Haradinaj: Serbia nuk ka juridiksion mbi mua

Aktuale January 12, 2017 - 21:25

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj pas vendimit të gjykatës në Francë, në një bisedë përmes telefonit për “Opinion”, tha se krejt procesi kundër tij është një lojë politike e Serbisë.

“Është i pakuptimtë ky arrestim. Unë kam udhëtuar nëpër Evropë. Kam qenë në Gjermani, Austri. Jam habitur me qasjen e autoriteteve franceze kësaj radhe. Unë mendoj se është një gabim këtu. Diçka po ndodh çuditshëm. Aktakuza për mua është e vitit 2004 nga Beogradi. Unë kam pasur procese gjyqësore të cilat i kam kryere në Tribunalin e Hagës, akuza të cilat Serbia i ka dërguar atje. Këto akuza janë trajtuar atje dhe me 29 nëntor 2011 unë jam shpallur i pafajshëm. Prandaj është i pakuptimtë ky ndalim”, ka thënë Haradinaj, në një bisedë telefonike në emisionin “Opinion” në Tv Klan, transmeton “Zeri.info”

Sipas Hradinjat, politika në Beograd është peng i vetvetes, pasi siç thotë ai, ata e kanë të pamundur të thonë atje se po heqin dorë nga ndjekja e Haradinajt, prandaj po riaktivizojnë fletarreste të tilla.

Haradnija ka thënë se nuk mund  të largohem nga Franca derisa të përfundojnë procedurat tjera.

“Do të ketë seancë tjetër. Ne kemi paraqitur kërkesën tonë tashmë. Mund të ndodh që gjatë javës tjetër të kemi një seancë”, tha ai, transmeton “Zeri.info”.

Ai po ashtu ka thënë se, zyrtarisht nuk ka marr asnjë kërkesë nga Beogradi për ekstradim.

“Serbia ka vepruar njëjtë me Kroacinë derisa Kroacia ka vepruar me reciporictet kur kishte dërguar 5 mijë kërkesa për ndalim. Kosova duhet të ketë një reciprocitet më serioz me Serbinë”, theksoi Haradinaj.

“Ajo që më ka bërë të ndihem shumë mirë ka qenë reagimin i shqiptarëve kudo. Edhe salla e gjyqit ka qenë plotë shqiptarë. Kur kam hyrë në sallë, ata janë ngritur në këmbë si ushtri. Janë habitur të gjithë. Nuk e di çfarë ka bërë Prishtina zyrtare, mirëpo mendoj se Prishtina zyrtare është e dobët ndaj Beogradit”

Ndër të tjera Haradinja ka thënë se tani në marrëdhëniet në Ballkan nuk po pyetet Prishtina, sipas tij parametrat e Prishtinës kanë rënë shumë, dhe për këtë, siç thotë ai, nuk po e merr askush seriozisht.

“Prishtina e ka ulur gardën shumë. Aq shumë sa që tani gati në marrëdhëniet në Ballkan nuk po pyetet Prishtina më. Nuk është mirë kështu. Parametrat e Prishtinës kanë rënë shumë. Qeveri me parametra të ulëta, dhe nuk po e merr askush seriozisht. Unë jam shqiptar, trashëgimtarë i Ilirëve. Serbia nuk ka juridiksion mbi mua as nuk do të ketë kurrë mbi shqiptarë”, ka thënë nder të tjera Haradinaj.

“Jam shqiptar dhe rri vetëm në të drejtën time dhe nuk njoh juridiksione të Serbisë. I kam prish planet e Serbisë në të kaluarën .Serbia ka dashur të ndajë Kosovën edhe në Dukagjin. Unë i kam prish këto plane dhe prandaj është ky fletarrestë ndaj meje” tha ai.