Reforma zgjedhore e Thaçit s’bëhet pa opozitën
Partnerët e koalicionit PDK - LDK thonë se reforma zgjedhore e iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi nuk mund të bëhet pa konsensus me subjektet opozitare. Ndërsa opozita që nga fillimi e ka kundërshtuar reformën, duke thënë se ajo duhet të bëhet pas zgjedhjeve, shkruan sot Gazeta "Zëri"
Reforma zgjedhore e iniciuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në fund të vitit të kaluar është mbështetur në grupet punuese dhe pritet të procedohet në Kuvend.
Megjithatë, përfaqësuesit e koalicionit qeverisës, si dhe ata të shoqërisë civile thonë se reforma nuk mund të bëhet pa pjesëmarrjen e subjekteve opozitare në këtë proces.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Zenun Pajaziti, ka thënë për "Zërin", se do të ishte mirë që të gjithë të jenë të përfshirë në këtë proces, pushteti dhe opozita.
“Reforma zgjedhore nuk i duhet vetëm pozitës, apo një a dy partive, ajo iu duhet të gjitha partive. Madje, sa është e rëndësishme që të jenë të përfshira të gjitha partitë është e rëndësishme që të jetë e përfshirë e gjithë shoqëria. Ky është një shans që tash është lansuar përmes presidentit, por është mirë të mos bëhet me ngut, të priten të gjithë që ta japin kontributin e tyre”, ka deklaruar Pajaziti.
Kurse, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, ka thënë se nuk mund të ketë reformë zgjedhore pa pjesëmarrjen e opozitës, sepse ka të bëjë me organizimin e jetës politike në vend.
“Reformë zgjedhore nuk mund të ketë pa konsensus, pa gjithëpërfshirje, sepse ka të bëjë me organizimin e jetës politike në vend dhe besoj që pa gjithëpërfshirje është e pamundur. Duke i parë edhe idetë që janë hedhur për ndryshime të Kushtetutës, aq sa kam parë në medie, kjo nuk mund të bëhet pa konsensus. Por gjithsesi, çdo gjë që ka të bëjë me reformën zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirëse sepse ka të bëjë me rregullat e demokracisë mbi bazën e të cilave duhet të veprojnë partitë politike në procesin zgjedhor, ka theksuar Gashi.
Edhe Albert Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se reforma zgjedhore ka filluar qysh në vitin 2011, kohë kjo kur vendi ka qenë në ngërç politik dhe sipas tij, inicimi i reformës është përdorur më shumë si pretekst për ta zhbllokuar situatën politike atëherë. Prandaj, sipas Krasniqit, inicimi i reformës zgjedhore mund të mos e ketë qëllim primar kryerjen e reformës, porse më shumë përdoret për të blerë kohë për zgjedhje.
Më tej Krasniqi ka thënë se KDI-ja në vazhdimësi e ka ngritur nevojën e reformimit të sistemit zgjedhor.
“Tani jemi në situatë kur presidenti i vendit ka marrë iniciativë për reformë zgjedhore. Pavarësisht rezervave që i kemi pasur për shkak të mospranisë së opozitës aty, ne kemi marrë pjesë dhe i kemi paraqitur propozimet tona që besojmë se mund ta përmirësojnë sistemin zgjedhor. Pa përfshirjen e opozitës është e vështirë që të ndodhë reforma për shkak se edhe po t’i ketë numrat koalicioni qeverisës, një proces kaç i rëndësishëm nuk duhet të miratohet pa pasur një konsensus të përgjithshëm”, ka vlerësuar Krasniqi.
Ndërkohë, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu, ka thënë se koalicioni qeverisës mund t’i ketë votat për ta kryer reformën zgjedhore, por ai thotë se kjo nuk mund të bëhet pa konsensus të gjerë.
Përndryshe, grupet punuese për reformën zgjedhore kanë propozuar që të ndryshohet mënyra e zgjedhjes së presidentit, pra që ai të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, mirëpo nuk janë propozuar ndryshime të kompetencave. Gjithashtu është përmendur shumë edhe mbyllja e listave zgjedhore, megjithatë kjo nuk është përkrahur nga grupet punuese, gjithashtu nuk është ndryshuar as çështja e zonave zgjedhore.
Është propozuar shkurtimi i numrit të preferencave, nga 5 sa janë aktualisht, në 1 preferencë, dhe që lideri i subjektit bartës i listës, pra lista fillon nga numri 2.
Kurse pragu zgjedhor për kandidatët do të jetë 2,5%, për parti 5% dhe për koalicione 7,5%.