Hyseni: Maxhuni e dha urdhrin për ndalimin e trenit

Aktuale January 18, 2017 - 07:59

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Skënder Hyseni, paralajmëron se periudha prej tre-katër muajve të ardhshëm do të jetë e ndjeshme dhe mund të prodhojë situata të palakmueshme.

Këtë deklaratë ai e ka dhënë para Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Siguri, duke e cilësuar si provokim të rëndë trenin, i cili në fundjavë u nis nga Beogradi për në Mitrovicë të Veriut, por që u ndal në Serbi, pasi institucionet e Kosovës bllokuan kalimin e tij, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Ky është një provokim i radhës që vjen në kontekst të zhvillimeve shumë më të gjëra sesa raporteve Kosovë–Serbi. Në kontekstin global. Mos të harrojmë se kemi një gjendje të kalimit të pushteteve dhe të gjitha këto mund të kenë krijuar një ambient sipas politikës serbe të përshtatshme, që të provokohet ndonjë incident i përmasave të mëdha në Kosovë, në mënyrë që Serbia të fitojë një alibi të qëndrueshme. Unë mendoj se me veprimet tona kemi bërë që Serbisë mos t’i jepet ajo alibi”, ka deklaruar Hyseni.

Kurse anëtari i këtij komisioni, Anton Quni, ka pyetur ministrin Hyseni, nëse presidenti ka dhënë urdhër të drejtpërdrejtë për ndërhyrje në ndalimin e trenit serb.

Ndërsa, ministri Hyseni ka sqaruar se ka pasur koordinim të të gjithë akterëve.

“Ka pasur konsensus total. Presidenti duke qenë si figurë unifikuese edhe ka qenë i kyçur. Të gjithë akteret ka qenë të informuar me kohë. Urdhrin për ndërhyrje nuk e jap unë, por drejtori i përgjithshëm i policisë, Shpend Maxhuni, sepse ai është profesionist dhe e di më së miri se kur duhet të ndërhyjë”, është përgjigjur Hyseni

Ai ka thënë se Qeveria ka qenë në koordinim me policinë për të marrë masa ndaj këtij treni që nga dita kur është paralajmëruar ardhja e tij në Kosovë.

Mbështetje çdo veprimi të policisë që është në mbrojtje të sovranitetit të vendit i ka dhënë edhe anëtari tjetër i Komisionit për Punë të Brendshme dhe Siguri, Rexhep Selimi, nga Lëvizja “Vetëvendosje”.

“Opozita kërkon dhe mbështet operacionet policore kurdoherë për të ruajtur sovranitetin e Republikës së Kosovës, madje kërkon që kjo mos të bëhet vetëm një ditë, sikur më 14 janar, por të bëhet për çdo ditë”, është shprehur Selimi, duke kërkuar që të jepen sqarime se a ka leje një tren tjetër që qarkullon nga Kraleva në Mitrovicën e Veriut.

Ndërkohë, Zafir Berisha nga “Nisma për Kosovën” ka thënë se qasja me Serbinë duhet të jetë më ndryshe, pasi sipas tij, çështja e trenit është vetëm njëra nga provokimet e Serbisë karshi Kosovës.

“Vitin e kaluar e kemi mbyllur me provokimet e Serbisë dhe këtë vit po e fillojmë me provokime. Treni, muri që ndoshta është një provokim ndoshta edhe më i rëndë se vetë treni. Dhe në ditët në vazhdim do të bindeni se është më i rëndë. Çështja e ndalimit të Ramush Haradinajt me fletarrestimet e Serbisë po bën një gamë të problemeve, që ne si shtet, dhe ju si ekzekutiv duhet të merreni më seriozisht”, ka theksuar Berisha.

Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Ganimete Musliu, ka përgëzuar veprimet e institucioneve të vendit.

“Shteti i Kosovës përfundimisht ka treguar që ka zot shpie. Na duhet të jemi shumë të vëmendshëm që të mos biem pre e provokimeve. Konsideroj që shteti i Kosovës ka hyrë në një fazë të orientimit të tij”, ka deklaruar Musliu.