Austria po e ndihmon Kosovën të anëtarësohet në INTERPOL

Aktuale January 13, 2017 - 19:02

Ministri i brendshëm Skender Hyseni, është takuar me homologun e tij austriak Wolfgang Sobotka në Prishtinë të Premten, nga i cili ka marrë përkrahje të plotë për anëtarësimin e Kosovës në Interpol.

“Me ministrin Sobotka kemi pasur shumë takime, mirëpo ky është takimi ynë i parë në Prishtinë. Si gjithmonë kemi gjetur pajtim të plotë për problemet me të cilat përballen vendet tona, në mënyrë specifike problemet që lidhen me krimin dhe luftimin e fenomeneve të ndryshme transnacionale, që lidhen me nevojën e bashkëpunimit ndërkombëtarë policor, për të qenë sa më të suksesshëm në adresimin dhe luftimin e krimit ndërkombëtarë”, tha ministri Hyseni, transmeton "Zeri.info".

Ministri Hyseni vuri në dukje se ministri  Sobotka dhe Republika e Austrisë e përkrahin plotësisht Republikën e Kosovës, në përpjekjet e saja për të vendosur rend dhe ligj dhe për këtë falënderoi ministrin  Sobotka.

Ai tha se Kosova dhe Austria  janë partnerë strategjik dhe ky partneritet do të forcohet në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e rendit dhe ligjit dhe bashkëpunimit policor.