Thaçi dekoron Ashtonin me medalje

Aktuale January 18, 2017 - 08:01

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar ish-përfaqësuesen e lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, me medalje presidenciale për kontributin e dhënë në arritjen e marrëveshjeve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi e ka falënderuar baroneshën Ashton për kontributin e dhënë në kuadër të dialogut të Brukselit, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Në emër të institucioneve të Kosovës, në emër të popullit të Kosovës më lejoni që të ndaj ‘Medaljen e Meritave Presidenciale’ për rolin tuaj për arritjen e marrëveshjeve paqësore në mes të dyja vendeve tona dhe popujve tanë, një rol ky që do t’i çojë vendet tona dhe popujt tanë drejt një fqinjësie të mirë dhe pajtimi”, ka deklaruar Thaçi.

Kreu i shtetit më tej ka thënë se pavarësisht provokimit me shprehje nacionaliste përmes trenit, Serbia ka marrë leksionin e merituar. Sipas tij, kërcënimeve të Serbisë për luftë, Kosova do t'i përgjigjet me paqe, ndërsa kërcënimeve për ndarje, do t’i përgjigjet me unitet.

“Vizioni evropian do të ngadhënjej në rajonin tonë pavarësisht tensioneve të përkohshme që mund të krijohen. E ardhmja e Kosovës dhe e tërë Ballkanit perëndimor është një e ardhme euroatlantike që të jemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, ka shtuar Thaçi

Ndërsa, ish-përfaqësuesja e lartë e Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, ka inkurajuar vazhdimin e dialogut.

“Do të jem një avokate e madhe e asaj që mund të arrihet përmes dialogut. Faleminderit shumë për këtë nderim”, ka thënë ndër të tjera Ashton, shkruan "Zëri".

Më tej, ajo nuk ka dashur të komentojë lidhur me tensionet e fundit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ashton gjatë qëndrimit në Prishtinë ka takuar edhe kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafën. Gjatë këtij takimi, bëhet e ditur se kreu i Qeverisë ka njoftuar baroneshën Ashton për tensionet e fundit në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Përkundër zvarritjeve dhe provokimeve të shkaktuara nga pala serbe, Kosova edhe gjatë procesit të dialogut në Bruksel, po dëshmon se është model rajonal dhe më gjerë i përkushtimit për dialog, për paqe dhe stabilitet”, ka thënë Mustafa.

Në një komunikatë të Zyrës së kryeministrit bëhet e ditur se Ashton, duke çmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, ka theksuar edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut si mënyra më e mirë e normalizimit të raporteve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë. /ZËRI/