Agjencia e Kundërkorrupsionit heton Rektoratin e UP-së

Aktuale February 02, 2017 - 12:38

Agjencia Kundërkorrupsionit e Kosovës (AKK), ka nisur hetime ndaj Rektoratit të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” lidhur me konkursin për pranimin e stafit akademik.

Pjesëtarë të kësaj agjencie kanë intervistuar në Rektorat zyrtarët e përfshirë në pranimin e stafit akademik, që dyshohen për shkelje të statutit.

Hetimi nga kjo Agjenci, sipas burimeve të gazetës “Zëri”, po vazhdon ende dhe se ky hetim i AKK-së përfshin rastin e specialistes së vetme në Kosovë për farmaci klinike, e cila është larguar nga UP-ja duke u shkelur statuti i UP-së, për çka ka raportuar sot gazeta “Zëri”.

LEXO EDHE: Dallaveret e Rektoratit me pranimin e asistentëve në UP

Dekania e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, nuk e ka mohuar për gazetën se lidhur me këtë rast është kontaktuar nga Agjencia Kundërkorrupsion.

Manxhuka-Kërliu ka thënë se ajo ka ofruar gjithë të dhënat e kërkuar nga kjo agjenci dhe se Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë ka vepruar bazuar në standardet ndërkombëtare dhe praktikat e Fakulteteve të Mjekësisë në nivel evropian duke u fokusuar në aktivitetin profesional dhe shkencor të kandidatëve, ku në përparësi ajo potencon se ka dal kandidatja Rozafa Koliqi, raporton Zeri.info

Ndërkaq, në kuadër të debatit me studentë në muajin dhjetor rreth dukurisë së korrupsionit, organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, studentëve u është bërë thirrje të aktivizohen kundër korrupsionit dhe të mos pranojnë të jenë pjesë e kësaj dukurie as tani si studentë, as në të ardhmen si profesionalë.

Shaip Havolli, drejtor i Agjencisë Kundërkorrupsionit (AKK), në këtë debat pat ftuar studentët të raportojnë korrupsionin.

“Ka profesorë që shesin nota, ka ndërmjetësues studentë, pra prej organizatave studentore, jo të gjithë studentët e organizatat, por ka në mesin e tyre. Prandaj prej aty ju mund të jepni kontribut në fushën e arsimit”, ka thënë Havolli. /Zëri.info