Serbia ende në shok pas lirimit të Haradinajt

Aktuale January 13, 2017 - 20:42

Mediat serbe dhe politika në Serbi janë bërë bashkë në “kukatjen” për lirimin e Ramush Haradinajt nga Gjykata e Apelit në Colmar të Francës.

Qe nga momenti i lirimit të Haradinajt (lirim me kusht), si pushteti ashtu edhe mediat kinse liberale serbe janë hedhur në sulm për të akuzuar së pari Francën, pastaj SHBA-të, Shqipërinë e tërë lobin shqiptar për lirimin e Haradinajt, shkruan lajmi.net.

Megjithatë, është një politikan tjetër kosovar të cilin mediat serbe qe nga arrestimi Haradinajt e mbajnë nëpër ballina. Bëhet fjalë për ish presidentin, Behgjet Pacollin, për të cilin në disa raste kanë thënë se ai po paguan dhe ka paguar për lirimin e Haradinajt.

“Pacolli feston. Shqiptarët paguajnë që Interpoli t’ia heqë fletarrestin Haradinajt”, kështu është titulli në numrin e sotëm të ballinës së gazetës më të madhe serbe, “Blic”.

Në këtë artikull përplot mllef dhe konspiracione ndaj shqiptarëve, Haradinajt dhe Pacollit, shkruan nder tjerash se “lobi shqiptarë e ka fituar betejën e parë për lirinë e Haradinajt, lideri i UÇK-së është liruar nga burgu, por mbetet në Francë deri te vendimi për ekstradim. Caku i ardhshëm i atyre (shqiptarëve) është anulimi i fletarrestit nga Interpoli”.

Në këtë tekst po ashtu janë përfshirë edhe deklarata e Edi Ramës, kryeministrit të Shqipërisë, pastaj ka folur Obrad Kesiq, politikan serb që jeton në Serbi, etj, raporton lajmi.net.

“Ekzistojnë dy nivele të lobimit: njëri nga bashkësia shqiptare dhe tjetri nga diplomatët amerikanë. Në të dytin janë figura të rëndësishme si ish kongresisti, Xhozef Diogardi dhe kolegu i tij, Elit Engel”, thotë Kesiq.

“Lobimi shqiptar nuk është risi, kështu që nuk ka shqiptar i cili të paktën nuk i ka dhënë pesë euro për Ramushin në Hagë”, thotë analisti i njohur serb, Dushan Janjiq.

Image