Aktuale

Kommersant: Ekstradimi i Haradinajt – shumë i vështirë

Kommersant: Ekstradimi i Haradinajt – shumë i vështirë
12 janar 2017 • 11 : 35 foto • zëri.info

Beogradi mund të llogarisë në vështirësi për ekstradimin e ish komandantit të UÇK-së, Ramush Haradinaj.

Arsyeja për këtë është për shkak se gjykata e Hagës e ka liruar dy herë nga të gjitha akuzat, thotë e përditshmja e Moskës, Kommersant, raporton agjensia Beta.

Gazeta shtoi se derisa autoritetet serbe janë duke kërkuar ekstradimin nga Franca të Haradinaj, injorojnë kërkesat e vazhdueshme të Malit të Zi për të ekstraduar dy shtetas serbë të akuzuar për organizimin e një grusht shteti në Podgoricë.

"Në qëndrimin e Beogradit është një lidhje e dobët, të cilën ai vetë e krijoi. Duke i kërkuar Francës që të përmbushë detyrimet e saj ndaj Interpolit dhe të dorëzojë Haradinajn, Serbia po injoron kërkesat e vazhdueshme të Malit të Zi i cili kërkon ekstradimin e dy shtetasve serbë, të akuzuar për përgatitjen e një grusht shteti në Podgoricë, në ditën e zgjedhjeve me 16  tetor të vitit të kaluar", vlerëson Kommersant.

Sipas gazetës, edhe pse Beogradi e ngarkon Haradinajn për më shumë se njëqind krime, shanset e ekstradimit janë minimale për shkak se gjykata e Hagës e ka liruar dy herë.

Përveç kësaj, esktradim nuk do të ketë nëse gjykata vendosë që akuzat ishin të motivuara politikisht, shkruan Kommersant, duke shtuar se pikërisht në këto dy fakte do të mbështetet mbrojtja e Haradinajt.

Ministria e Drejtësisë e Serbisë e ka dërguar në Francë dokumentacion shtesë në lidhje me zgjerimin e hetimeve kundër Ramush Haradinajt.

Franca tani do të përgjigjet për kërkesat e autoriteteve të Serbisë dhe Kosovës për lirimin ose ekstradimin në Serbi të ish të akuzuarit të Hagës dhe liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj./GazetaExpress/.

© zëri.info