Mustafa: Pa Demarkacion s’ka viza as në 2017

Aktuale January 30, 2017 - 08:17

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka rikonfirmuar për “Zërin” se pa ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, edhe atë brenda muajit shkurt, liberalizimi i vizave mund të mos bëhet as në vitin 2017. Përgjegjësinë për mbajtjen peng të qytetarëve ai ka thënë se e bartin deputetët të cilët po e pengojnë procesin

Nëse ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi nuk do të bëhet gjatë muajit të ardhshëm (shkurt), liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian (BE) mund të mos bëhet as gjatë vitit 2017.

Kështu ka thënë në një intervistë të dhënë “Zërit”, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa. Sipas kryeministrit Mustafa lëvizja e lirë është në duart e deputetëve të opozitës, por, siç ka thënë ai, edhe të një numri të vogël të tyre nga partitë e pozitës, të cilët po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi.

Ndërkohë, duke folur rreth thirrjeve për ndërprerje të dialogut me Serbinë, pas zhvillimeve të fundit, kryeministri ka thënë se izolimi pa alternativë nuk është e arritur dhe do të ndërpriste proceset integruese euroatlantike.

Ndërkaq shtrirja e sovranitetit në tërë territorin e vendit është një tjetër qëllim, për të cilin, sipas kryeministrit Mustafa, Kosova do ta bëjë përpjekjen e saj maksimale për ta realizuar.

Ndërkaq, duke folur për raundin e fundit të bisedimeve me Serbinë, ai ka thënë se ky takim ka pasur për synim dhe ka arritur që të ulë tensionet e krijuara së fundi pas provokimeve. 

Zëri: Z. Kryeministër, muri në veri, arrestimi i Ramush Haradinajt me fletarrestime të vjetra por të riaktivizuara nga Beogradi, tentimi që treni me mbishkrime nacionaliste të futet në Kosovë etj. Sa kërcënuese janë për paqen e qëndrueshmërinë në Kosovë dhe rajon këto zhvillime të fundit të provokuara nga Beogradi?

Mustafa:  Provokimet sistematike nga ana e Serbisë kanë rritur shqetësimet lidhur me stabilitetin në Ballkan, dhe kjo nuk ka qenë e nevojshme. Edhe ndërtimi i murit, edhe çështja e trenit e edhe disa akte të tjera, e mbi të gjitha ndalimi i z. Ramush Haradinaj mbi bazën e fletarrestimeve ilegale serbe, janë veprime të papranueshme dhe që cenojnë të arriturat në rajon, janë në kundërshtim me frymën evropiane si dhe me përcaktimin e shumicës së qytetarëve të këtij rajoni për integrime euroatlantike, e jo për kthim në të kaluarën e errët.

Zëri: Si i vlerësoni paralajmërimet e presidentit serb se Beogradi do të mundë të dërgonte ushtrinë në Kosovë nëse ndodh të vriten serbët dhe a kanë të bëjnë këto veprime me situatën në veri. Çfarë po ndodh me atë pjesë dhe pse nuk është zgjidhur ende?

Mustafa: Duhet të hiqet dorë nga fjalori i kërcënimeve dhe konflikteve. Serbët në Kosovë janë të sigurt, ata i mbrojnë ligjet e Kosovës, institucionet e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës.

Ndërkaq, për situatën në veri mund të them se ka pasur përparime, të cilat lidhen me heqjen e dhjetëra barrikadave, komunat veriore kanë bërë hapa përpara, kanë miratuar buxhetet sipas akteve ligjore të Republikës së Kosovës, kemi pasur kontakte me kryetarët e komunave për çështje që lidhen me përmirësimin e jetës së qytetarëve, organet e ndryshme po veprojnë sipas ligjeve, mirëpo ende ka probleme me strukturat paralele të cilat po i bëjnë pengesë edhe vetë kryetarëve serbë të zgjedhur nga qytetarët në zgjedhjet lokale, të cilat u zhvilluan edhe në atë pjesë sipas ligjeve tona. Muri ilegal ishte një veprim krejt i paligjshëm dhe ai do të trajtohet sipas ligjeve të Kosovës. Por, ne jemi të përcaktuar që të vazhdojmë përkushtimin për integrimin e plotë të qytetarëve serbë përmes dialogut dhe formave demokratike të veprimit. Megjithatë, institucionet e Kosovës do të jenë të vendosura të ballafaqohen me sfida të cilat tentojnë dhe që kanë për synim nxitjen e tensioneve dhe konflikteve në territorin e Kosovës.

Kërkesa për ndërprerjen e dialogut, për konsum politik

Zëri: Opozita, por edhe shumë analistë kanë kërkuar ndërprerjen e bisedimeve me Serbinë pas ngjarjeve të fundit. A mund të ndodhë kjo ose të paktën të ketë rikonstruktim të tyre?

Mustafa: Kam dëgjuar kërkesa për ndërprerje të bisedimeve, por nuk kam dëgjuar ndonjë ide të arsyeshme se çfarë pastaj. Izolimi pa alternativë nuk më duket e arritur. Është e rëndësishme që të mos izolohemi dhe të mos dëmtojmë partneritetin që është jetik me vendet që na ndihmuan të fitojmë lirinë, të shpallim pavarësinë e të njihemi nga 113 vende. Nuk mund të ndërpresim proceset integruese euroatlantike. Të gjitha këto procese avancohen me përkushtim dhe guxim për dialog, proces në të cilin ne nuk pranojmë të dëmtohemi por avancojmë proceset tona.

Ne, po ashtu, do të bëjmë përpjekje maksimale që të mos lejojmë më të provokohemi, që të marrin fund njëherë e përgjithmonë arrestimet me fletarrestime të paligjshme, që Kosova ta shtrijë plotësisht sovranitetin në tërë territorin, që së shpejti të avancojmë edhe më tej në rrugën eurointegruese. Këto nuk bëhen me izolim dhe njëanshëm nga ne por me partneritet me SHBA-në, vendet tjera mike dhe BE-në  e NATO-n.

Dua të shtoj se nuk e marr as si serioze kërkesën e opozitës për ndërprerje të dialogut, sepse ishin të njëjtit ata, të cilët në kohën e “Bllokut” këmbëngulnin dhe jepnin të gjitha garancitë se do të vazhdohet me dialogun, bile bënin gara se kush duhet të udhëheqë dialogun. Tani kjo kundërshti bëhet kryesisht për konsum politik. 

Sa u përket analistëve, konsideroj se është vështirë ta konsiderosh analist politik ata që angazhohen për izolim dhe për ndërprerje të komunikimit me faktorin ndërkombëtar. Konkludime të tilla mund të jenë shprehje e emocioneve ose e pakënaqësisë me sjelljen e Serbisë por aspak rezultat i një analize të mirëfilltë politike.

Matja e territorit, ballafaqim me të vërtetën

Zëri: Z. kryeministër debat tashmë 1 vit e gjysmë është bërë Demarkacioni me Malin e Zi. Mosratifikimi i kësaj marrëveshjeje u ka kushtuar qytetarëve të Kosovës vazhdim të izolimit. Çfarë do të bëhet me këtë marrëveshje?

Mustafa: Ka pasur vonesa në këtë proces, por Qeveria në asnjë moment nuk ka ndalur përpjekjet duke krijuar hapësirë për debat shterues dhe argumentues. Së fundi, me qëllim që të sqarohet përfundimisht gjithçka, kemi iniciuar krijimin e komisionit të ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës para Marrëveshjes së Demarkacionit dhe pas saj, në mënyrë që të bëhet e qartë se a është humbur tokë siç është pretenduar.

Ky komision ka filluar punën dhe tashmë pjesë e tij janë përfaqësues nga Akademia e Shkencës dhe e Arteve e Kosovës; Fakulteti i Shkencave Matematikore Natyrore; ekspertë nga Organizatat e Shoqërisë Civile; Agjencioni i Kadastrit; Agjencioni i Ujërave; Agjencioni i Pyjeve; KOSTT-i; Agjencia Kosovare e Privatizimit; Policia e Kosovës; Agjencioni i Statistikave të Kosovës; Komuna e Pejës; Komuna e Istogut, Komuna e Deçanit dhe ajo e Junikut dhe përfaqësuesit e zonës së Rugovës, të zgjedhur nga tubimi i qytetarëve atje. Në cilësinë e anëtarëve vëzhgues pjesë e komisionit janë konfirmuar edhe përfaqësues nga: Ambasada e SHBA-së; Bashkimi Evropian dhe KFOR-i.

Presim që komisionit t’i bashkëngjiten edhe përfaqësuesit e Lëvizjes “Vetëvendosje”; Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nismës për Kosovën”.

Matja e territorit është ballafaqim me të vërtetën. Prandaj nuk mund të justifikohet mospjesëmarrja në matje të territorit, sidomos nga ata që kanë kritikuar se Kosova po humb territor.  

Kjo është një mundësi e mirë, që përfundimisht të sqarohet gjithçka, dhe që deputetët e Kuvendit të adresojnë këtë çështje varësisht prej rezultatit të komisionit i cili do të bëjë matjen kompetente të territorit të Kosovës.

Kushti për luftimin e korrupsionit, i përmbushur

Zëri: A do të ketë liberalizim të vizave në vitin 2017?

Mustafa: Liberalizimi i vizave është në duart tona, të deputetëve të opozitës, por edhe të një numri të vogël të tyre nga partitë e pozitës, të cilët po e kundërshtojnë ratifikimin e Marrëveshjes për Shënjimin e Kufirit me Malin e Zi. Varet edhe nga BE-ja. Por kjo çështje duhet të kryhet shpejt, gjatë këtij muaji. Ndryshe nuk konsideroj se mund të bëhet gjatë vitit 2017. Ndërkaq, përgjegjësinë për mbajtjen peng të qytetarëve duhet ta bartin deputetët të cilët po e pengojnë procesin.

Është e qartë që kushti i dytë që ka të bëjë më luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është çështje e kryer dhe ka mbetur vetëm Demarkacioni në mënyrë që kosovarëve t’iu hapet udha për lëvizje të lirë. Prandaj, të përsëris se kjo do të jetë në dorën e deputetëve pas matjes së territorit.

Zëri: Situata e fundit me trenin edhe njëherë vuri në pah nevojën e një shteti që të ketë ushtrinë e saj. Kur do të kemi transformimin e FSK-së dhe si po shkon ky proces?

Mustafa: Uroj që të mos kemi nevojë që trenat t’i ndalojmë me ushtri. Por që ushtritë t’i kemi për misione paqeruajtëse dhe mbrojtëse të vendit. Sa i përket transformimit të FSK-së ne kemi punuar në këtë drejtim tash e më shumë se dy vjet. Në koordinim me partnerët strategjikë ndërkombëtarë, SHBA-në, vendet tjera mike perëndimore, NATO-n, do të punojmë edhe më tej në këtë drejtim dhe presim rezultate. Me rëndësi është që FSK-ja është plotësisht e gatshme për këtë proces.

Zëri: Si kaloi takimi i fundit i dialogut në Bruksel. Çfarë u morët vesh, kur do të jetë raundi i radhës dhe a priten ndryshime në formatin e dialogut?

Mustafa: Ky takim ka pasur për synim dhe ka arritur që të ulë tensionet e krijuara së fundi pas provokimeve. Takimi ka qenë i fokusuar në ngjarjet e fundit ku pala jonë ka kërkuar respektim të territorit dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës si dhe ndërprerjen e të gjitha provokimeve nga strukturat paralele të Serbisë.

Po ashtu, kemi theksuar përkushtimin tonë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve përmes dialogut, të ndjekim rrugën eurointegruese dhe të sigurojmë paqe dhe stabilitet. 

Përfaqësuesja e Lartë, Mogherini, është shprehur se ajo do t’i adresojë ftesat për takime te të dy kryeministrat, te ai i Kosovës dhe ai i Serbisë, ndërkaq mbetet çështje e jona të përcaktohemi për formatin e dialogut. Po presim ftesën dhe koordinimin e kohës për takimin e ardhshëm, i cili është paralajmëruar se mbahet shumë shpejt. Ne jemi që ky proces të përshpejtohet dhe që të fillojë faza përmbyllëse e tij e cila do të rezultojë me normalizim të raporteve ndërmjet dy shteteve tona.

Kemi interes që në këtë proces të përfshihen përfaqësuesit më të lartë të shtetit, varësisht edhe nga përfaqësimi i Serbisë, si dhe përfaqësues të opozitës, të shoqërisë civile, ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe proceseve evropiane në mënyrë që pala kosovare të jetë sa më e përgatitur dhe gjithëpërfshirëse.