Treni rus niset për në Kosovë

Aktuale January 14, 2017 - 08:11

Treni rus, i dekoruar nga jashtë me simbole të shtetit të Serbisë, ndërsa nga brenda me ikonografi të Kishës Serbe, do të hyjë sot (e shtunë) në Kosovë, pa leje të institucioneve vendore. Derisa Marko Gjuriq thotë se me trenin synon t’i bashkojë pjesët e “vendit të tij”, Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, vlerëson se hyrja e trenit rus në Kosovë cenon drejtpërdrejt sovranitetin e vendit, shkruan sot gazeta Zeri.

Treni rus, i dekoruar nga jashtë me simbole të shtetit të Serbisë, respektivisht me flamurin serb, ndërsa nga brenda me ikonografi të kishës serbe, niset sot (e shtunë) nga Beogradi për në Kosovë. Në Mitrovicë, shqiptarët vlerësojnë se në njëfarë forme, nëpërmes këtij treni që ia ka falur Serbisë, Rusia simbolikisht po hyn në Kosovës dhe në këtë mënyrë bashkë me Serbinë po shkel sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Ndonëse do të jetë vetëm një udhëtim promovues në vijën hekurudhore Beograd – Mitrovicë, të shtunën, në ditën e parë të Vitit të Ri Serb, Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë ka paralajmëruar se linja testuese hekurudhore Beograd – Mitrovicë do të vendoset nga 20 janari deri më 26 shkurt, e më pastaj do të vendoset nëse kjo linjë do të jetë e rregullt. Treni niset nga Beogradi në ora 8:30 minuta, të shtunën, ndërsa nga Mitrovica në orën 10:40 minuta.

ARRHK: Linja hekurudhore e Serbisë në Kosovë, ilegale

Në anën tjetër, Rregullatori Hekurudhor i Kosovës, nëpërmes një komunikate ka bërë të ditur se është duke e përcjellë situatën me kujdes, ndërsa ka theksuar se është tejet i shqetësuar me paralajmërimin serb për vendosjen e linjës hekurudhore Beograd – Mitrovicë, që është në kundërshtim të plotë me Ligjin nr. 04/L-063 të Hekurudhave të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit për hekurudhat e Kosovës, organi i vetëm kompetent në Kosovës për licencimin e ndërmarrjeve hekurudhore, rregullimin dhe mbikëqyrjen e sektorit hekurudhor dhe për dhënien e certifikatave dhe lejeve të sigurisë për nënsistemin e hekurudhave është Agjencia Rregullative për Hekurudhat e Kosovës (ARH). Në këtë kuptim, duam t’i njoftojmë institucionet, qytetarët dhe të gjitha palët e interesuara, se në bazë të këtij ligji, me Nenin 91, qartë dhe në mënyrë strikte ndalon punën e ndërmarrjeve hekurudhore në territorin e Republikës së Kosovës, para se të licencohen dhe të pajisen me certifikata të sigurisë”, thuhet në komunikatën e Rregullatorit të Hekurudhave të Kosovës, që do të thotë se është i ndaluar ofrimi i shërbimeve hekurudhore në territorin e  Kosovës pa licencë të domosdoshme, si dhe pa certifikatë dhe pa leje.

“Ne, Agjencia e Rregullatorit të Hekurudhave (ARH) konstatojmë se kompania në fjalë (në këtë rast “Srbija voz”) është ilegale dhe se çfarëdo kërkese, ose kërkesë për leje, ose vërtetim për siguri nuk do të pranohet tek ne për punën me trenat, sikurse kompanitë të cilat tashmë janë licencuar dhe janë pajisur me certifikata të sigurisë tek ne, si organ përgjegjës rregullativ. Andaj ato ndërmarrje do të punojnë pa leje dhe certifikatë të sigurisë, gjë që është e jashtëligjshme dhe e papranueshme për ne”, thuhet mes të tjerash në komunikatën e Agjencisë Rregullative të Hekurudhave të Kosovës.

Gjuriq: Shqiptarët të mos e ndalojnë trenin

Ndërkaq, drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë të premten se nuk pret që autoritetet kosovare do të ndalojnë hyrjen e trenit, siç thotë ai, “në Kosovë e Metohi”. Në një rast të tillë, Gjuriq ka thënë, “se do kishte të bënte me nacionalizëm, shovinizëm dhe kufizim bazë të të drejtave të njeriut”.

“Kemi dhjetëra autobusë në ditë që shkojnë nga Beogradi në Prishtinë dhe Mitrovicë, si dhe nga qytete tjera. Unë nuk shoh pse duhet të ketë një ndryshim në lidhje me këtë linjë, e cila synon lidhjen më të mirë të pjesëve të vendit tonë”, ka thënë Gjuriq, duke e quajtur Kosovën “vendi ynë”. 

Në anën tjetër, Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, tha se vendimi i Serbisë për linjën hekurudhore Beograd – Mitrovicë është cenim i drejtpërdrejtë i sovranitetit të Kosovës. “Ky projekt është vazhdimësi e shmangies së shtetit tonë dhe krijon lidhje direkte me shtetin e Serbisë. Serbia po bën zhvendosjen e kufirit para syve të qeveritarëve tanë. Tashmë kufiri me Serbinë, nga Leposaviqi është zhvendosur në lumin Ibër, ku është ndërtuar një mur ndarës.

Ndërsa, linja hekurudhore që është vendim i shtetit serb është tregues i sjelljes së Beogradit, sikur të ishin brenda të njëjtit shtet me pjesën veriore të Mitrovicës”, ka thënë Mujka, duke shtuar se linja hekurudhore nuk ka të bëjë me kurrfarë integrimi për të cilin flasin qeveritarët tanë.

Mujka: Linja, një prej treguesve se si mund të dukej “Zajednica”

“Përkundrazi, kjo linjë është dëshmi që Serbia e injoron krejtësisht kufirin dhe shtetin e Kosovës dhe përpiqet që t’i tërheqë drejt vetës serbët e Kosovës. Kjo Serbi po i bën të gjitha projektet që e cenojnë sovranitetin në veri të vendit.

Linja hekurudhore është vetëm një prej treguesve se si mund të dukej “Zajednica”, e cila sjell ndarje reale, por edhe simbolike. Flamujt dhe kishat ortodokse në trenat e ri, janë vetëm kujtesë që ndarja është etnike dhe nuk bëhet fjalë për hekurudha përbashkuese. Fatkeqësisht shteti ynë atje përfaqësohet vetëm me bashkëpunim në kontrabandë, legalizim të strukturave paralele, duke i veshur në uniformë të Policisë së Kosovës, faljen e infrastrukturës së PTK-së shtetit të Serbisë, bashkëpronësi me Serbinë mbi “Trepçën” dhe Ujmanin. Serbia është në ofensivë totale, ndërsa ne nuk jemi askund”, ka thënë mes të tjerash nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka.