MSh zotohet se do tu ofroj sistemim të përhershëm mjekëve specialist

Aktuale January 13, 2017 - 18:45

Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar sot se do t’ju vazhdojë mjekëve specialistë kontratat e përkohshme tre mujore, edhe për tre muaj të ardhshëm.

Në një njoftim të kësaj ministrie thuhet se në bashkëpunim me SHSKUK-në, janë duke punuar në aspektin e sistemimit të përhershëm të specialistëve, duke vlerësuar se kjo kohë (tre muajt e ardhshëm), do të jetë e mjaftueshme për përmbylljen procedurave të rregullta konkurruese, ku specialistët do të pajisen me kontrata të përhershme, varësisht nga nevojat e vetë institucioneve shëndetësore publike, transmeton "Zeri.info".

Ndërsa, specialistët e pranuar nga lëmit e fushës stomatologjike në njoftim thuhet se mbeten të sistemohen, në periudhë sa më të afërt, në marrëveshje me institucionet shëndetësore të tri niveleve.

Këtë njoftim e kanë mirëpritur edhe organizatat e shoqërisë civile që u kanë ofruar ndihmë juridike këtyre specialistëve të cilët kishin mbetur të papunë ndonëse Ligji për Shëndetësinë e obligon Ministrinë e Shëndetësisë t’i mbajë në punë të gjithë mjekët që kanë specializuar me para publike pas tre vitesh specializim.

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), përmes këshillave ligjore pa pagesë kishte ndihmuar grupin e më shumë se 100 specialistëve që të adresojnë problemin e tyre tek institucionet adekuate dhe me këtë rast ky institut publikisht ka mirëpritur këtë njoftim të MSh-së.