa synimeve të saja, Serbia llogarit edhe në rolin e Ushtrisë Serbe.
Prandaj, institucionet e Kosovës duhet me urgjencë të ndërmarrin veprime të bashkërenditura mirë me partnerët tanë strategjikë për ngritjen e kapaciteteve të plota mbrojtëse”, ka vlerësuar ai.
Sipas Çunit, ushtria si komponentë e sigurisë duhet sa më shpejt të jetë në agjendën e Qeverisë.
“Ushtria si komponentë e sigurisë do të duhej sa më shpejt të jetë në agjendën e Qeverisë. Kjo forcë duhet të garantojë integritetin dhe sovranitetin e Kosovës, mbrojtjen e institucioneve dhe jetën e të gjithë qytetarëve të saj”, ka thënë ai.
Ndryshe, Çuni konstaton se largimi i forcave dhe administratës serbe nga Kosova nuk do të thotë se Serbia ka hequr dorë nga territori i Kosovës. “Jemi dëshmitarë të ndërhyrjeve të ndryshme të Serbisë të cilat mund të cilësohen si minim i të gjitha proceseve për ndërtimin dhe zhvillimin e Kosovës si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur”, ka potencuar ai. Duke theksuar se Serbia llogarit se në një të ardhme të afërt mund të ndodhë një destabilizim global.
Ndërsa politologu Ramush Tahiri mendon se krijimi i Ushtrisë nuk lidhet me çështjet aktuale të tensionimit të gjendjes në Kosovë. “Kosova ka nevojë për një ushtri moderne joofensive në partneritet me NATO-n. Sovraniteti e integriteti territorial i Kosovës asnjëherë nuk varet nga ekzistimi apo jo i ushtrisë e as siguria e brendshme apo e jashtme”, ka thënë Tahiri.
LVV: Ushtria duhet të krijohet urgjentisht
Në subjektin më të madh opozitar, Lëvizjen “Vetëvendosje”, konsiderojnë se ushtria duhet të krijohet urgjentisht. Deputeti i këtij subjekti, Rexhep Selimi, ka vlerësuar se përkundër dallimeve politike në vend ekziston uniteti për themelimin e ushtrisë.
“Me gjithë dallimet politike, qytetarët e Kosovës janë unikë sa i përket ngritjes së Ushtrisë. Në vend që këtë unitet ta promovonte edhe Qeveria e Presidenca, ata po e bëjnë të kundërtën; nuk po na thërrasin në unitet për ushtrinë, por po na thërrasin t'iu bashkohemi atyre në bisedime me Serbinë”, ka thënë Selimi.
Sipas tij, Ushtria e Kosovës është dashur të themelohet 9 vjet më parë. “Nëse jo më herët, atëherë është dashur që Ushtria e Kosovës të themelohet bashkë me shpalljen e pavarësisë. Shpallja e Pavarësisë dhe Kushtetuta pa ushtri janë të mangëta dhe të rrezikuara. Tani, sidomos pas krijimit të një situate të rëndë në fushën e sigurisë, ngritja e ushtrisë së Kosovës (FAK) është e domosdoshme dhe urgjente”, ka potencuar Selimi.
Derisa thotë se subjekti që ai përfaqëson është deklaruar gjithmonë pro këtij shndërrimi. “Lëvizja ‘Vetëvendosje’ gjithmonë ka deklaruar se do t'i mbështesë dhe do t'i votojë amendamentet kushtetuese që e bëjnë Kosovën me forcat e saja të armatosura”, ka potencuar Selimi.
Ndërsa në partinë “Nisma për Kosovën” mendojnë se shumë shpejt FSK-ja do të shkojë drejt ndërrimit të misionit.
Deputeti i kësaj partie, Zafir Berisha, ka konsideruar se tanimë ekziston një unitet politik në lidhje me këtë çështje. “Edhe në Komisionin Parlamentar për Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së është një unitet i gjithë forcave politike për të bërë një hap përpara në ndërrimin e misionit të FSK-së drejt përgjegjësive ushtarake dhe mendoj se kjo do të ndodhë shumë shpejt”, ka thënë Berisha.
Ai vlerëson se tani më shumë se kurrë formimi i ushtrisë duhet të jetë një ndër prioritet e vendit, ka konsideruar se rrethanat politike e kanë bërë prioritet këtë çështje.
“Mendoj se rrethanat politike e veçanërisht të sigurisë në Kosovë dhe rajon e kanë bërë formimin e ushtrisë prioritet të prioriteteve”, ka thënë Berisha.