Konsensus në mediat e Amerikës Latine, Thaçi ndali trenin

Aktuale January 18, 2017 - 20:40

Media të ndryshme në Amerikën Latine, kanë raportuar për gjendjen e tensionuar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi Beogradi njëanshëm kishte nisur një tren propagandues në drejtim të Kosovës.

Agjencia e lajmeve e Spanjës, “Europa Press” me ndikim në Amerikën Latine ka shkruar se Policia e Kosovës ka bllokuar të shtunën hyrjen në vend të një treni të Serbisë, i ngjyrosur me ngjyra të flamurit nacional serb dhe me sloganin: “Kosova është Serbi”.

Sipas kësaj agjencie, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka urdhëruar njësitin kufitar që ta ndalë trenin “provokator, i cili përfundimisht nuk u autorizua për të hyrë në vend.

“I kam kërkuar Policisë dhe ministrisë së Mbrojtjes që ta ndalin menjëherë këtë tren me çfarëdo çmimi”, ka thënë Thaçi, transmeton "Zeri.info".

Gazeta “El Pais”:

Gjithçka ishte gati që të shtunën e kaluar, tashmë pas 18 vjetëve të bombardimeve të NATO-s mbi Serbinë, të fillojë një linjë e re e trenit që do ta bashkonte Beogradin me Mitrovicën.

Me vagonë rusë, ndërkaq përbrenda i dekoruar me simbole të traditës kulturore serbe, e cila gjë i irritoi autoritetet e Kosovës, ishte treni i ngjyrosur me flamurin serb nga jashtë dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” që u ndalua të hyjë në Kosovë.

Me kërkesën e presidentit Thaçi, policia kufitare e ndaloi trenin “provokator” në hyrje të vendit.

Gazeta e Kostarikës, “El Pais.cr

Kthehet në Beograd treni serb që nuk u lejua të hyjë në Kosovë për shkak të sigurisë

Shënim: ky artikull është marrë nga “Sputnik”

Nga ana e tij, presidenti kosovar, Hashim Thaçi, vuri në pikëpyetje “dekorimin nacionalist” të trenit serb, duke e cilësuar hyrjen e tij në Kosovë si “provokuese” dhe “tërësisht të papranueshme”. Për më tepër, Thaçi tha se treni barte funksionarë të lartë serbë që nuk kishin leje të hynin në Kosovë.

Presidenti i Kosovës akuzon Serbinë për pretendime territoriale

Portali latin, “Terra

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, akuzoi sot Serbinë që, përmes provokimeve, tenton ta arrijë “skenarin e vjetër të ndarjes” dhe aneksimin e një pjese të territorit, duke nënvizuar se Beogradi e ka përkrahjen ruse në realizimin e planeve të tij.

Thaçi siguroi se dërgimi i trenit nga Beogradi në qytetin kosovar të Mitrovicës, me flamurin serb dhe mbishkrimin: “Kosova është Serbi” në më shumë se njëzetë gjuhë, kishte për qëllim destabilizimin e Kosovës.

“Serbia llogaritë në përkrahjen e Rusisë. Për këtë, një tren i Rusisë ishte nisur nga Beogradi drejt Kosovës. Kjo nuk është e rastësishme, por e planifikuar nga Beogradi”, tha Thaçi.

Hashim Thaçi, një ish luftëtar gueril shqiptar-kosovar, kritikoi deklaratat e presidentit serb, Tomislav Nikoliqit, i cili kishte thënë se nëse është e nevojshme që t’i mbrojë serbët në Kosovë, “do ta dërgojë ushtrinë” në atë rajon.

Sipas Thaçit, këto deklarata dëshmojnë se Beogradi ka për qëllim aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës. “Kërcënimi i vetëm për sigurinë e serbëve kosovarë është kur Serbia i përdorë ata për t’i arritur qëllimet e veta”, thotë Thaçi.

“Serbia është e gatshme që të sakrifikojë qytetarët serbë të Kosovës për t’i arritur qëllimet e veta politike dhe ushtarake”, shtoi ai.

Për vendimin e presidenti Thaçi për të dërguar policinë e Kosovës në kufi me Serbi kanë raportuar edhe shumë media tjera të Amerikës Latine./Zeri/.