Dialogu 'shtyn' zgjedhjet
Ngritja e nivelit të dialogut Kosovë - Serbi, me përfshirjen e presidentëve të të dyja shteteve, vlerësohet si sinjal se në Kosovë nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare, të cilat vazhdimisht po i kërkon opozita, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Vazhdimi i dialogut Prishtinë - Beograd, tani edhe me pjesëmarrjen e presidentëve të të dyja shteteve, vlerësohet si sinjal i qartë se pushteti nuk është i interesuar për zgjedhje të parakohshme gjatë këtij viti, të cilat po i kërkon vazhdimisht opozita kosovare.
Përfaqësuesit e Qeverisë thonë se deri më tani nuk ka pasur indikacione serioze për zgjedhje të parakohshme dhe se një gjë e tillë është vetëm dëshirë e opozitës.
Kurse, subjektet opozitare në vend thonë se pushteti është i interesuar që ta vazhdojë dialogun me qëllim që të mos u shkurtohet mandati.
Kurse, analistët politikë thonë se në këtë situatë përveç pushtetit në Kosovë, as Bashkimi Evropian nuk është i interesuar për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, shkruan Gazeta "Zëri".
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, pas kthimit nga Brukseli ka thënë se situatat e krijuara në vend pas veprimeve të fundit nga Serbia ishin tema kryesore të takimit.
“Jam i kënaqur që qëllimi kryesor i takimit për uljen e tensioneve është arritur. Por na mbetet shumë të punojmë për normalizimin e raporteve ndërshtetërore. Është e rëndësishme që të kërkojmë ndalimin e veprimeve nga Serbia, që qëllim kishte destabilizimin e situatës në Kosovë. Këtu përfshihen të gjitha veprimet e ndodhur në periudhën e fundit. Të dy palët jemi dakorduar se dialogu nuk ka alternativë”, ka deklaruar Thaçi në një konferencë për medie.
Ai po ashtu ka thënë se shpreson që në fazën e fundit të këtij dialogu të arrihet marrëveshje për pajtim të plotë mes shteteve.
Kurse Bajram Gecaj, këshilltar i kryeministrit të vendit, ka thënë se nuk ka pasur indikacione serioze për zgjedhje të parakohshme dhe, sipas tij, fjalët për zgjedhje të parakohshme janë vetëm dëshira.
“Asnjëherë nuk ka pasur indikacione serioze se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, vetëm spekulime dhe dëshira”, ka deklaruar Gecaj.
Dialogu, për të qëndruar në pushtet
Në anën tjetër deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, ka thënë për “Zërin” se kërkesa e opozitës për zgjedhje të parakohshme është e arsyeshme.
“Kërkesa jonë është që të shkohet në zgjedhje të parakohshme sa më parë, jo pse Kosova e ka luksin të shkojë në zgjedhje, por për shkak se dëmet janë më të mëdha nëse vazhdohet kështu. Shkuarja në zgjedhje dhe prodhimi i një qeverie të përgjegjshme e të ndërgjegjshme është ajo që i duhet Kosovës”, ka potencuar Haxhiu.
Por sipas saj, insistimi i kryeministrit Isa Mustafa dhe presidentit Hashim Thaçi për të vazhduar dialogun me Serbinë lidhet me mosshkurtimin e mandatit të këtij pushteti.
“Qëndrimi sa më i gjatë në pushtet është arsyeja pse Mustafa e Thaçi janë të interesuar që të vazhdohet dialogu. Ata kërkojnë që ta zgjasin mandatin e tyre në pushtet dhe asgjë tjetër”, ka shtuar Haxhiu.
Ndërsa deputeti i “Nismës për Kosovën”, Zafir Berisha, ka thënë se tensionet e fundit janë të inskenuara nga presidenti Hashim Thaçi me qëllim që, sipas tij, ai të faktorizohet përmes dialogut me Serbinë.
“Tensionimi i situatës, inskenimi i trenit, i murit, por edhe arrestimi i Ramush Haradinajt lidhet shumë me ngritjen e nivelit në bisedime, në mënyrë që të jetë faktor njëri nga përgjegjësit kryesor për stagnimin e Kosovës, Hashim Thaçi. Mendoj që ai këto i bën me skenar të përgatitur për mbijetesë në politikë. Përndryshe, zgjedhjet janë shpëtimi i vetëm për ta nxjerrë vendin nga kjo situatë”, është shprehur Berisha.
Matoshi: BE-së i konvenon kjo strukturë “e dëgjueshme”
Publicisti Halil Matoshi ka thënë se janë rritur gjasat që gjatë këtij viti të mos ketë zgjedhje të parakohshme. Madje, sipas tij, as Bashkimi Evropian nuk është i interesuar që në Kosovë të ketë zgjedhje të parakohshme.
“Duket se agjenda e Kosovës është shumë e ngarkuar, kështu që zgjedhjet edhe mund të mos mbahen gjatë këtij viti si zgjedhje të parakohshme. Për të shkuar në zgjedhje të parakohshme vendosin partitë politike, por që natyrisht se edhe Bashkimit Evropian i konvenon një strukturë e tillë politike, e cila praktikisht mund të jetë më lehtë e menaxhueshme”, ka vlerësuar Matoshi.
Edhe profesori universitar, Blerim Burjani, ka thënë se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ndërpritet dialogu, megjithatë ia thotë, se ky dialog nuk duhet të zgjasë në “pafundësi”.
“Është e rëndësishme që dialogu të vazhdohet, por duhet të përfundojë sa më shpejt që është e mundur dhe jo të zgjatet në pafundësi. Mendoj që edhe Bashkimi Evropian tani nuk është i interesuar që të ketë zgjedhje në Kosovë, por që dialogu të vazhdojë. Gjithashtu nuk mendoj se zgjedhjet do të zgjidhnin diçka, nuk besoj se do të kishte ndonjë ndryshim të madh”, ka deklaruar Burjani.
Përndryshe, që nga nënshkrimi i Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe asaj për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi në gusht të vitit 2015, subjektet opozitare kërkojnë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi vlerësojnë se qeveria “Mustafa” e ka humbur legjitimitetin për të qeverisur me vendin për shkak të këtyre marrëveshjeve që opozita i vlerëson si të dëmshme.