Qytetarët mund të ankohen në mënyrë elektronike

Aktuale January 24, 2017 - 11:11

Ministria e Administratës Publike ka lansuar sot projektin elektronik e-kutia përmes së cilës do të bëhet matja e opinionit të qytetarëve për shërbimet që ofrojnë institucionet e vendit.

Në këtë aktivitet ishte i pranishëm edhe kryeministri i vendit Isa Mustafa i cili tha se ky projekt zëvendëson kutitë klasike me ç`rast matja e opinionit të qytetarëve përmes mënyrës digjitale do kryejë shumë funksione.

“Mendoj se projekti synon të zvogëlojë kohën e pritjes dhe të shtojë numrin e shërbimeve si dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve që ofrojnë institucionet e vendit”, shtoi Mustafa.

Sipas tij, në këtë drejtim kërkohet edhe qëndrim bashkëpunues në mes të institucioneve.

Ai njëherit ka përgëzuar Ministrinë e Administratës Publike duke thënë se ky program është me rëndësi të veçantë për institucionet e Kosovës.

Nga ana e tij, ministri Mahir Yagcilar theksoi se tashmë kutitë elektronike janë vendosur pranë sporteleve dhe se kanë përgatitur edhe fushatë vetëdijësuese për këtë  projekt

Ndërkaq, zëvendësdrejtoresha e UNDP-së Alessandra Roccasalvo u shpreh e lumtur që kanë përkrahur projektin në në fjalë, njofton Klan Kosova.