Thaçi: Treni është provokim i radhës, duhet të ndalohet

Aktuale January 14, 2017 - 14:51

I pari i vendit, Hashim Thaçi, përmes një postimi në rrjetin e tij zyrtarë “facebook”,  ka kërkuar nga autoritetet e vendit, që të mos lejohet hyrja e trenit të Serbisë në Kosovë me arsyetimin se një veprim i tillë është ilegal dhe në kundërshtim me ligjet e Kushtetutën e Kosovës, transmeton “Zeri.info”.

Ai ka thënë se autoritet e Kosovës duhet të marrin veprimet e menjëhershme për të parandaluar hyrjen e trenit serb në Kosovë.

Ky është postimi i plotë:

Kosova respekton lirinë e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave. Por, hyrja e një treni të mbështjellë me afishe nacionaliste nga Serbia, të cilat janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, është krejtësisht e papranueshme.

Për më tepër, në këtë tren ka udhëtarë dhe zyrtarë të lartë të Serbisë të cilët nuk kanë leje për të hyrë në Kosovë sipas procedurave në fuqi.

Prandaj, çfarëdo që është ilegale dhe cenon sovranitetin shtetëror të Kosovës, duhet të parandalohet. Ky tren është provokim i radhës dhe autoritetet e Kosovës duhet t’i ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për ndaljen e menjëhershme të tij. HTH