Qeveria deklarohet për lirimin e Haradinajt, apelon të mos merren parasysh fletëarrestet serbe

Aktuale January 12, 2017 - 16:10

Qeveria e Kosovës ka reaguar për lirimin me kusht të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj nga gjykata në Francë, duke thënë se ka pritur lirim të plotë të tij.

Haradinaj, që u ndal ditë më parë nga autoritetet franceze me urdhërarrest ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia më 2004, sot u lirua me kusht deri në vendimin e ardhshëm për ekstradim në Serbi apo lirim të plotë të tij, transmeton "Zeri.info".

Përmes një njoftimi për media, Qeveria e Kosovës këtë e konsideron vetëm një hap drejt lirimit të plotë dhe pret që së shpejti lideri i AAK-së të rikthehet në Kosovë.

“Qeveria e Kosovës rithekson qëndrimin e saj se fletarrestet serbe, në bazë të të cilave është bërë ndalimi i z. Haradinaj, janë plotësisht të paligjshme, të padrejta dhe me tendenca të qarta për të krijuar tensione dhe konflikte, duke i bërë thirrje autoriteteve franceze dhe atyre në të gjitha vendet tjera që të mos i marrin parasysh”, thuhet në njoftim të Qeverisë, përcjell "Zeri.info".

Qeveria e Kosovës po ashtu ka thënë se do të vazhdojë angazhimin e plotë për të mundësuar kthim sa më të shpejtë të Haradinajt në Kosovë si dhe për dhënien fund të rasteve të ndaljes së personaliteteve kosovare në shtetet evropiane, mbi bazën e fletarresteve të paligjshme serbe.