Çaushi: Termi sulm terrorist i rezervuar vetëm për rastet e montuara nga pushteti

Aktuale January 13, 2017 - 19:14

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Driton Çaushi, përmes një postimi në rrjetin e tij zyrtarë “facebook”, ka thënë se sulmin me granat ndaj ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në veri të Mitrovicës, Policia e Kosovës nuk e cilësoi si sulm terrorist.

Pasi, sipas tij termi sulm terrorist tanimë është i rezervuar vetëm për rastet paraprakisht të montuara, siç thotë ai, nga pushteti, transmeton “Zeri.info”.

Ky është postimi i plotë:

Para tre ditësh, në mbrëmjen kur në Kuvendin e Kosovës po diskutohej mbi arrestimin e Ramush Haradinajt, në veri të Mitrovicës u sulmua me granatë ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Ashtu siç kishte ndodhur edhe me vrasjen e Enver Zymberit dhe Selver Haradinajt, Policia e Kosovës edhe këtë rast nuk e cilëson si sulm terrorist.

Me sa duket, termi sulm terrorist tanimë është i rezervuar vetëm për rastet paraprakisht të montuara nga pushteti.

Kështu ndodhi me sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, si pasojë e të cilit nën akuzën e terrorizmit vazhdojnë të përndiqen aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, e si pasojë e të njëjtit rast të humbi jetën edhe Astrit Dehari.