Instituti pa licencë lëshon raporte për licencim të klinikave private

Aktuale January 18, 2017 - 08:07

Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore nuk ka arritur ta licencojë Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq edhe pse, duke u bazuar në raportet e këtij të fundit, Ministria e Shëndetësisë licencon institucionet private shëndetësore. Po ashtu ky Institut bën matjen e shkallës së rrezatimit për punonjësit e SHSKUK-së  

Ndonëse Agjencia e Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi apo ndonjë institucion tjetër qeveritar nuk ka arritur të bëjë akreditimin apo ta licencojë Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq, mbi raportet që lëshohen nga ky Institut jepen licencat për të gjitha institucionet private shëndetësore që punojnë me rrezatim, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Ky Institut tash e disa vite funksionon si shoqëri aksionare, gjithashtu bën mbikëqyrjen e dozimetrave përmes të cilëve nxjerr raporte për shkallën e rrezatimit që i nënshtrohen punëtorët shëndetësorë të SHSKUK-së të cilët punojnë në vende me rrezikshmëri. 

Në zyrën e drejtorit të përgjithshëm të SHSKUK-së, Curr Gjocaj, konfirmojnë se dozimetrat për punëtorët që punojnë në vendet me rrezikshmëri në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) mbikëqyren nga Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq.

"Ky Institut këta dozimetra i përcjell dhe i mbikëqyr nga pas lufta e tutje", thuhet në një përgjigje me shkrim të bërë nga Zyra e drejtorit Gjocaj, përmes Zyrës së Informimit.

 Asnjë institucion që punon me rrezatim nuk ka licencë të Agjencisë së Rrezatimit

 Zyrtarë të SHSKUK-së thonë se zyrtari për Mbrojtje dhe Siguri në Punë i këtij Shërbimi është në kontakt të vazhdueshëm me Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore. Mes tjerash, sipas zyrtarëve të SHSKUK-së është diskutuar edhe mungesa e licencës së këtij institucioni për t'u marrë me mbikëqyrjen e dozimetrave të SHSKUK-së. "Aktualisht me sa jemi në dijeni asnjë nga institucionet nuk është i akredituar nga kjo  Agjenci", thuhet në përgjigjen e dhënë nga Zyra e drejtorit Gjocaj. 

Por, në SHSKUK thonë se derisa kjo çështje të zgjidhet nuk kanë alternativë tjetër dhe janë të obliguar që të bëjnë dozimetrinë për punëtorët në vendet me rrezikshmëri tek Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq.

"Dhe presim që në bashkëpunim edhe me Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore ta zgjidhim këtë çështje dhe nëse është e mundur edhe të plotësohen kriteret profesionale, kjo të bëhet edhe nga Instituti i Mjekësisë së Punës në Gjakovë që është në menaxhim të SHSKUK-së", thuhet në përgjigjen e Zyrës së drejtorit Gjocaj.

Por Beqir Mezelxhiu, kryeshef i Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, në një bisedë telefonike ka thënë se realisht dozimetrinë e mban Instituti dhe është një rast i mirë për Kosovën që ka një institucion i cili përkujdeset në aspektin dozimetrik. "Sa i përket licencimit problemi qëndron edhe tek ne në Agjenci sepse tek para dy jave neve na u është miratuar ligji i ri në Qeveri", ka thënë kryeshefi Mezelxhiu, sipas të cilit tashmë janë në pritje që ligji të miratohet edhe në Parlament.

"Ne jemi në fazën e përgatitjeve. Nuk po duam të hyjmë në mënyrë të paorganizuar dhe të parregulluar me rregullore dhe ligje. Por, ne kemi filluar si proces", ka thënë Mezelxhiu, i cili beson fuqishëm se Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq është një institucion që në fakt i plotëson kushtet për t'u marrë me këtë çështje.

I pyetur lidhur me vërejtjet që i kishin dhënë disa muaj më parë punëtorë të QKUK-së se i njëjti institut kishte dhënë rezultate të njëjta sikurse për dozimetrat që i kishin mbajtur larg rrezatimit, sikurse për ata që i kanë mbajtur të nënshtruar ndaj rrezatimit, Mezelxhiu ka thënë se kanë reaguar si Agjenci duke u bazuar në vërejtjet e QKUK-së të cilat ishin ngritur. 

"Kemi kërkuar prej Institutit të bëjë kontrollin e pajisjeve dhe krejt këto punë i kanë bërë këta", ka thënë Mezelxhiu, i cili është numri një i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore.

  Instituti i palicencuar lëshon raporte për licencim të klinikave private 

 Sehat Kadiri, shef i Shërbimit për Mbrojtje nga Rrezatimi në Institutin e Mjekësisë së Punës në Obiliq, ka thënë për "Zërin" se realisht nuk e kanë një licencë mbi të cilën operojnë.

Por Kadiri thotë se kanë një memorandum mirëkuptimi me Ministrinë e Shëndetësisë, Ministrinë e Ambientit dhe Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Duke u bazuar në atë memorandum tha ai se bëjnë raporte vlerësuese mbi bazën e të cilave Ministria e Shëndetësisë licencon edhe institucionet private shëndetësore. 

Mungesa e një licence apo akreditimi për të kryer kontrollin e pajisjeve që bartin punëtorët të cilët punojnë me rrezatim, sipas tij, ndërlidhet kryekëput me mungesën e rregulloreve dhe ligjeve të Agjencisë për Mbrojtje nga Rrezatimi.

"Ne kemi bërë kërkesë për njohje apo autorizim të veprimtarisë në Agjencinë për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore", ka thënë Kadiri. 

Por thotë se nuk kanë marrë ndonjëherë përgjigje me shkrim në lidhje me këtë çështje. 

Por në mungesë të krijimit të një normative nga Agjencia për Mbrojtje nga Rrezatimi dhe Siguria Bërthamore, Instituti, sipas Kadirit, i është nënshtruar normativave ndërkombëtare. 

"Agjencia nuk ka arritur të krijojë standarde as për nivelet e as për limitet e dozave", ka shtuar më tutje ai. Kështu, tha ai, janë anëtarësuar në Shoqatën Evropiane për Dozimetri. 

E dozimetristi i këtij Instituti, Gëzim Hodolli, ka shpjeguar se matjet që bëjnë në këtë Institut janë brenda standardeve ndërkombëtare. Kjo thotë ai është konstatuar edhe në një raport preliminar të hartuar nga grupi për dozimetri personale “Eura-Dose”, anëtar i së cilës thotë se është bërë Instituti i Mjekësisë së Punës në Obiliq, vitin që shkoi.