Mustafa: Treni nuk futet në Kosovë, kjo situatë lojë e pandershme e Serbisë

Aktuale January 14, 2017 - 19:50

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se treni serb nuk do të futet në Kosovë, dhe se kthimi i tij prapa është veprimi i duhur.

“Kthimi prapa i aktij treni është veprim i duhur dhe hyrja e tij nuk do të lejohet, nëse do të hynte do të trajtohej në përputhje të plotë me ligjet e Kosovës”.

Mustafa këtë situatë e ka cilësuar si të panevojshme, dhe një lojë të pandershme të Serbisë, njofton Klan Kosova.

“Shqetësimin që kemi pasur dhe kemi përjetuar me një situatë të panevojshme, të krijuar nga Serbia, në kuadër të lojëravre te pandershme, bashkëndjej me ju dhe ju falënderoj për përkrahjen”.

Ai në një konferencë të jashtëzakonshme, ka thënë se Qeveria e Kosovës dhe të gjitha dikasteret kanë trajtuar këtë çështje.

“Qeveria e Kosovës dhe të gjitha dikasteret e saj, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Infrastrukturës, Autoritetit Rregullativ të Hekurdhave, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe  autoritetet e tjera janë angazhuar gjatë gjithë këtyre ditëve që të angazhohen për të trajtuar këtë çështje”.