Ashpërsohet konflikti ndërmjet zëvëndëses së Vuçiq dhe presidentit Nikoliq (FOTO)

Aktuale January 19, 2017 - 20:11

Mediat në Serbi shkruajnë kohëve të fundit për një konflikt të hapur ndërmjet Nënkryetares së Qeverisë serbe, Zorana Mihajlovic, dhe Presidentit serb, Tomislav Nikolic

Disa komentues në Serbi thonë se Mihajlovic e thotë atë që e mendon shefi i saj, Kreyministri Aleksandar Vucic.

Mihajlovic ishte e ashpër në një deklaratë publike ku kritikonte Presidentin serb me tone të ashpra sepse kishte kritikuar Qeverinë serbe se pse nuk ka kërkuar kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë.

Ajo kishte thënë se Nikolic e di shumë mirë se pse ushtria serbe nuk mund të jetë në Kosovë.

Në anën tjetër, këshilltarja e Nikolic, Stanislava Pak, e kishte quajtur Mihajlovic si “një kanaqe që nuk nxjerrë zë”.

Në fakt, kur jemi te kthimi i ushtrisë serbe në Kosovë, duhet sqaruar se fjala është për marrëveshjen Tekniko Ushtarake të nënshkruar në Kumanovë të Maqedonisë, me 9 qershor 1999, ndërmjet ish federatës Serbi – Mali i Zi, që është trashëguar nga Serbia, me NATO-n, për tërheqjen pa kushte të ushtrisë, policisë dhe grupeve paramilitare serbe nga Kosova.

Marrëveshja e ndalonte kthimin e forcave të sigurisë serbe perveç një numri të kufizuar të personelit serb, për të kryer disa detyra të tilla si deminimi, ruajtja e manastireve serbe, zyrën ndërlidhëse dhe prezencën në pikat kufitare.

Në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, ky personel ishte i kufizuar në disa qindra e që nuk mund të ishin mijëra.

Serbia nuk ka bërë kërkesë për shkuarje të këtij personeli në Kosovës sepse e di që KFOR, si autoriteti perfundimtar i interpretimit të dokumenteve ushtarake, nuk do të lejonte me arsyetimin e aspekteve të sigurisë.

Rezoluta 1244, në anën tjetër e bën shumë të qartë pamundësinë e hyrjes së forcave të sigurisë të Serbisë më ç’rast i ka dhënë KFOR-t përkatësisht NATO-s autorizim të pakufizuar kohor për zmbrapsjen e ndonjë avanture ushtarake serbe, bile në formën e detyrueshme.

Në këtë situatë tensioni nuk mungojnë edhe momentet e humorit sa që gazeta beogradase Blic, e ka qitur në faqe të parë Presidentin serb, Nikolic, dhe Zevendëskryeministren Mihajlovic me titull “Zorana: Nikolic, prapa”, me urdhërin ushtarak serb “ostav” që në gjuhën shqipe e ka kuptimin “prapa, duhet ta bësh përsëri siç duhet”.

Ndërsa në shpjegim thuhet se “Nënkryetarja e Qeverisë e porositi Nikolic që të braktisë fjalorin luftarak”. /Express/

Image